Kemal Dervish: Nisma do të çojë në rritje të burimeve financiare për Shqipërinë
Pas prezantimit të nismës "Një OKB", Kryeministri Sali Berisha, Kryetari i Grupit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara dhe Administrator i Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara Kemal Dervish, Koordinatore e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri Gulden Turkoz Cosslett dhe Drejtoresha Rajonale e UNICEF-it Maria Calidhis dhanë një konferencë të përbashkët për shtyp lidhur me nismën pilot "Një OKB".
Në hapje të konferencës, Kryeministri Berisha dhe zoti Dervish u shprehën:
Kryeministri Berisha: Edhe njëherë dua të falënderoj shumë përzemërsisht zotin Kemal Dervish, Kryetar i Grupit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Zhvillim dhe Administrator i PNUD-it për vizitën e tij në Shqipëri dhe t'i shpreh mirënjohjen për pranimin e kërkesës dhe përzgjedhjen që i bënë Shqipërisë si një nga 8 vendet për zbatimin e nismës "Një OKB".
Nisma që ne sapo shpallëm përbën vlerësim për reformat dhe seriozitetin e zhvillimit të tyre në të gjitha fushat në Shqipëri. Por, nga ana tjetër, kjo përbën edhe një detyrim për ne që të bëjmë çdo përpjekje për suksesin e kësaj nisme. Reformat janë alfa dhe omega e programit të qeverisë që unë kryesoj. Në këtë kontekst, dua ta siguroj zotin Dervish se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për suksesin e kësaj nisme. Suksesi i saj nënkupton koordinim shumë më të mirë të ndihmave dhe të bashkëpunimit me 38 Agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe akses më të madh në potencialet e këtyre agjencive. Shqipëria, e cila punon për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe të "acquis communitaire", do të bëjë çdo përpjekje që të përfitojë sa më shumë në kuadër të kësaj nisme, në mënyrë që të mund të zbatojë nen për nen, me përpikëri dhe shpejtësi Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit me BE-në.
Falënderoj edhe një herë zotin Dervish për vizitën dhe për përzgjedhjen që i ka bërë Shqipërisë si një ndër 8 vendet pilot për zbatimin e kësaj nisme shumë të rëndësishme. Dua të falënderoj gjithashtu të gjithë përfaqësuesit e agjencive të Kombeve të Bashkuara në Tiranë për kontributin e tyre të çmuar dhe bashkëpunimin e shkëlqyer që i kanë dëshmuar qeverisë shqiptare dhe Shqipërisë në tërësi.
Z. Dervish: Kjo është një ditë shumë e veçantë për Kombet e Bashkuara dhe shpresoj që të jetë një ditë shumë e veçantë edhe për Shqipërinë. Ne sapo prezantuam nismën e përbashkët "Një OKB". Qëllimi i përgjithshëm i saj është të sigurojmë më shumë prosperitet, shëndet më të mirë, më shumë arsim, transport më të mirë, më shumë investime, zhvillimin e ekonomisë, si dhe t'i vijmë sa më shumë në ndihmë vendit.
Kombet e Bashkuara përbëjnë një familje, me shumë agjenci që operojnë në fusha të ndryshme, me ekspertiza të ndryshme dhe ndonjëherë krijojnë edhe një lloj fragmentarizimi në atë çfarë ofrojnë. Ndaj ne po përpiqemi të kalojmë këtë moment fragmentarizimi, jo duke i sjellë së bashku agjencitë apo duke i bashkuar ato në një, por duke u përpjekur që të bashkojmë potencialin e tyre, duke u përpjekur që burimet e tyre të përdorem me më shumë efikasitet. Ne do të përpiqemi që nëpërmjet kësaj nisme të krijojmë një program strategjik, me të cilin nënkuptoj një koordinim më të mirë të përpjekjeve të Kombeve të Bashkuara me përpjekjet e qeverisë shqiptare. Pra, bëhet fjalë për një program strategjik që është në funksion të qeverisë shqiptare. Duke punuar shumë ngushtë me qeverinë shqiptare dhe aktorë të tjerë të përfshirë në këtë proces, ne do të jemi në gjendje që të përpilojmë një program strategjik më efikas. Siç u tha edhe nga zoti Berisha, shpresojmë që kjo të ndihmojë qeverinë shqiptare për të pasur më shumë akses në potencialin e Kombeve të Bashkuara, të agjencive dhe të programeve të ndryshme të saj.
