Integrimi, Nishani: Shqiptarët të gatshëm për çdo sakrificë

Kreu i shtetit Bujar Nishani ka deklaruar sot se shqiptarët janë të gatshëm që të paguajnë çmimin e sakrificave për një të ardhme europiane.
Deklarata e Nishanit është bërë në një aktivitet për 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë ku kreu i shtetit ka vlerësuar edhe marrëdhëniet shqiptaro-austriake.
"Shqiptarët janë treguar të gatshëm që me bindje të paguajnë çmimin e sakrificave për reformat që janë kërkuar për një të ardhme europiane. Në këtë proces Shqipëria ka pasur mbështetjen e Austrisë, mikut të saj historik dhe tradicional. Austria nuk mungoi të na gjendej pranë as në momentet më të vështira. Ndihma ekonomike dhe investimet në sektorë të rëndësishëm si në tregun financiar, industrinë e naftës, në energjikë, në fushën e sigurisë të cilët janë faktorë të rëndësishëm për zhvillimin e vendit dhe për ne këtë jemi mirënjohës komit dhe shtetit austriak” tha Nishani.
Kreu i shtetit gjithashtu theksoi se në vitin jubilar të 100-vjetorit të pavarësisë, jeta kulturore, artistike, sportive dhe politike ka fituar një gjallëri.
“Ne shqiptarët jemi mirënjohës ndaj çdo vendi aleat dhe çdo individi që mbështet mbijetesën në një situatë të turbullt dhe kërcënuese ballkanike. Por ne jemi borxhlinj Austrisë për veprimet diplomatike në mbështetje të kombit shqiptar” shtoi Nishani.
vijon..