Qeveria përgjysmon taksat për punonjësit me paga të ulëta
Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha tha se po përgatitet një vendim që ka për qëllim të ndihmojë biznesin dhe të krijojë një mbështetje të veçantë për punonjësit me rroga të ulëta. Sipas këtij vendimi, tatimi për këto rroga do të fillojë në mbi 100 mijë lekë (të vjetra), pra, 100 mijë lekët e para të rrogës nuk tatohen. "Në këtë mënyrë përgjysmohet barra fiskale mbi ta dhe kjo do të jetë e vlefshme për të gjitha rrogat deri në 300 mijë lekë (të vjetra)", tha Kryeministri.
Kryeministri vlerësoi gjithashtu se vendosja e taksës së sheshtë me 10 për qind për të ardhurat personale përbën lehtësimin më të madh të barrës fiskale që mund të vendoset mbi këto të ardhura. Në këtë mënyrë, biznesi shqiptar do të jetë biznesi me barrën më të ulët fiskale në Europë dhe më gjerë.
"Rezultatet e këtij revolucioni fiskal dhe të përpjekjes sonë për të lehtësuar dhe thjeshtuar barrën burokratike mbi biznesin kanë sjellë frytet e para shumë pozitive", u shpreh Kryeministri. Ai përmendi në këtë aspekt rritjen jashtë çdo parashikimi të eksporteve, ku në 4 mujorin e parë vitit 2007 eksportet, si vlerë, janë 28 për qind më të mëdha se ato të katër mujorit të vitit 2006, ndërsa si vëllim janë pothuajse dyfish për të njëjtën periudhë kohore.
Po ashtu, Kryeministri përmendi rritjen me ritme të larta të kreditit bankar, rritjen e madhe të investimeve të huaja, të cilat për vitin 2006 kanë qenë në total rreth 370 milionë dollarë, rreth 125 dollarë për frymë, kundrejt vetëm 28 dollarë që ato kanë qenë në vitin 2004. Këto investime, tha Kryeministri, janë konkretizuar në projekte të mëdha që kapin disa miliardë euro, si projekti i Semanit, projekti i Devollit, projekti i TEC-it të Fierit, projekte në fushën e çimentos, etj.
"Sipas ekspertëve më të mirë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe institucioneve të tjera, Shqipëria është realisht në prag shkëputjeje të madhe. Shkëputja e Shqipërisë është një dukuri që po rezonon pozitivisht kudo. Kjo ka bërë që kompani të mëdha, ndër më seriozet në botë, të përparojnë në projektet e tyre dhe të fillojnë së shpejti, brenda disa muajve, investime të cilat në totalin e tyre kapin vlera disa miliardë euro", theksoi Kryeministri.