PS-ja kundër djegies së fletëve të votimit të 8 Majit
Partia Socialiste shprehet kundër nismës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të djegur fletët e votimit të zgjedhjeve vendore të 8 Majit. Megjithëse jo në mënyrë zyrtare, përfaqësuesit socialistë në KQZ kanë konfirmuar dje se një veprim i tillë nga ana e institucionit kryesor të administrimit të zgjedhjeve është i shpejtuar dhe i qëllimshëm. Sipas Eridian Salianit, përfaqësues i përhershëm i PS-së në KQZ, ky projektvendim është i pa nevojshëm në këtë kohë, pasi ende çështja e zgjedhjeve për pushtetin vendor nuk është mbyllur, përsa kohë për të ekzistojnë padi konkrete në organin e akuzës për shkelje dhe shpërdorim detyre nga ana e anëtarëve të KQZ-së. Sipas tij, kundërshtimi i socialistëve ka të bëjë me padinë që socialistët kanë depozituar në Prokurorinë e Tiranës në lidhje me mosrakordimet e shifrave. Nëse prokuroria e sheh të arsyeshme, sipas avokatit Salianji, prokurorët duhet të sekuestrojnë fletët për efekt hetimi. Sipas draftit që mund të miratohet sot dhe me katër votat e maxhorancës, KQZ do të vërë në dispozicion rreth 1 milion e 800 mijë lekë për këtë proces që pritet të zgjasë 60 ditë. Fondi do të destinohet për lëndën djegëse dhe pagat e punonjësve që do të zbrazin kutitë.