Integrimi, interes jetik për të gjithë shqiptarët
Sot, u zhvillua, nën drejtimin e Kryeministrit Berisha, mbledhja e Komitetit Ndërministror për Integrimin në NATO.
Duke vlerësuar procesin e integrimit në NATO, si projektin më madhor kombëtar për një të ardhme të sigurtë të Shqipërisë, Kryeministri Berisha theksoi se integrimi është një interes jetik për qytetarët shqiptarë dhe vendin në tërësi.
Kryeministri nënvizoi se nuk është e rastësishme që 94 për qind e qytetarëve shqiptarë mbështesin integrimin e vendit në NATO, si një proçes i domosdoshëm për garantimin e sigurisë kombëtare dhe asaj individuale.
Duke vlerësuar mesazhin e Samitit të Rigës, si një mesazh jashtëzakonisht inkurajues për Shqipërinë, Kryeministri u shpreh se ky mesazh buron nga vlerësimi që SHBA-të dhe vendet anëtare të NATO-s i kanë bërë arritjeve të qeverisë shqiptare, në kuadrin e Planit për Anëtarësim dhe zbatimit me seriozitet të këtij plani, në përputhje të plotë me dëshirën e qytetarëve të vendit për tu anëtarësuar në NATO. Në këtë kuadër, theksoi Kryeministri, vizita historike e shumëpritur e Presidentit amerikan Xhorxh W Bush, në vendin tonë, shënon një rikonfirmim të marrëdhënieve të shkëlqyera midis Shqipërisë dhe aleatit të saj strategjik SHBA-ve, por edhe një inkurajim për ta afruar vendin në NATO, nëpërmjet arritjes së standardeve të domosdoshme për anëtarësim.
Kryeministri u shpreh se arritjet dhe sukseset e qeverisë shqiptare në drejtime të rëndësishme si lufta kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve ilegale, lufta kundër korrupsionit, si dhe arritjet e padiskutueshme në zhvillimin ekonomik të vendit, kanë patur dhe kanë një vlerësim të qartë ndërkombëtar. Gjithashtu, Kryeministri nënvizoi se ky vlerësim është dëshmi e qartë e faktit se politika e jashtme e Shqipërisë është politika e paqes, stabilitetit dhe fqinjësisë së mire dhe se bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm për integrimin e Shqipërisë dhe të vendit në NATO dhe në BE.
Ndër të tjera, në fjalën e tij, Kryeministri u shpreh:
"Mbledhja e sotme e Komitetit Nderministror për Integrimin në NATO ka si çështje kryesore analizën paraprake të arritjeve dhe të problematikës që mbetet për tu realizuar në kuadrin e ciklit të 8-të të Planit për Anëtarësim në NATO, si dhe të diskutojë një plan të ri masash nxitëse dhe promovuese afatshkurtra dhe afatmesme, në mbështetje të zbatimit të planit të veprimit për anëtarësim, i cili synon përshpejtimin e përgatitjes sonë, si dhe paraqitjen sa më të përshtatshme dhe dinjitoze të të gjitha arritjeve tona në Samitin e Bukureshtit.
Integrimi në NATO, aleancën më të shkëlqyer ushtarake dhe politike të kohërave, është dhe mbetet projekti më madhor kombëtar për të ardhmen më të sigurtë të Shqipërisë. Ky projekt ka në bazë vlerat që qytetarët dhe kombi shqiptar ndan me popujt e vendeve anëtare të NATO-s, vokacionin perëndimor, liritë individuale, shtetin ligjor, demokracinë e bazuar në vlerat e tregut.
Mesazhi që Shqipëria, së bashku me dy vendet e tjera të Kartës së Adriatikut 3, mori nga Riga, si një kandidat i mundshëm për të marrë ftesën e antërësimit në Samitin e ardhshëm, në të cilën vendoset për zgjerimin e NATO-s, ishte një mesazh jashtëzakonisht inkurajues. Ky mesazh pa diskutim buron nga arritjet dhe nga vlerësimi që SHBA -të, vendet anëtare të NATO-s, selia e saj në Bruksel, i kanë bërë arritjeve të Shqipërisë në kuadrin e Planit për Anëtaresim, zbatimit me seriozitet të këtij plani, çfarë ka dëshmuar se qeveria shqiptare punon me seriozitet të madh dhe është në përputhje të plotë me dëshirën e qytetarëve të saj për tu anëtarësuar në NATO. Shqiptarët janë kombi me mbështetjen më të lartë në Evropë dhe më gjerë për anëtarësimin në këtë organizatë. Në këtë kuadër, vizita e Presidentit Xhorxh Bush në Shqipëri, vizita e parë e një presidenti amerikan në vendin tonë, vizitë historike, e shumëpritur dhe e mirëpritur nga mbarë kombi shqiptar, shënon një rikonfirmim të marrëdhënieve të shkëlqyera midis Shqipërisë dhe aleatit të saj strategjik SHBA-ve. Kjo vizitë shënon gjithashtu një inkurajim të madh që këtë mbështetje ta shndërrojmë në rezultatte konkrete të Planit të Veprimit, për ta afruar vendin në NATO, nëpërmjet arritjes së standarteve, normave dhe kritereve që janë të domosdoshme për anëtarësim.
