E Diel, 1 Nëntor 2026

Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor, prioritet i Çekisë

Autori i Lajmit: red.
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, priti në takim ambasadoren e Republikës së Çekisë në Tiranë, Marketa Fialkova, e cila i prezantoi axhendën e prioriteteve të Presidencës së radhës të BE-së nga Republika Çeke, për periudhën 1 janar-30 qershor 2009. Ambasadorja e Republikës Çeke tha se në gjashtëmujorin e presidencës së saj të BE-së, Çekia do të ketë ndër prioritetet e veçanta, vendet e Ballkanit Perëndimor dhe perspektivën e tyre evropiane. “Çekia mbështet plotësisht politikën e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Ne do të vijojmë të përkrahim Shqipërinë në hapat e mëtejshëm në procesin e integrimit”, - tha Fialkova. Ndërsa Kryetarja e Kuvendit pohoi se vende si Çekia e kuptojnë shumë mirë historinë e vështirë të vendit tonë dhe aspiratën për integrim në familjen evropiane, pjesë e së cilës ne ndihemi. Kryetarja e Kuvendit shprehu bindjen se Presidenca çeke e BE-së, do të jetë shumë e rëndësishme për vendet e Ballkanit Perëndimor. Biseda më tej u ndal në çështjen e liberalizimit të vizave, por edhe në bashkëpunimin e mëtejshëm, jo vetëm në kuadër të BE-së, por edhe në marrëdhëniet dypalëshe.
Ky lajm është publikuar: 14/01/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›