E Diel, 1 Nëntor 2026

Veliaj: Nano vjen në Tiranë sa herë ka nevojë Berisha

Kreu i G99-ës, Erjon Veliaj, reagoi dje pas deklaratës së bërë nga ish-kryetari i PS-së, Fatos Nano, teksa e ka cilësuar këtë të fundit si një gërmadhë morale të politikës shqiptare. Sipas Veliajt, nuk mund të heshtet pas deklaratave të bëra nga Fatos Nano, i cili më në fund vendosi të vizitojë Shqipërinë. "Vendi ynë është vizituar më shumë nga kryeministrat italianë sesa nga ish-kryeministri i vet në këto 4 vitet e fundit", u shpreh ai. Sipas Veliajt, deklaratat e ish-kryeministrit Nano ishin qesharake, ishin fyerje për të rinjtë shqiptarë, ku sërish na ofrohet e njëjta gjellë politike, të cilën e kanë gatuar dhe jemi ushqyer në 18 vitet e fundit. "Ajo që ndodhi është se fantazma e viteve të fundit, ajo që quhet Fatos Nano, erdhi të vizitonte Shqipërinë në momentin më kritik, kur shqiptarët do të duhet të vendosin mes hapjes së një kapitulli të ri, apo vazhdimin e një politike të vjetër. Dhe në fakt ka ardhur në momentin më të mirë, sepse na qartësoi të gjithëve se çfarë përfaqëson në thelb politika e vjetër e Fatos Nanos dhe Sali Berishës", nënvizoi kreu i grupimit G99, Veliaj. Më tej, ai theksoi se Fatos Nano kthehet në atdhe sa herë që i mbarohen paratë dhe vihet në shërbim të Sali Berishës. Sipas tij, rruga Durrës-Kukës shpeshherë financon edhe rrugën Tiranë-Vjenë, sepse sa herë që Berisha është i dëshpëruar dhe kupton fundin e tij të mjerë thërret në ndihmë kamerdaren e tij të preferuar, Fatos Nanon. Kreu i G99-ës, duke vijuar sulmin e tij nga ish-kryeministri Fatos Nano, tha se "këtu ka një lajm të mirë, sepse sa herë që ai i ofrohet t‘i shërbeje Sali Berishës, ky i fundit humbet zgjedhjet". Ne, vijoi Veliaj, dëgjuam dje Nanon të fliste për studentët shqiptarë, për hallet e tyre dhe kush i përfaqëson ata. "Pyetja që ne kemi për Nanon është se në cilën kazino të Vjenës i takon studentet shqiptarë, në cilën pijetore i takon studentet shqiptarë, sepse studentet shqiptarë paguajnë taksa që Nano të shkojë në Parlament?" - shtroi pyetjet Veliaj. Duke nënvizuar se Nano në emision volli vrer për G99-ën, Veliaj i kujtoi se duhet të shqetësohet për këtë numër, sepse është zona e tij elektorale ku ai është deputet dhe nuk ka shkelur asnjëherë, as nuk i ka përfaqësuar ata në Parlament. "Jemi të zhgënjyer, u shprehur Veliaj, që në atë dalje publike Fatos Nano nuk shqiptoi asnjë rrokje kritike ndaj qeverisjes së Sali Berishës dhe për tragjedinë e Gërdecit".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›