Integrimi i Kosovës, i lidhur ngushtë me veriun dhe dialogun
Procesi i integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian do të lidhet ngushtë me vendimin që Kosova do të ketë në dialogun politik dhe mbi të gjitha për veriun. Zyrtarë ndërkombëtarë kanë thënë për mediat kosovare se vendimet Komisioni Evropian do t`i rekomandojë me anë të raportit të studimit të fizibilitetit, ndërsa gjithcka do të vendoset nga Këshilli i BE-së në dhjetor.
Sipas burimeve, Bashkimi Evropian pritet që t`i japë Kosovës pak shpërblim në tetor kur të dalë Raporti i studimit të fizibilitetit.
Komisioni Europian, sipas mediave kosovare pritet të konstatojë se Kosova i ka arritur kriteret që të hyjë në marrëdhënie me Bashkimin Europian dhe të përfitojë nga marrëveshja e Stabilizim Asociimit.
Megjithatë, zbatimi në praktikë i këtij rekomandimi do të varet nga vota e ministrave të 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, në dhjetor.
Qeveria kosovare në ditët e fundit po punon për formimin e një grupi uniteti për të hyrë në bisedime me Beogradin, ndërsa dialogu politik duket shumë pranë.