E drejta jonë për informim
Shkrirja e “Kohës javore” e paralajmëruar e ishalla shkon në veshë të shurdhër, shuan një zë apo të vetmin zë të shkruar të shqiplexuesve në vendin e “shqiponjave të praruara”.
Ata që janë mësuar me këtë të përjavshme, do të ndihen të hendikepuar, sepse na ka shërbyer si grumbulluese e kujtesës sonë kolektive që nuk lejon të harrohet.
Është folur e nuk kujtohet më, është parë, por kemi parë të tjera gjëra, prandaj edhe i kemi fshirë nga memoria por “Koha javore” ka bashkuar dhe arkivuar të thënat e bëmat në formën e cila nuk lejon të vetëmohohesh apo edhe të autodemantohesh.
Ne që ruajmë me fanatizëm të gjithë numrat e saj, dimë dhe vlerësojmë rëndësinë që pati kjo revistë për gjithë atë periudhë sa ishte dhe vazhdon të jetë në mesin tonë.
Përsëri ne, por tash jo më si lexues, por si pjesë e saj në një formë apo në një tjetër, lajmi për shuarje na ka frikësuar meqenëse “Koha javore” që na trimësoi të shkruajmë dhe mendimet tona t’i themi haptas, po humbet.
Koha ishte muri mbi të cilin lamë gjurmë, muri i vetëdijes sonë, muri ku qanim hallet publikisht, forumi ku u bashkuam, ku u njoftuam, ku nganjëherë edhe u penduam që shkruam për shkak të konsekuencave që patëm.
Pambarimisht me “Kohën” edhe u ndiem më të sigurt dhe për shtrirjen që pati shërben edhe si licenca e shumë mendimeve tona që i hodhëm të parët e më vonë u huazuan nga tjerët.
“Koha” shumëkënd e ka mësuar, e ka pasuruar, e ka demaskuar, përmes saj kemi shprehur vetëdijen tonë qytetare dhe kemi reaguar kur kemi menduar se jemi cenuar.
Ky mur mbi të cilin shkruam, rrezikon të shembet dhe ata që ajo krijoi, pra opinionistët e saj, kanosen që të heshtin së bashku me “Kohën”.
Shpresoj se ajo mendjekeqe e cila për një çast qe hutuar e nuk diti çfarë lajmi të lig po nxjerr nga goja, do të reflektojë dhe do të ndalet e të shohë dëmin të cilin do ta shkaktonte sikur do të rrënonte këtë ledh në informimin shqip, në formën e saj të shkruar.
Sido që të jetë, “Koha javore” duhet të vazhdojë, e drejta jonë për informim duhet të nxirret edhe nga fakti se kemi nevojë që edhe të krijojmë mendimin e qartë dhe analitik për udhën në të cilën shkon dhe duhet shkuar shoqëria jonë shqiptare në Mal të Zi.
Nëse “Koha javore” nuk arsyeton veten financiarisht apo nëse nuk ka leverdi financuesi për të, ai duhet të gjejë mënyra të tjera për vetëqëndrueshmërinë e saj e assesi të propozojë amputimin e saj si revistë.
Nëse vlen mendimi i një individi, për mua shuarja e “Kohës javore” është e barabartë me shuarjen e të drejtës sime që të kem një mjet informimi në formën e shkruar në gjuhën time.
Nëse kjo e drejtë kushtetuese për të drejtat e mia kolektive dhe individuale nuk respektohet, atëherë unë qenkam jetim në tokën e shqiponjave të praruara dhe dikush më indikon se vendi im është në tokën e shqiponjave të zeza.
Unë isha duke pjekur mendimin në kokën time se në Mal të Zi janë formuar kushte për themelimin e revistave të specializuara nga lëmitë e ndryshme në gjuhën shqipe, kur nga qendra vjen lajmi se ekziston mundësia të shuhet edhe kjo e vetmja, e cila ka karakter të gjithanshëm.
Gjithsesi, unë e marr si një provokim, organet e ndryshme shtetërore ngandonjëherë bëjnë edhe atë punë, pra provokojnë dhe kjo është legjitime dhe nuk besoj se nga ky zë do dalë gjë.
“Koha javore” ka ndezur pishtarin, i cili është kod i nderit në trevat tona dhe si i tillë do të mbrohet me tërë forcën intelektuale që kemi.
Sikur të ndodhë e kundërta, me “Kohën” shuhet edhe fjala më e fortë, ajo që i pengon çdokujt që është mik i harresës, ithtarët e shuarjes së saj janë trashëgimtarët e drejtpërdrejtë të kohërave të errëta nga e cila nuk ndahen dot.
“Koha javore” duhet të jetë projekti mbi të cilin duhet punuar të gjithë ne shqiptarët në Mal të Zi apo edhe ne që kemi një interes të veçantë që ajo të mbijetojë dhe i ftoj të gjithë ata që kanë shkruar dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë përmes “Kohës javore” që të bëhet një takim ku do të shqyrtohen mundësitë se si ajo të ketë një grup informal në krah të saj.