E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD e PS shkelën afatet për dorëzimin e listave

Tejkalimi i afateve ligjore për dorëzimin e listave zgjedhore u bë objekt debati në mbledhjen e djeshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Partia Socialiste ishte e fundit prej subjekteve politike që dorëzoi listën në zyrën e protokollit të KQZ-së bashkë me dokumentacionin e duhur, ndërsa Partia Demokratike i dorëzoi pak pas mesnatës. Në fillim të mbledhjes së djeshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sekretarja e përgjithshme e këtij institucioni bëri me dije se PS-ja ka shkelur çdo afat të mundshëm në dorëzimin e listave. Deklarata u kundërshtua nga përfaqësuesi ligjor i selisë rozë në KQZ, Genci Gjonçaj, i cili u shpreh se ka ardhur rreth orës 01.30 të mëngjesit në KQZ për të sjellë listën, por nuk e ka gjetur administratën në punë. "Rreth orës 01.30 ne dorëzuam listën me emrat e kandidatëve. Puna në administratë ka qenë e bllokuar, megjithëse në periudha zgjedhore KQZ-ja duhet të qëndrojë e hapur. Çështja e vonesës prej 15 minutash apo një orë e gjysmë duhet të trajtohet në mënyrë të barabartë", u shpreh përfaqësuesi i PS-së në KQZ, Genci Gjonçaj. Ndërkohë, përfaqësuesi i PD-së, Njazi Kosovrasti, theksoi se janë respektuar të gjitha afatet ligjore dhe lista është dorëzuar në orën 23.55 minuta në KQZ. Sakaq, sot pritet që KQZ-ja të marrë vendimin për listat e dorëzuara nga partitë politike. Data 18 maj u njoh si data zyrtare ligjore për dorëzimin e listave në KQZ, por me një tjetër interpretim u vendos që afati i fundit të ishte data 19 maj, ora 20.00. KQZ-ja, duke hasur në vonesat e dy partive të mëdha, la të hapur mesnatën mes 19 dhe 20 majit, duke shpjeguar se ora 20.00 e mbrëmjes ishte orar administrativ, ndërsa mesnata, orari që parashikon ligji. Në përfundim, rreth 40 parti politike dorëzuan listat e kandidatëve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Pas vendimit të KQZ-së për listat e dorëzuara, partitë politike hyjnë zyrtarisht në garë me njëra-tjetrën. Paraprakisht është bërë regjistrimi i të gjitha subjekteve që dëshirojnë të marrin pjesë në garën e 28 qershorit dhe pas pesë ditësh u bë regjistrimi i katër koalicioneve zgjedhore. Më shumë se 30 parti janë grupuar në katër koalicione, dy majtas dhe dy djathtas. Partia Demokracia Sociale e Paskal Milos ishte e para parti politike që dorëzoi listën e kandidatëve. Milo kandidon në tri qarqe njëherësh, ndërsa Erjon Veliaj dhe Fatmir Mediu kandidojnë në 12 qarqe. Edhe kryetarë të tjerë partish kanë zgjedhur të kandidojnë në më shumë se tre apo katër qarqe njëherësh për të garantuar përfaqësimin në Parlamentin e ardhshëm. Partitë e vogla nuk kanë arritur t‘i plotësojnë të gjitha qarqet me kandidatura, duke u mjaftuar me ato qarqe ku kanë pretendime për të grumbulluar vota. Duhet nënvizuar fakti se sistemi i ri zgjedhor nuk favorizon partitë e vogla, por ato të mëdha. Përfitimi i tyre mund të rritet në rastet kur bëjnë pjesë në koalicione me partitë e mëdha, PS ose PD.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›