Panairi; 400 vende të lira pune në Berat
Tridhjetë e dy biznese dhe 395 vende të lira pune janë prezantuar në Panairin e Punës, organizuar nga Zyra Rajonale e Punësimit, Berat, në ambientet e Shtëpisë së Kulturës së këtij qyteti. I pranishëm në këtë eveniment, ministri Kosta Barka tha se "Ministria e Punës është e angazhuar të hartojë politika dhe programe që i vijnë në ndihmë zhvillimit të tregut të punës në vend, duke mbështetur bizneset, si dhe asistuar punëkërkuesit e papunë që të arrijnë të gjejnë një punë në përputhje me kërkesat e tregut, por edhe aftësitë e tyre profesionale". Panairet e Punës, të cilat këtë vit, për herë të parë po zhvillohen në të gjitha qendrat e qarqeve të vendit, sipas Barkës, janë aktivitete më të mira dhe më efikase, të cilat i vijnë në ndihmë në mënyrë të drejtpërdrejtë punëkërkuesve të papunë. Kryetari i bashkisë, Fadil Nasufi, përshëndeti miratimin nga ana e qeverisë të ligjit të ri për ndihmën ekonomike, që sipas tij, nëpërmjet kushtëzimit të shpërndarjes së kësaj ndihme cash nëpërmjet punëve në komunitet, jo vetëm që krijon mundësi për rritjen e punësimit, por nga ana tjetër, i jep fund parazitizmit. Sipas drejtores së Zyrës Rajonale të Punësimit në Berat, Ilda Sylari, Panairi i Punës i ka zhvendosur zyrat e punës për disa ditë në godinën më të njohur të qytetit, ku intervistimi i punëkërkuesve të papunë nuk bëhet nëpërmjet specialistëve të zyrës së punës, të cilët ndërmjetësojnë me bizneset për sigurimin e vendeve të punës, por direkt me punëdhënësit, të cilët prezantojnë në stendat e panairit vendet e lira të punës. Me qindra beratas të të gjitha moshave po vizitojnë stendat e panairit për t’u njohur me ofertat e prezantuara nga biznesi, në kërkim të një vendi pune që u përshtatet aftësive të tyre profesionale për ata që kanë një profesion, ose në kërkim të një kursi profesional, për ata që janë pa profesion.