Qeveria dhe agjencitë e saj, së bashku me ministritë janë të obliguara që, në përputhje me vullnetin e qytetarëve shqiptarë dhe dëshirën e tyre të fuqishme për anëtarësim në NATO, me mbështetjen e madhe që kemi në këtë aspekt nga SHBA-të, vendi lider i Alenacës dhe vende të tjera aleate, të gjithë veprimtarinë e tyre ta modelojnë dhe ta përshtasin në mënyrë të tillë që cikli i 8-të i Planit të Veprimit për Anëtarësim të zbatohet me përpikmëri të madhe. Në seriozitetin e zbatimit të këtij plani varet më shumë se në çdo gjë tjetër qëndrimi që do të marrin vendet aleatë ne Samitin e Bukureshtit, për ftesën për anëtarësim ndaj Shqipërisë dhe si në Samitin e Rigës, por edhe në të gjitha kontaktet e tjera është bërë e qartë se ftesa përcaktohet nga arritjet, realizimet, performanca individuale e sicilit nga tre vendet e Kartës Adriatik 3.
Në këtë hark kohor, nga cikli i 7-të në ciklin e 8-të, janë shënuar rezultate të prekshme dhe të rëndësishme. Arritje të mëdha janë shënuar në fushën e mbrojtjes dhe reformën e Forcave të Armatosura, reformë e cila duhet të shkojë drejt konsolidimit të mëtejshëm dhe modelimit përfundimtar të forcave tona në një ushtri tërësisht profesionale, të vogël në numër, në përmasat e nevojave të vendit, por të stërvitur shumë mirë dhe të aftë për të përballuar të gjitha detyrat që do ti dalin në kuadrin e veprimeve të Aleancës.
Arritje shumë të rëndësishme dhe të padiskutueshme janë arritjet në treguesit ekonomik dhe financiar. Shqipëria në rrafshin makroekonomik ka tregues të krahasueshëm me disa nga vendet më stabël të BE-së. Tregues të tillë si niveli i inflacionit, deficiti buxhetor dhe rritja ekonomike janë identike me të Finlandës, çka do të thotë se ne duhet të përpiqemi ti konsolidojmë dhe natyrisht dhe të thellojmë më tej rritjen ekonomike, që në fakt këtë vit do të jetë 6 për qind, duke ecur në mënyrë të sigurtë drejt përqindjeve më të larta. Janë këto tregues dhe performancë ekonomike që na mundësuan që ta avancojmë, nga viti 2010 në vitin 2008, vendimin për rritjen e buxhetit për reformat në ushtri në 2 për qind të GDP-së dhe të plotësojmë një nga kërkesat më kryesore të NATO-s për anëtarësim.
Sukseset janë të prekshme dhe të ndjeshme në luftën kundër krimit të organizuar. Klanet e rrezikshme të mafies shqiptare, bosët dhe armëtarët e tyre janë vendosur para ligjit. Zero tolerance, do të jetë motoja jonë. Shumë shpejt, me nje formë të re riorganizimi, do të ndërrmerret një betejë ndaj krimit ekonomik dhe unë kam shumë besim në suksesin e saj.
Sukseset janë të dukshme në parandalimin e trafiqeve. Ligji për moratoriumin e skafeve, së bashku me përsosjen e punës së organeve të rendit dhe Shërbimit Informativ Shtetëror, si dhe agjencive të tjera të zbatimit të ligjit ka patur rezultate shumë të mira. Intensiteti i goditjes së grupeve të trafikut në Shqipëri është më i lartë se kurrë, në sajë të bashkëpunimit të agjencive të zbatimit të ligjit në Shqipëri me agjencitë e vendeve rajonale. Trafikantët nuk e kanë patur asnjëherë më të ngushtë hapësirën e veprimit sesa sot dhe çdo ditë e më shumë kjo hapësirë do të ngushtohet. Këto përpjekje kanë pasur dhe kanë një vlerësim të qartë ndërkombëtar.
