E Shtunë, 31 Tetor 2026

Listat, nisin rrjedhjet në PD

Pas Preç Zogajt, largimin nga PD-ja e ka zyrtarizuar dje edhe një prej mbështetësve të Presidentit Bamir Topi, Sami Gjergji. Deputeti Gjergji ishte i pozicionuar i 9-ti në listën e demokratëve për Qarkun e Durrësit, por me anë të komunikimit për mediat ai deklaroi se largohet nga gara për zgjedhjet e 28 qershorit. Motivi i largimit të biznesmenit Gjergji lidhet me renditjen e tij në Qarkun e Durrësit.

Ai akuzoi lidershipin për mungesë totale të vlerësimit të kontributeve të tij në Partinë Demokratike. "Duke parë zhvillimet më të fundit politike, por edhe garimet brenda radhëve të PD-së, ku nuk jam ndjerë i vlerësuar, pasi kontributi im në këtë parti ka qenë në shkallën më të lartë. Për këtë arsye, deklaroj se kam marrë vendimin për t‘u larguar nga kjo garë politike", tha Gjergji. Sipas tij, "të jesh apo jo pjesë e Parlamentit është bërë pjesë e debateve politike, por ajo që sot kërkohet është vlera e vërtetë ose kontributi real, por kur kjo nuk vlerësohet apo anashkalohet arrihet deri në dorëheqje". Lista e Qarkut Durrës, nga ku do shkojnë në Kuvend gjithsej 13 mandate, kryesohet nga Ferdinand Xhaferri, Albana Vokshi, Gazmend Oketa, Ylli Lama, Osman Metalla dhe Eduart Halimi. Pjesa tjetër e kandidatëve për deputetë e kanë në pikëpyetje të madhe hyrjen e tyre në Parlament. Ndriçim Babasi ndodhet i teti në listën e Qarkut Durrës. Po kaq të ashpër sa deputeti Sami Gjergji kanë qenë edhe Preç Zogaj dhe Aleksandër Biberaj, të dy jashtë listës së PD-së. Zogaj dha arsyet pse vendosi t‘i bashkohet listës së partisë "Ligj dhe Drejtësi". Zogaj tregoi arsyet pse nuk pranoi të jetë kandidat në Shkodër. "E kam refuzuar këtë zgjedhje të kryetarit të PD-së, Sali Berisha, si një zgjedhje të paarsyeshme që injoron lidhjet e mia të fuqishme njerëzore, shpirtërore dhe politike me Lezhën, si edhe kontributin tim si deputet i zgjedhur i PD-së në Lezhë", tha ai.

Megjithëse ka kaluar në një forcë tjetër politike, duke u pozicionuar i pari në Qarkun e Lezhës, Preç Zogaj refuzoi të bëjë divorc përfundimtar me kryetarin e PD-së, Sali Berisha.

"Historia ime me të kështu është, herë ndahemi dhe herë bashkohemi. Është cituar edhe njëherë nga goja e tij që ushtarët e vjetër nuk vdesin kurrë dhe unë jam tipik një nga ushtarët e vjetër", tha Zogaj.

Nëse Zogaj preferoi të kandidojë për një sigël tjetër, anëtari i kryesisë së PD-së, Aleksandër Biberaj, tha se "procesit i ka munguar transparenca dhe nuk është marrë mendimi i bazës. Mendoj se lista ka një frymë të theksuar klienteliste dhe klanore. Unë uroj që të mos ndikojë në rezultatin e zgjedhjeve, por gjithsesi mendoj se do të ketë ndikimin e vet". Biberaj theksoi se nuk do të largohet nga Partia Demokratike dhe të luftojë për demokratizimin e partisë. Jashtë listës së kandidatëve për deputetë janë gjithsej 18 ish-deputetë të PD-së në legjislaturën e 17-të. Aleksandër Biberaj, Rexhep Uka, Preç Zogaj, Sali Shehu, Pal Dajçi, Rrahim Kaleci, Genc Juka, Besnik Mustafaj, Ylli Pango, Gëzim Karapici, Baki Shehu, Ëngjëll Cara, Mevlan Xhindoli, Shkëlqim Ziri, Blerim Çela, Eris Hoxha, Flori Bajrami dhe Safet Sula janë ish-deputetët që s‘do të jenë në legjislaturën e ardhshme në Kuvend.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›