E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria, asnjë përgjigje për konfliktin e interesit me lejet e ndërtimit në Tiranë



Prokuroria e Përgjithshme ende nuk ka dhënë asnjë përgjigje në lidhje me kallëzimet penale të ardhura në këtë institucion nga Kuvendi. Prej disa muajsh në Prokurori është dorëzuar raporti i Komisionit Hetimor Parlamentar i cili tregoi se për një periudhë 1-mujore ishin dhënë dhjetëra leje ndërtimi me konflikt të hapur interesi. Nga ana tjetër edhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive është shprehur nëpërmjet një deklarate zyrtare se gjatë hetimit të këtij institucioni është vërejtur se ka pasur konflikt interesi në dhënien e lejeve të ndërtimit. Sipas lajmit të dhënë nga Televizioni Publik Shqiptar, pas një interesimi në organin e akuzës, Prokuroria ka konfirmuar se ka marrë gjithë dosjen e dhënë nga Kuvendi si dhe bazën materiale hetimore, por nuk ka dhënë asnjë përgjigje për nisjen e hetimeve apo kohën se kur do të nisin këto hetime. Sipas raportit të Komisionit Hetimor, KRRT-ja e Tiranës ka dhënë leje ndërtimi në konflikt të hapur interesi. Në hetimin e ndërmarrë nga ILDKP-ja në bazë të analizës ligjore lidhur me procedurat e vendimmarrjes në mbledhjet e datës 22.3.2009 dhe datës 17.4.2009 të KRRT së Bashkisë Tiranë, si edhe të deklarimeve të bëra nga dy anëtarët e KRRT-së në ILDKP, u arrit në përfundimin se abstenimi në votimin e kërkesave për leje ndërtimi i anëtarëve që kanë pasur një interes privat direkt ose indirekt në çështjet e kaluara për votim, nuk e ka zgjidhur konfliktin e interesave.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›