Integrimi i Serbisë, Daçiç: Brukseli nuk na kushtëzon me Kosovën

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç, deklaroi sot në Bruksel se bisedimet e tij me zyrtarët evropianë kishin porosi të qartë se dyert e Bashkimit Evropian janë të hapura për Serbinë dhe se asnjë përfaqësues i BE-së nuk ka thënë se kusht për anëtarësim është Kosova.
Më tej, në një konferencë për gazetarët ai theksoi se Serbia, nëse dëshiron të fitojë datën e fillimit të negociatave, duhet të plotësojë atë që është definuar në vendimin e Këshillit të Evropës, në dhjetor të vitit të kaluar.
Sipas tij, kjo nënkupton reforma të brendshme në Serbi dhe përparim të dukshëm dhe të qëndrueshëm në raportet Beograd-Prishtinë, kur është fjala për realizimin e marrëveshjeve, që tashmë janë arritur dhe në përpjekje për arritje të marrëveshjeve në çështjet e tjera teknike.
“Kam thënë se Serbia nuk do të ndryshoj vendimin e vet dhe se nuk do ta pranojë shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës, por nga ana tjetër Serbia është e gatshme për dialog”, tha Daçiç.