E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi i Ballkanit jokomplet pa Kosovën

E ardhmja e Kosovës është në Bashkimin Evropian, ka thënë kryeministri i Belgjikës, Yves Leterme, gjatë një vizite në Prishtinë.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes me kryeministrin Hashim Thaçi, për mbrojtjen e kompanive belge që investojnë në Kosovë, kryeministri belg ka shprehur zotimin e vendit të tij për ta ndihmuar Kosovën në këtë rrugë.

Ai ka theksuar se integrimi evropian i Kosovës është shumë i rëndësishëm dhe se BE-ja duhet ta bisedojë këtë rast historik për të sjellë stabilitet në rajonin e Ballkanit.

“Integrimi i Ballkanit Perëndimor nuk do të kompletohet pa Kosovën. Prandaj dua t’iu them qytetarëve të Kosovës, edhe pse ata mund të mendojnë se është një rrugë e gjatë për të arritur standardet evropiane dhe për t’u integruar në Bashkimin Evropian, të jenë të sigurt se BE-ja plotësisht mbështet objektivat e anëtarësimit të ardhshëm dhe integrimet të Kosovës në Bashkimin Evropian”, ka thënë kryeministri i Belgjikës, transmeton KosovaPress.

Leterme ka rikujtuar theksuar se Belgjika ishte ndër shtetet e para që e njohu Kosovën si shtet të pavarur. Me këtë rast, ai inkurajoi shtetet që nuk e kanë njohur ende realitetin e ri të krijuar pas 17 shkurtit 2008, që ta bëjnë këtë.

Nga ana e tij, kryeministri Hashim Thaçi falënderoi Belgjikën për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën. Pas nënshkrimit të marrëveshjes për mbrojtjen e investimeve, Thaçi theksoi se në Kosovë është krijuar klimë e mirë për investime dhe biznes.

“Në këtë drejtim edhe investitorët nga Belgjika janë shumë të mirëseardhur, sepse është krijuar klimë e mirë për investime, për biznesin por edhe mundësi të reja të gjithanshme”, u shpreh ai.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›