Kryeministri Berisha: Shqipëria formale, nevojë e domosdoshme për integrimin
Kryeministri Berisha, gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave, theksoi edhe njëherë nevojën për forcimin e luftës kundër informalitetit, duke nënvizuar se Shqipëria formale është nevojë e domosdoshme për integrimin e vendit.
"Detyra jonë e prerë është Shqipëria formale", tha Kryeministri. Për këtë, nënvizoi ai, "duhet të instalohen standarde me të cilat punojnë investitorët perëndimorë në vendet e tyre, pasi asnjë vend nuk mund të ecë përpara drejt integrimit me këtë shkallë informaliteti të papajtueshme".
Në kuadër të luftës kundër informalitetit, Kryeministri bëri të ditur në mbledhjen e qeverisë se ekspertët e ministrisë së Financave dhe të ministrisë së Brendshme po punojnë për përgatitjen e një vendimi, i cili ka si qëllim moslejimin e përdorimit të parave kesh jashtë sistemit bankar apo zyrave të shkëmbimit valutor.
Kryeministri theksoi se fenomeni i shkëmbimit të parave të rrugë është absolutisht i paligjshëm, dëmton rëndë imazhin e vendit dhe rrugën e integrimit euroatlantik të tij, ndërkohë që në Shqipëri ka një sistem bankar nga më të zhvilluarit në rajon, ku operojnë 20 banka private nga më të mëdhatë në Europë.
Kryeministri tha se kambistëve do t'u ofrohet mundësia për dhënien e licencave për hapjen e zyrave të shkëmbimit valutor dhe do t'u përcaktohet një afat nga të dy ministritë përkatëse, pas të cilit askush prej tyre nuk mund ta ushtrojë më veprimtarinë e shkëmbimit të parave në rrugë.