E Diel, 1 Nëntor 2026

Integrimi euroatlantik, si arsye e trishtimit të opozitës



Nga Nebil Çika

“Shqipëria ka kaluar përmes ndryshimeve të jashtëzakonshme, të mahnitshme dhe unë jam shumë i lumtur që shumica e këtyre ndryshimeve janë bërë nën drejtimin e Kryeministrit Sali Berisha”. Mjafton vetëm kjo frazë e Kryeministrit të Republikës Çeke, njëherazi edhe President i radhës i Bashkimit Evropian, dje, gjate ceremonisë se dorëzimit nga ana e Shqipërisë të kërkesës për anëtarësim në BE, për të zhvleftësuar çdo akuzë që opozita dhe mediat e saj artikulojnë çdo ditë kundër qeverisë dhe Kryeministrit. Reagimet pozitive, mbështetja dhe vlerësimet e zyrtarëve të institucioneve dhe qeverive të vendeve perëndimore për z. Berisha dhe qeverinë e tij ia kanë lehtësuar shumë punën mazhorancës në këtë prag fushate zgjedhore. Pothuaj çdo ditë udhëheqës të vendeve e forumeve politike perëndimore, të institucioneve ndërkombëtare ekonomike e financiare si dhe mediave prestigjioze “përgënjeshtrojnë” e zhvleftësojnë akuzat dhe qëndrimet e opozitës ndaj arritjeve në radhë të parë të Shqipërisë, por edhe të qeverisë. Pothuaj çdo arritje të qeverisë dhe të vendit opozita është munduar ta minimizojë, denigrojë e zhvleftësojë me akuzat dhe alibi nga më perverset, duke demonstruar një destruktivitet që i ka kaluar shumë herë kufijtë e të bërit politikë prej një opozite normale.

Vizita historike e Presidentit Bush në Shqipëri u mundua të denigrohej nga lajmi i “vjedhjes së orës së tij”, një shpifje e pastër e opozitës politiko-mediatike të Ramës. Anëtarësimi në NATO u cilësua si nevojë gjeopolitike e Aleancës, por u përgënjeshtrua nga Presidenti Obama dhe drejtues të tjerë të Aleancës dhe vendeve anëtare të saj, që e cilësuan këtë arritje të Shqipërisë, pasojë e reformave dhe standardeve të realizuara prej saj. Kështu ndodhi me takimin Berisha – Sarkozy, madje edhe për vizitën e Karamanlis në Tiranë.

Përpjekjet dhe këmbëngulja e qeverisë për të aplikuar për anëtarësimin e vendit në BE përbën ndoshta simptomën më të qartë të asaj që po përjeton opozita në këto momente nga më të suksesshmet në historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Integrimi euroatlantik, përveç vlerave politiko-ekonomike dhe ushtarake, ka edhe një përfitim pragmatik aq të dëshiruar për shqiptarët: lëvizjen e lirë, e thënë ndryshe, heqjen e vizave me BE-në. Politika kundër integrimit e opozitës synon para së gjithash minimin e realizimit të kësaj aspirate të qytetarëve të këtij vendi.

Sa për kujtesë, dua të sjell në vëmendjen e lexuesit mijëra shqiptarë që lanë kockat në telat me gjemba me të cilin paraardhësit politikë e gjenetikë të opozitës së sotme kishin rrethuar vendin, pikërisht për të penguar lëvizjen e lirë të njerëzve. Jam i bindur se po të mundnin, do ta bënin në të njëjtën mënyrë edhe pinjollët e tyre sot. Mirëpo në mungesë të mundësive të paraardhësve mundohen të gjejnë forma më moderne në përpjekje të pastra për të zgjatur sa të jetë e mundur izolimin e qytetarëve të këtij vendi, siç janë përpjekjet e hapura për të sabotuar procesin e integrimit euroatlantik. Kaq të pacipë janë në këtë qëndrim, sa sajojnë e amplifikojnë situata nga më të paimagjinueshmet për të prishur me çdo kusht imazhin e Shqipërisë si të vetmen mundësi në dispozicion të tyre kundër integrimit vendit dhe prosperitetit të qytetarëve të tij. Janë ngritur kundër çdo zhvillimi pozitiv. Kundër investimeve publike, kundër rritjes së rrogave e pensioneve, kundër politikave arsimore etj. Një opozitë si kjo është pa dyshim një fatkeqësi kombëtare. Duhet theksuar se për interesa të ngusha politike e elektorale mazhoranca e z. Berisha ka fat të madh që ka përballë një opozitë si kjo e z. Rama. Një opozitë normale që do të kishte mbështetur qoftë edhe për sy e faqe reformat dhe arritjet e tjera, sidomos në procesin e integrimit, do të kishte të gjithë mundësinë dhe të drejtën sot të ndante efektin elektoral të këtyre sukseseve me pozitën. Mirëpo kjo jona nuk mund ta ketë këtë luks, pasi për qindra arsye ndihet e kërcënuar nga një Shqipëri evropiane e demokratike. Rregullat e shtetit ligjor dhe të drejtat e njeriut që detyrojnë zhvillime si anëtarësimi në BE, kërcënojnë seriozisht individë të rëndësishëm të përfaqësimit politik, publik e administrativ të së majtës shqiptare për shkak të të kaluarave të tyre kriminale. Një Shqipëri e integruar në institucionet euroatlantike detyron rregulla që natyrshëm prishin statuskonë politike, ekonomike e shoqërore të tranzicionit postkomunist. Interesat klanore, familjare e individuale që kanë dominuar e mbajtur peng shoqërinë e shtetit si pjesë e projekteve “katoviciane” janë natyrshëm pjesa më e rrezikuar. Precedentët e vendeve të tjera ish-komuniste janë paralajmërimi më i mirë për Shqipërinë. Shembulli për këtë është procesi i vetëpastrimit që po ndodh në PD. Mirëpo nëse PD-ja e ka mundësinë e përshtatjes me realitetin e ri, PS-ja nuk ka asnjë mundësi ta bëjë këtë, pasi do t’i duhej të deklaronte shkrirjen e saj. Në këto kushte reagimi i saj kundër integrimit lidhet me vetë ekzistencën e saj. Gjithsesi, nuk duket se opozita ka gjasa të dorëzohet, gjë që parashikon një qëndrim dhe regresiv të saj në të ardhmen me gjithë gjasat për të qëndruar edhe katër vjet në opozitë, vendim ky i garantuar tashmë edhe ndërkombëtarisht. Si përfundim, i gjithë ky qëndrim regresiv i opozitës është shprehje e frikës dhe trishtimit të saj përballë realitetit. Qëndresa e dëshpëruar e Ramës dhe të tjerëve në lidershipin e së majtës shqiptare është shenja e qartë e humbjes më shumë se elektorale e tyre, jo aq shumë nga fitorja e garantuar e së djathtës sesa një Shqipëri në NATO dhe BE.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›