E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fan Noli, dhuratë e Zotit për shqiptarët



I Nderuar Hirësi Nikon,

I Nderuar At Liolin,

Të nderuar bashkëkombas,

Është privilegj dhe kënaqësi e madhe për mua, që sot gjendem në mes Jush, në mes të bashkëkombësve të mi, për të kremtuar së bashku 100-vjetorin e Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë, të këtij institucioni monument për kujtesën tonë, në të cilën Imzot Noli meshoi në shqip për herë të parë për shqiptarët dhe me të drejtë, Konica i madh e quan këtë ngjarje, pikë kthese të historisë sonë.

Duke kremtuar këtë përvjetor të njëqindtë, bashkë me të kujtojmë sakrificat e themeluesit të këtij tempulli për shqiptarët, Fan Nolit, i cili për një shekull i bashkoi, u ndriçoi rrugën e jetës, u dha shpresë në çastet e dëshpërimit, u dha dashuri e harmoni mes njëri-tjetrit, u mësoi se si të pendohen, të falin dhe të ndihmojnë njëri-tjetrin. Këtë mund ta bënte vetëm një njeri me përmasa të mëdha shpirtërore, patriotike e kulturore.

Shqiptarët qenë fatlum, që në një kohë të vështirë në vitin 1908, Zoti u dërgoi si dhuratë Nolin për t’i bashkuar, organizuar dhe orientuar në rrugën drejt zhvillimit e integrimit në shtetin amerikan, por duke ruajtur gjallë vlerat dhe kulturën e kombit të tyre.

Për Imzot Nolin ndiejnë të njëjtën dashuri e respekt si ortodoksët, si myslimanët dhe katolikët, pasi ai i deshi të gjithë me të njëjtën dashuri dhe përkushtim, pa i dalluar nga feja e besimi. Rrënjët e harmonisë fetare janë mbrujtur pandarë në veprat e tij, duke kultivuar respektin e dashurinë për njëri-tjetrin dhe këto janë themelet, mbi të cilat qëndron bashkëjetesa jonë në paqe.

Tradicionalisht, të gjitha besimet ndër shqiptarë: myslimanë, ortodoksë e katolikë, kanë pasur dhe propaganduar si qëllim kryesor bashkëjetesën mes tyre, respektin për njëri-tjetrin, duke u mbështetur në parimin “barazisht të rëndësishëm dhe barazisht të ligjshëm”. Në këtë mënyrë shqiptarët trashëguan dhe ruajtën ndër breza këtë pasuri të madhe, në sajë të së cilës jetojnë në paqe e harmoni me njëri-tjetrin.

Të edukuar me këto tradita, shqiptarët e Amerikës nuk kursyen asgjë nga pasuria e tyre, nga sakrificat dhe jeta e tyre, kur nevoja thërriste për kauzën shqiptare. Ne i njohim kontributet e diasporës për të mbështetur hallet e Shqipërisë përgjatë një shekulli, që nga koha e Pavarësisë e deri në ditët e sotme.

Lobingjet e fuqishme të diasporës, bënë të mundur që zëri i Kosovës të dëgjohej pastër në Kongresin Amerikan dhe në Departamentin e Shtetit dhe për ta çuar atë zë kaq të fuqishëm deri në ato nivele, ne e dimë që Ju keni sakrifikuar shumë. Por le t’i jemi mirënjohës Zotit, që sakrificat tuaja dhe të të gjithë shqiptarëve së bashku, nuk shkuan dëm, sepse sot kemi një Kosovë shtet të pavarur, e cila po ecën në rrugën e konsolidimit dhe kemi një Shqipëri që gjithnjë e më shumë po i afrohet hyrjes në Evropë. Shqipëria dhe Kosova janë krenare, që bijtë e tyre janë të suksesshëm në diasporë, kanë ditur të integrohen fuqishëm në jetën ekonomike e sociale të Amerikës, janë integruar si qytetarë të devotshëm e të kulturuar duke asimiluar vlerat demokratike, që ky vend përfaqëson.

Para tri ditësh isha me Presidentin e Kosovës, Sejdiu, në OKB, ku që të dy mbrojtëm krijimin e shtetit të ri e të pavarur të Kosovës, si një vend multietnik që respekton të gjitha të drejtat e minoriteteve. Shqipëria, Kosova dhe mbarë kombi shqiptar u janë mirënjohës Shteteve të Bashkuara dhe popullit amerikan për të gjitha ato që kanë bërë. Presidenti Sejdiu më kërkoi t’ju përcillja urimet dhe përshëndetjet më të përzemërta në këtë përvjetor të shënuar.

Shqipëria është pranë jush dhe unë, si President i Republikës, kam ndjeshmërinë dhe vëmendjen e madhe, që raportet me diasporën, kudo që ajo ndodhet, të jenë shpirtërore, intensive e të vazhdueshme, në mënyrë që të gjithë shqiptarët në çdo çast të ndihen si në atdheun e tyre të shenjtë.

Fjala e Presidentit Topi në 100-vjetorin e krijimit të Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›