Ne jemi shumë të ndërgjegjshëm për përpjekjet e Shqipërisë për t'u integruar në Bashkimin Evropian dhe e mbështesim atë fort në këto përpjekje. Kështu që ne duhet që të integrohemi në synimin e përgjithshëm të Shqipërisë për t'u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane. Ne sot bëmë prezantimin e iniciativës "Një OKB". Muajt në vijim do të jenë muaj të një pune shumë të madhe bashkëpunimit dhe koordinimi ndërmjet qeverisë shqiptare dhe personelit të Agjencive të Kombeve të Bashkuara. Shqipëria është një vend pilot dhe kjo do të thotë që kemi të bëjmë me një proces eksperimentimi. Pra, nuk kemi të bëjmë me një proces të gatshëm, i cili do të zbatohet në Shqipëri. Ne shpresojmë që ky instrument ri dhe dialogu që do të zhvillojmë në Shqipëri të shërbejë si model i mirë për një koordinim dhe bashkëpunim më të mirë të përpjekjeve të Kombeve të Bashkuara dhe vendeve të tjera.
Dua të falënderoj shumë zotin Kryeministër për udhëheqjen e tij dhe mikpritjen dhe dua gjithashtu të uroj dhe falënderoj edhe kolegët e mi për punën e mirë që kanë bërë.
Pyetje për Kryeministrin Berisha: Z. Berisha, çfarë pret konkretisht Shqipëria nga kjo nismë, për realizimin e reformave dhe për zhvillimin ekonomik të vendit?
Kryeministri Berisha: Së pari, kjo nismë do të thotë Shqipëria në fokus dhe kjo ka një rëndësi shumë të madhe për vendin. Shqipëria është një nga 8 vendet e përzgjedhura, duke na dhënë besimin. Ne jemi të bindur se do ta justifikojmë këtë besim. Sikundër jemi të sigurt për një përqendrim më të madh të 38 agjencive të OKB-së në Shqipëri.
Së dyti, koordinimi më i mirë i të gjitha prioriteteve dhe shmangia e mbivendosjeve është problem madhor për vendin. Mbivendosjet jo rrallë sjellin bllokime, por edhe në rast se nuk bllokojnë ato sjellin mbishpenzim energjish dhe mjetesh. Unë sapo citova praktikën që ne ndoqëm me PNUD-in, përqendrimin në 4 projekte dhe jo fragmentim i potencialeve ndihmuese të PNUD-i në dhjetëra e dhjetëra projekte. Këto 4 projekte nuk janë të thjeshta, por ne po ecim përpara çdo ditë. Të njëjtën gjë ne bëmë me USAID-in. Në kuadër të Programit të Pragut të Mijëvjeçarit, ne përzgjodhëm tre projekte dhe të tre projektet po shkojë drejt finalizimit të tyre. Thelbi i kësaj nisme është një koordinim më i mirë dhe më efiçent i potenciale të mëdha që ofrojnë 38 agjencitë e OKB-së.
Pyetje për z. Dervish: Ju thatë se në Shqipëri po bëhet një eksperiment i rëndësishëm në këtë rast dhe zakonisht eksperimentet bëhen me shumë para.Çfarë ndikimi duhet të këtë kjo provë për shtimin e projekteve dhe fondeve që keni për Shqipërinë dhe për popullin shqiptar?
Z. Dervish : Ju falënderoj për pyetjen. Objektivi ynë është që të jemi sa më shumë efektiv që të jetë e mundur. Ne shpresojmë që, si rezultat i zbatimit të kësaj reforme, burimet ekzistuese të mund të përdoren me më tepër efektivitet në të ardhmen. Nga ana tjetër, është e vërtetë që shumë vende të Kombeve të Bashkuara ose shumë vende të tjera mbështetëse të nismës "Një OKB" janë të gatshme të ndihmojnë vendet pilote. Mendoj se në momentin që kemi një program strategjik, komuniteti ndërkombëtar do të jetë në gjendje që të mbështesë këtë program me burime më të mëdha financiare. Ndaj unë shpresoj që kjo nismë do të çojë në rritje të burimeve financiare për Shqipërinë.