Lufta kundër korrupsionit ka shënuar gjithashtu rezultate të mëdha. Gjithashtu në luftën kundër kontrabandës dhe evazionit u arrit të dërgohet në qershor një buxhet i dytë. Ky vit shënon suksese të mëdha në procesin e prokurimeve. Është përmirësuar në mënyrë cilësore shpallja në internet e dokumenteve për të gjithë tenderat në shkallë vendi. Është parandaluar një prej veprimeve më arbitrare të njësive të prokurimit të administratës, siç ishte mosdorëzimi i dokumenteve. Sot, gjatë një bisede me Drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Prokurimeve, më raportoi se ankesat për mosdhënien e dokumentave, të cilat përbënin 30 për qind të ankesave vitin e kaluar, tani kanë zbritur në zero. Dy të tretat e kompanive që marrin pjesë në tendera nuk i tërheqin më ato nga zyrat e prokurimit, por ne mënyrë të drejtëpërdrejtë në internet. Sot, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve informoi për vendosjen e të njëjtës praktikë në sistemin tatimor. Taksapaguesit nuk kanë më nevojë të rendin apo të rrinë me orë të tëra në zyrat e tatimeve apo të plotësojnë formularë në marrëveshje me agjentin tatimor. Tani mund ti tërheqin formularët nga interneti, ti plotësojnë vetë dhe ti dorëzojnë në sportelet e bankave. Sistemi integrues tatimor do të funksionojë shumë shpejt në mbarë vendin.Çdo gjë do të vendoset on-line dhe në këtë mënyrë, jo vetëm arbitrariteti njerëzor zvogëlohet në mënyrë të ndjeshme, por shmangen gjithashtu në mënyrë të ndjeshme bilancet e dyfishta. Lufta kundër kësaj sëmundjeje do të jetë e vazhdueshme. Të gjitha procedurat janë shqyrtuar dhe po shqyrtohen në raport me fenomenin korrupsion. Shqipëria dëshmon qartë se ky fenomen mund të luftohet me eficencë të padiskutueshme.
Në Aleancën e Atlantikut të Veriut vendet anëtare kanë një vlerësim të veçantë për qeverinë e Shqipërisë. Në rajon, politika e saj e jashtme është politikë paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi me fqinjët. Është një politikë e cila beson se e ardhmja duhet të ndërtohet mbi bashkëpunimin, miqësinë me fqinjët dhe se bashkëpunimi rajonal është i domosdoshëm për integrimin e Shqipërisë dhe të vendit në NATO dhe në BE.
Nuk mund të ketë asnjë mëdyshje se zgjidhja e problemit të Kosovës dhe statusit final të saj përbën një çështje madhore kombëtare, një çështje të dorës së parë, por konstatoj me kënaqësi se ka një sintoni të plotë qëndrimesh midis faktorëve madhorë që janë përcaktues më shumë se kushdo tjetër, Washingtonit, Londrës, Parisit, Berlinit, Tiranës dhe Prishtinës, pra në projektin për Kosovën ne mbështesim paketën e Presidentit Ahtisari, mbështesim pa mëdyshje pavarësinë e Kosovës në pëputhje me vullnetin e qytetarëve të saj.
Shqipëria jep një kontribut brenda të gjitha mundësive të saj në të gjitha misionet paqeruajtëse dhe luftarake të NATO-s. Ne jemi të vendosur të zgjerojmë pjesëmarrjen tonë në Afganistan. Ne mbetemi të vendosur të jemi të pranishëm aty ku është Aleanca e Atlantikut të Veriut. Vetëm pak ditë më parë u zhvillua me sukses në Durrës takimi i Këshillit të Partneritettit Euro-Atlantik. Në këtë sesion morën pjesë 48 vende anëtare dhe partnere të NATO-s. Ishte një nga aktivitetet më të rëndësihme dhe më të plota të NATO-s që është zhvilluar në Shqipëri.
Qeveria mbetet thellësisht e angazhuar për promovimin e reformës në sistemin gjyqësor. Ligji për sistemin gjyqësor ndodhet në parlament. Shpresoj që opozita, si xhest të dëshmisë dhe kontributit që ajo ka dhënë pa diskutim gjatë periudhës që ka qenë në qeveri për progresin drejt NATO-s, por edhe të respektimit të platformës së saj për integrim dhe interesave kombëtare, ta votojë këtë ligj, që është përgatitur me ekspertizën më të mirë.
