E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: S’ka zgjedhje para 28 qershorit të 2013-ës



Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta, beson se madhështia e mitingut të 8 Dhjetorit tregon qartë se shqiptarët nuk duan kthimin mbrapa të Edi Ramës, por integrimin në familjen evropiane. Madje atij i kujton se nuk do të kete zgjedhje parlamentare para 28 qershorit të vitit 2013. Gjatë një interviste për “Alsat”, kreu i LSI-së vlerësoi mbështetjen që qytetarët i bënë së djathtës përmes mitingut të madh në sheshin qendror të Tiranës, ndërsa u ndal tek bojkoti i opozitës. “Mendoj se kompromisi është ofruar. Sot kërkohet që lidershipi i PS-së të kuptojë që sa më shpejt të braktisë këtë pozicion destruktiv, aq më mirë është edhe për të, por edhe për atë alternativë që opozita duhet të përfaqësojë për një vend demokratik”, - u shpreh ai. Për sa i përket mundësisë së zëvendësimit të deputetëve të PS-së në momentin që skadon afati kushtetues, Meta pohoi: “Kjo është tjetër gjë dhe është e parashikuar në Kushtetutë. Ata opozitë do jenë prapë, nuk do merren nga PD-ja, LSI-ja a ku di unë, ata nga opozita do merren. Nuk mund të ketë asnjë zgjidhje jashtë konceptit dhe frymës kushtetuese. Por, absolutisht nëse këta deputetë që janë sot nuk duan të shkojnë në Parlament për një mijë e një arsye, kjo nuk do të thotë se duhet të shkelet Kushtetuta. Kjo çështje do zgjidhet në mënyrë kushtetuese. Nëse ata nuk duan të vijnë në Parlament, le të dalin malit”. Kurse skenarit të PS-së për të hyrë në Kuvend që të mos djegin mandatet dhe dalja prej tij sapo ta shpëtojnë atë, Meta iu përgjigj se ky është një karagjozllëk i madh. “Le të bëjnë ç’të duan, njerëzit po i shikojnë, po i gjykojnë dhe do t’i vlerësojnë. Mitingu madhështor ishte më shumë se shprehje e aspiratave të vendit, ishte një qëndrim për të mos u kthyer mbrapa në një rrugë ku do t’i fusë lidershipi aktual i PS-së. Askush të mos ketë iluzione se zgjedhjet do të jenë më parë sesa 28 qershori i vitit 2013. Nuk do të jenë asnjë vit më parë dhe as më pas, sepse zgjedhjet janë bërë traditë. Kushdo mund të bëjë çfarë të dojë, por askush të mos harrojë se jemi të monitoruar nga qytetarët shqiptarë”, - u shpreh kryetari i LSI-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›