E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qyqja unë, shkova me ble edhe kartën!

(Ka filluar të bubërrojë humori parazgjedhor dhe ai antikrizë)
Nga Flamur BËRDËLLIMA
Dy mikesha flasin në telefon me njëra tjetrën:
-Servete, i pe lajmet tek Italia?
-Jo, se po shihja telenovelën.
-Ua mi gocë (goca është mbi 50 vjeç), është shkëputur një copë e madhe akulli nga Arktiku
-E po janë këto problemet e ngrohjes globale.
-Jo mi goce ishte shumë i madh dhe po lundron me shpejtësi drejt jugut.
-E pastaj?
-Ua po janë edhe zgjedhjet, unë jam dhe sekretare e partisë në lagje? Po sikur të mbytemi përpara zgjedhjeve?
(heshtje)
Pastaj nga telefoni tjetër u dëgjua:
-Moj po me gjithë mend e ke ti?
-Qafsha mbesën!
-Çmë gjeti, çmë gjeti, vajta harxhova dhe lekët, bleva kartën e identitetit
-Unë shyqyr ia hodha, se vajta dhe u regjistrova si rome.
(Ky është fragmenti)
Përtej humorit, dëshiroj të theksoj se përballë kaosit që politika po mbjell brenda vetes, njeriu i thjeshtë nuk reagon vetëm me impulsivitetin në radhët e pensioneve, nuk reagon vetëm me acarimin kur i vjen fatura aforfe, nuk reagon me ndjeshmërinë e theksuar aty tek klubi i lagjes, duke diskutuar për Eto-n apo Kaka-n. Me sa duket ka filluar të bubërrojë edhe reagimi me humor. Jemi edhe anëtarë të NATO-s e le ta shohim me qetësi problemin: Kjo zhurmë e llahtarshme për kartat a mund të ishte realisht e shmangshme?
Është njëlloj si të bësh pyetjen: A mund të zhvishen ndonjëherë këta politikanë nga sindroma e pushtetit që i ka kapur prej fyti? Edhe përcjellja mediatike, që i bëhet këtij problemi nga gazetarë apo gazetarucë, nga analistë apo të vetëshpallur të tillë, i ngjan një uragani virtual që ngre përpjetë gjethet e rrëmbyera nga faktet e pjesshme, të cilat shpërndahen nga veriu në jug por që pastaj bien përsëri në tokën e harresës. E kam thënë edhe diku gjetkë se qartas kemi përballë një grusht politikanësh dhe mediaxhinjsh nga njëra anë dhe popullin halle shumë që lufton të plotësojë nevojat e jetës së përditshme. Shkoni ndonjëherë tek tregu i ish uzinës Dinamo. Me mijëra njerëz që shesin e blejnë mes stresit që rriten përditë për të përballuar jetën. Atë që Zoti ua ka dhënë vetëm një herë. Dhe me mijëra të tjerë pjesëtarë të familjeve që në fund të ditës presin kafshatën e bukës. Një prerje e shpejtë e psikologjisë së njerëzve, na rrëfen qartas se nuk jemi më në 92. As në 96. As në 2005 dhe as në 2007. Ka një akselerim të dhimbshëm por pozitiv të psikologjisë së njerëzve drejt bukës së gojës dhe ekzistencës njerëzore thënë hapur fare. Nuk dua tju kujtoj këtu me dhjetëra vetëvrasje të të gjitha moshave nga varfëria. Apo dhjetëra vrasje për çështje pronësie ku shteti ka gisht indirekt me Kakofoninë e ligjeve për të çuar pronën tek i zoti. Kështu që të dashur politikanë të të gjitha krahëve që mbushni sallën me 16 17 vjeçar, të cilët i hiqni me urdhër nga shkolla, (dhe që për ironi nuk do të votojnë), hiqeni nga mendja se përsëri do të keni përballë jush aglomerime njerëzore të sugjestionuara nga lideri në mitingun e radhës. Harrojeni. Njerëzit janë vërtet në një gjendje pritjeje të vëmendshme, për të votuar, po po. Por jo që përsëri të zgjedhin hajdutin e radhës apo maniakun e pushtetit. Edhe këtë harrojeni. Intuita më thotë se do të kemi spektakle pas këtyre zgjedhjeve. Fillimet e tyre lidhen edhe me daljen në skenë të humorit parazgjedhor dhe anti-krizë. Se duhet të jesh shumë naiv për të mos kuptuar se ajo copa e stërmadhe e akullit e dialogut midis dy mikeshave, është me të vërtetë kriza. Por për ta mbyllur me humor, unë qafsha anti-krizën, bashkë me dy shoqet e mija i kemi blerë kartat.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›