E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shqiptarët që udhëhoqën Irakun

Që në kohë të hershme shqiptarët kanë qenë protagonistë të një dëshire për t'i shërbyer ushtarakisht një fuqie të madhe, siç ka qenë ajo romake, bizantine dhe më pas ajo Osmane. Padyshim, nga historia e afërt, dalin në pah shqiptarët që shërbyen në hapsirat e mëdha të Perandorisë Osmane, nisur që nga Bosnja e Krime e deri në Egjipt, Arabi dhe Lindje të Mesme. Një nga komandantët më të suksesshëm në Irak, quhej AHMET PASHE DUKAGJINI. Letërsia arabe përshkruan gjërë e gjatë se si Dukagjini, i bërë mysliman, i drejtoi trupat osmane drejt fitores në Çalldiran në 1514. Fitorja ishte e rëndësishme. Aventura e shqiptarëve në troje të Irakut kishte nisur mirë. Nga 1544 deri në 1548 në krye të Irakut ishte shqiptari AJAZ PASHA. Sikurse ndodh shpesh për gjithë të mëdhenjtë pavarësisht nga koha, Ajaz Pashës i janë kushtuar shumë poezi, ku sigurisht ai rrëfehet si njeri tejet bujar. Vite më vonë, Porta e Lartë dërgoi në Bagdad një tjetër shqiptar, NASUH PASHEN. Si shumë shqiptarë të tjerë, ai u bë Vezir i Madh, pasi qe martuar më parë me njërën prej vajzave të Sulltanit. Historianët arabë ende i përmendin bëmat e disa komandantëve shqiptarë në vitet që pasuan. Në 1626 Tikriti, vendi i origjinës së Sadam Hyseinit, ishte ende në duart e persëve, të cilët e kishin pushtuar disa vjet më parë. Një shqiptar, OMER PASHA, luftoi në krye të një grushti njerëzish me një ushtri shumë herë më të madhe. Ca vjet më vonë historia përsëritet. Ishte Ahmet KUÇUK PASHA, edhe ky shqiptar, që komandon trupat osmane në betejat rreth Tikritit. ABDURRAHMAN PASHA edhe ky shqiptar ka qenë vali i Bagdadit. Abdurrahmani tregohet si një njeri i drejtë. Ai arriti të sjellë normalizimin e tregut në këtë vend. Në historinë e Irakut shqiptari me emrin Abdurrahman mbahet mend edhe për dashamirësinë e tij ndaj poetëve dhe artistëve të tjerë. Shqiptarët e kishin fort për zemër Irakun, madje aq për zemër saqë të arrijnë të themelojmë një dinasti shqiptare në krye të Bagdadit. I pari i kësaj dinastie shqiptare në zemër të Arabisë ishte dibrani HASAN PASHA, i cili nisi punë në këto anë në 1704. Hasani e nisi punën duke emëruarar djemtë e tij ndër provinca, duke kërkuar kështu bashkimin e njësive të coptuara irakene në një vilajet të vetëm. Më pas, duke u mbështetur në një ushtri të re krejt të reformuar, Hasan Pasha nga qëndrimi në mbrojtje ndaj iranianëve, i hyri detyrës së vështrië që të sulmonte. Nuk arriti ndonjë sukses të madh, megjithëqë kishte arritur të depërtonte në Iran. U varros me nderime të mëdha në Bagdad në vitin 1724. Thonë se në kryeqytetin iraken emrin e tij e mbajnë xhami dhe disa lagje. Vendin e Hasan Pashës e trashëgoi i biri, AHMET PASHA, një i ri ambicioz, i cili e kishte ndarë mendjen të vazhdonte udhën e të atit. Ahmeti vazhdoi të sundonte deri aty afër fundit të shekullit XVIII. Pas kësaj dinastia shqiptare në Bagdad u përfshi nga një stuhi rëre, gjatë së cilës emrat e sundimtarëve vazhduan të zëvendësohen me ritme të shpejta. Duhej të kalonin disa vite të trazuara derisa shqiptarët të shfaqeshin përsëri në krye të Irakut. SYRI PASHA, vali nga 1899 - 1890, ka hyrë në historinë e Irakut si ndërtuesi i një dige të rëndësishme dhe si mbrojtës i madh i poetëve. Sipas historianëve vendas Syriu futi në veprim edhe një ide tjetër, atë të ndihmës shoqërore per të varfërit dhe vejushat. Syriu u dha udhë një veprimtarie me tradita në lëmin e poezisë. I fundmi i dinastisë shqiptare në Bagdad ka qenë ABDULVEHAB PASHA, që qëndroi në rolin e valiut vetëm një vit. Për të dihen pak gjëra, nëse përjashtojmë ndonjë poezi të oborrit të shkruara me zell për të.

*Master në Sociologji-Filozofi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›