E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria pa rezolutë nga PE

02/03/2012  Ndërkombëtarët Kukan e Rouçek pesimistë për plotësimin e 12 rekomandimeve

“Vijon sherrnaja për pushtetin mes qeverisë dhe opozitës, si rezultat s’kemi progres”

Komiteti i Jashtëm i Parlamentit Evropian votoi në Bruksel raportet për Bosnjën, Turqinë, Malin e Zi dhe Serbinë, por jo për Shqipërinë. Kjo pasi nuk ekziston një i tillë. Për Shqipërinë ka rreth dy vjet që nuk hartohet asnjë rezolutë. Listës së rezolutave do t’u bashkëngjitet edhe rezoluta e Kosovës dhe e Maqedonisë. Ish-raportuesi për Shqipërinë, S & D, Libor Rouçek, tha dje se Shqipërisë i mungon një rezolutë, pasi ky vend nuk ka shënuar asnjë progres. “Sot diskutuam progresin në Serbi, Bosnjë, Mal të Zi, por fatkeqësisht mungon Shqipëria. Pse po mungon? Mendoj se raportuesi, por dhe ne ndajmë gjerësisht këtë këndvështrim, është i mendimit se nuk ka progres në Shqipëri për sa i përket çështjeve kyçe. Ai thotë se nuk ka shumë gjëra për të shkruar, pasi atje vijon sherrnaja, përleshja për pushtetin mes qeverisë dhe opozitës dhe si rezultat nuk kemi progres”, - tha Rouçek. Ndërsa kreu i delegacionit për Ballkanin, Eduart Kukan, u shpreh i keqardhur për këtë situatë. Ai u kërkoi partive politike të angazhohen në një dialog konstruktiv për realizimin e 12 prioriteteve dhe jo të merren me zënkat se i cilës palë është faji për raportin negativ të Brukselit. “Seanca plenare e muajit mars do të votojë rezolutat për Serbinë, Bosnjën, Malin e Zi dhe Kosovën. Shqipëria nuk është aty dhe mungesa e saj është shumë e zëshme. Kjo do të thotë se BE-ja e sheh qartë se në kuadër të këtyre aktiviteteve të mëdha ka një vend që mungon. Pa bërë shumë filozofi, mund të ndodhë që, kur nuk ka lajm, është lajm i mirë, por në këtë rast kjo nuk është e vërtetë për Shqipërinë. Ajo që shohim më shumë tani janë akuzat se cili do të jetë përgjegjës për raportin e keq”, - tha Kukan. Ai tha se Parlamenti Evropian do të rishikojë pozicionin e tij ndaj Shqipërisë vetëm nëse prej vendit tonë do të ketë lajme pozitive. “Është absolutisht e qartë se, nëse ne do të kishim përmbytje nga lajmet e mira që do të na vinin nga Shqipëria, atëherë do të ishte e rëndë mospasja e një raporti. Por ashtu siç janë gjërat tani, raport apo jo, dialogu në vend, reformat dhe përmbushja e 12 kritereve duhet të vijojë. Nëse e bëjnë një gjë të tillë, atëherë do të ketë një reflektim nga Parlamenti Evropian”, - deklaroi kreu i delegacionit për Ballkanin. Duke iu referuar 12 rekomandimet për të cilat BE-ja pret progres, ish-raporteri Rouçek kujtoi se vendi ynë me përjashtim të zgjedhjes së Avokatit të Popullit nuk është arritur shumë. “Pra, unë shpresoj dhe dëshiroj që grupimet kryesore politike të ndërgjegjësohen për situatën dhe të paktën për çështjet që kanë të bëjnë me integrimin evropian të bëhen bashkë dhe të punojnë së bashku”, - tha ai. Rezoluta e fundit për Shqipërinë është hartuar në qershor të vitit 2010. Për nga rëndësia që PE-ja i kushton vendit prej vitesh, përzgjedhja e raportuesit për Shqipërinë i ka kaluar grupimit të ekstremit të majtë, një prej grupeve politike më të vogla në Parlament

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›