E Hënë, 2 Nëntor 2026

Integrimi i Shqipërisë dhe bilbilat e parlamentit

Prej një kohe të gjatë vendnumëro, me siglimin e marrëveshjes stabilizim asocimit, Shqipëria hodhi një hap para në rrugën e gjatë, atë të antarësimit në BE. Pa humbur kohë përfaqësuesit e dy krahëve, të majtë e të djathtë, nxituan për të zënë radhën para mikrofonave të mediave për t'i thënë popullit se kujt i takojnë lëvdatat më të shumta për siglimin e kësaj marrëveshjeje. Në fjalimin që mbajti në parlament presidenti i komisionit Evropian Barroto, u kujtoi parlamentarëve që Shqipëria ka shumë detyra për të bërë, duke vënë theksin në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar, administratë të ndershme, sistem gjyqësor të drejtë etj. Një theks të vçantë presidenti Barroti vuri mbi bashkëpunimin pozitë-opozitë duke i kujtuar dy palëve se integrimi është një çështje kombëtare dhe jo partiake: shprehje kjo që si duket politikanët tanë e kanë të vështirë ta konceptojnë në krahasim më punët dhë hallet e tjera që kanë.

Mirëpo, sikur të ishte thënë e kundërta, në vend që t'i përvisheshin punëve për hapin e radhës, zgjodhën rrugën e shkurtër, atë të dhunës. Mëse një javë që parlamenti ynë është kthyer në një klasë fillorje pa mësues. Para se të ulen për të vazhduar seancën ngrihen, këpusin fishet e kompjuterave, shajnë, ofendojnë, akuzojnë njeri-tjetrin. Kujt si mjafton zëri përdor bilbilë, bori etj. Shkurt, çdo gjë që s'duhet të bëjë një fëmijë adoleshent e bëjnë deputetët e Shqipërisë.
Kujt shqiptari i intereson votimi i Jozefina Topallit me elektronikë apo kuti, para problemeve dhe halleve që kanë? Ç'lëvdata mund t'i bëjnë parlamentarëve tanë 40 përqind e popullsisë së papunë, fshatarët e përmbytur nga shirat e ditëve të fundit, kur shikojnë se me se e harxhojnë kohën e mandatit tyre. Po biznesi i vogël dhe ai i madh që presin realizimin e premtimeve dhënë gjatë fushatës elektorale për sigurimin e një tregu të lirë, për të gjithë njësoj, pa monopole. Sa i shërben ky konflikt reformave që duhen bërë dhe kryerjes së detyrave të ngarkuara për marrëveshjen e stabilizim asocimit që pritet të nënshkruhet në këtë pranverë?

Në vend të bashkëpunimit dhe gjetjes së gjuhës së përbashkët për një çështje për të cilën aspirojmë prej 16 vjet demokracie, çdo ditë e më shumë thellohet hendeku mes dy blloqeve, sikur të ishin ideologji të kundërta, të cilët ngurtësohen gjithnjë e më shumë në të tyrën. Pa u lodhur të kuptohen dhe të pranohet mendimi ndryshe, mazhoranca vazhdon ne atë të vetën, bën ligje, miratime, shkarkime, përjashtime, sikur të ishin tulla nga ndonjë fabrike ku zhurmën e makinerive të amortizuara e të prishura, e bën opozita.

Po të fajësosh të djathtën të kujtohet e majta gjatë tetë vjet qeverisjeje, po të fajësosh të majtën të kujtohet e djathta që është në qeverisje, e cila duhet të zgjidhë situatën. Shqipëria laj e thaj dy parti ka. Partitë e tjera të vogla janë pjella të padëshirueshme të dy të mëdha dhe s'kanë aftësinë dhe karizmën e mjaftueshme për të joshur elektoratin gjatë zgjedhjeve. Kështu që nuk ngelet kush tjetër fajtor për këtë klimë të ndotur politike prej vitesh demokracie në vend, përvç se ai ose ajo që ka zgjedhur të përfaqësojë interesat e veta nëpërmjet simboleve të bilbilave dhe borive, indiferencës dhe arrogancës. Një fjalë e urtë thotë: Si te jeni ashtu qeveriseni. Ǭ të jetë cilësia e qytetarit ashtu do të jetë dhe i atyre që ka në krye. Ashtu siç shkencat ekzakte fizika, kimia, matematika etj, edhe shoqëria ka parime të pa ndryshueshme. Nëse populli i hap udhë ngatëresave dhe ngatërestarëve pikërisht këta tipa do të administrojë. Masa popullore është ajo që do tju japë trajtë administratorëve. Individi është ai që i jep trajtë shoqërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›