Xhaçka: "Berisha po shton kufijtë ndarës me Evropën"
Autori i Lajmit: RedaksiaDeputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, akuzoi Kryeministrin se po i mban peng shqiptarët, duke e lidhur me faktin që disa vendeve fqinje iu hoqën vizat, kurse vendi ynë mbetet në pritje. “Sot, qytetarët e Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi lëvizin pa viza në Bashkimin Evropian. Shqiptarët jo. Shqipëria ka mbetur në klasë, ndërkohë që Sali Berisha përpiqet ta shesë si sukses faktin se herët a vonë dhe shqiptarët do të lëvizin lirisht në hapësirën Shengen, por fatkeqësisht, për ne ai moment do të vijë vonë. Do të jemi të fundit në Evropë”, - tha Xhaçka. Duke theksuar faktin se dje qytetarët e Maqedonisë, Serbisë e Malit të Zi festuan, kurse ne presim, deputetja shtoi se Shqipëria ka mbetur në klasë dhe sipas saj, ky është faji i Sali Berishës. “Shqipëria mbeti e fundit dhe për këtë e ka fajin Sali Berisha”, - tha Xhaçka, duke konsideruar se mure të reja janë ngritur në kufijtë e Shqipërisë. Sipas saj, shqiptarët kanë mbetur të fundit pasi qeveria e tyre ilegjitime prodhoi krizën politike e ekonomike me paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë e tejskajshme që e karakterizon. “Dhe sot po e fsheh atë mizorisht, duke u mohuar shqiptarëve zgjidhjet ashtu siç u mohoi zgjedhjet e ndershme e qeverinë që përfaqësonte vullnetin e tyre të lirë. Ndaj ne sot i themi Sali Berishës të hapë kutitë e të zbardhë të vërtetën e 28 Qershorit ose të largohet”, - ishte thirrja e deputetes Xhaçka.
Ky lajm është publikuar: 21/12/2009