Në 24 maj, do të prezantoj në Këshillin e Atlantikut të Veriut në Bruksel të gjitha përpjekjet që kemi bërë për të arritur standardet dhe kriteret për anëtarësim në NATO. Do ti informoj vendet anëtare për vendimin tonë për ti përshpejtuar të gjitha aktet, vendimet dhe masat, të cilat presin për tu marrë në mënyrë që Plani i Veprimit për Anëtarësim , cikli 8 i tij, të zbatohet plotësisht dhe tërësisht.
Por Aleanca e Atlalantikut të Veriut është para së gjithash Aleancë politike. Në këtë kontekst, ka rëndësi të jashtëzakonshme që Shqipëria të dëshmojë para qytetarëve shqiptare dhe vendeve anëtare se ajo është një demokraci që funksionon, pa pretenduar që të jetë e përsosur, por që funksionon dhe synon përmirësimin e standarteve të saj dhe konsolidimin gjithnjë e më shumë të institucioneve të saj. Ka rëndësi që në mekanizmin parlamentar të mund të kalojmë të gjitha ligjet, nga ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe të gjitha ligjet e tjera, të cilat e bëjnë vendin plotësisht të përshtatshëm për anërtarësim në NATO. Do të ishte shumë e rëndësishme që të gjitha ligjet që kanë të bëjnë me sigurinë kombëtare, ligjet që kanë të bëjnë me funksionimin e institucioneve të kenë përparësi të madhe në parlament dhe është pikërisht ajo që presin partnerët tanë.
Në këtë kuadër, diplomacia shqiptare duhet të bëjë çdo përpjekje për të paraqitur para të gjitha vendeve anëtare tablonë reale të arritjeve të reformave, të përpjekjeve tona dhe të synimeve tona.Çështja e krimit të organizuar është çështje shqetësuese për vendet aleate dhe partnere të NATO-s. Në të gjitha raportet e tyre është njohur, vlerësuar dhe çmuar suksesi i kësaj qeverie në luftën kundër tij. Por a ka patur kjo luftë dimensionet më të thella që duhet të ketë? Kjo nuk mund të pretendohet, meqënëse qindra e qindra dosje flenë në sirtaret e institucionit të akuzës, përderisa elementë, të kapur nga klanet e mafies më të rrezikshme, vazhdojnë të mbajnë pozicioine kyçe në institucionet e vendit. Ndaj dhe nuk mund të ngushëllohemi në asnjë rrethanë. Qeveria dhe agjencitë e zbatimit të ligjit po funksionojnë dhe Shqipëria shihet si një dhe e tërë, Shqipëria vlerësohet dhe eshtë normale të vlerësohet si një dhe e tërë. Ndaj dhe do të bëja thirrje që çështja e integrimit të shihet si çështje komplekse, ku çdo qytetar mund të japë dhe duhet të japë kontributin e tij.
Integrimi është interes jetik për qytetarët shqiptarë dhe vendin në tërësi. Interesa të paligjshme të individëve apo grupeve të caktuara, në cilëndo sferë të jetë, asnjëherë nuk mundet që të pengojnë këtë process.
Dua të theksoj edhe njëherë, ne kemi një dëshirë të zjarrtë të qytetarëve shqiptarë për tu integruar në NATO dhe kjo nuk është diçka artificiale. Kjo dëshirë buron nga thellësia e qënies së tyre, si komb që i ka ende të freskëta vuajtjet e mëdha për shkak të sigurisë kombëtare dhe të sigurisë individuale. Qytetarët shqiptarë kanë shumë të drejtë që 94 për qind e tyre mbështesin anëtarësimin ë NATO, sepse ata kërkojnë sigurinë në rradhë të parë dhe e shohin NATO-n si institucionin dhe Aleancën e sigurisë së tyre më të madhe.
Dua të përfundoj, duke theksuar se ky vit për qeverinë shqiptare konsiderohet viti i NATO-s. Cikli i 9-të shtesë do të jetë axhenda jonë e përditshme e punës. Ne do të mund të sigurojmë ftesën. Do të ishte iluzive në rast se mendojmë se e kemi të sigurtë, ne do mund ta sigurojmë atë veçse me përkushtim maksimal ndaj Planit të Veprimit. Unë kam besim se këtë shans të madh nuk do ta humbasim, por do ta shndërrojmë në një realitet, të cilin e mirëpresin të gjithë qytetarët shqiptarë."