Pyetje për Drejtoren Rajonale të UNICEF-it, zn. Maria Calidhis: Kur bashkohen disa shtëpi në një çati, zakonisht dëmtohen ato më të ulëtit që janë fëmijët dhe gratë.Çfarë masash janë marrë që të shtohen projektet për fëmijët dhe gratë në Shqipëri?
Znj. Maria Calidhis, Drejtore Rajonale e UNICEF: Aspekti kryesor i të gjithë reformës "Një OKB" është një koherencë më e madhe në çështjet thelbësore. Gratë dhe fëmijët do të përfitojnë nga kjo reformë, pasi programi, nëpërmjet zbatimit të komponentëve nga programe apo agjenci të ndryshme, do të ketë ndikime më të mëdha. Pra, një agjenci mund të ketë ndikim, por nëse ajo ka një partneritet më të madh, atëherë ndikimi do të jetë më i madh.Çdo agjenci ka të dhëna dhe bën analiza mbi këto të dhëna, por në qoftë se ne do t'i ndajmë analizat që bëjmë, atëherë ndikimi do të jetë më i madh. Një aspekt tjetër i rëndësishëm është vlerësimi. Ne po mundohemi që të bëjmë një vlerësim të të gjithë reformës dhe të gjithë programit.
Pyetje për Koordinatoren e PNUD-it në Shqipëri, zn. Turkoz Cosslett: Duke qenë se ky program, kjo nismë e re synon shmangien e mbivendosjes apo fragmentarizimit, besoj se përveç shpenzimeve të energjive ju do të kurseni edhe fonde. A keni një program se ku do të shkojnë këto fonde të kursyera?
Znj. Turkoz Cosslett: Kjo është një nismë e përbashkët për të përpunuar një program strategjik. Ky program do të bazohet në përparësitë e qeverive. Ne do të bashkëpunojmë me agjencitë e tjera të Kombeve të Bashkuara për të parë sesi ato mund të mbështesin më mirë përpjekjet e Shqipërisë për të përmbushur prioritetet e saj. Në fakt, është e vërtetë se të qenët në një nismë të përbashkët "Një OKB" do të thotë që kostot të përdoren në mënyrë më efektive. Ne tashmë e kemi filluar këtë proces, pasi po përdorim shërbime të përbashkëta, politika të përbashkëta të sigurimit, shëndetësore etj.., por reforma e Kombeve të Bashkuara është më shumë se kaq. Ne nuk jemi ende në fazën kur të gjithë do të jemi në një ndërtesë të vetme, por sigurisht në momentin kur ne do të kemi një ndërtesë të vetme do të kursejmë fonde dhe këto fonde do të përdoren për financimin e projekteve të tjera në vend.
Pyetje për z. Dervish: Ceremonia e sotme është fillimi i reformës. Përse u zgjodh Shqipëria për këtë?
Z. Dervish: Së pari, ne u përpoqëm të kemi një balancë gjeografike në të gjithë botën dhe Shqipëria u përzgjodh si një ndër vendet për realizimin e kësaj nisme. Ne kemi përzgjedhur vende në Amerikën Latine, Afrikë dhe Azi dhe donim të përzgjidhnim edhe një vend në Evropë. Arsyeja e dytë ishte dëshira e qeverisë shqiptare për të na ndihmuar të pilotonim projektin lidhur me reformën e Kombeve të Bashkuara. Ne kemi një partneritet shumë të mirë me Shqipërinë.
Shqipëria ka një udhëheqje shumë të mirë dhe reformat vazhdojnë. Një nga faktorët që na bëri të përzgjidhnim Shqipërinë ishte edhe partneriteti i mirë që ne kemi me qeverinë. Një faktor tjetër i rëndësishëm është pozicioni gjeografik i saj. Shqipëria është në Evropë, por nuk ka hyrë ende në familjen evropiane. Ajo është kandidate për në BE dhe kjo e bën disi të ndryshme nga vendet e tjera të Evropës Juglindore që tashmë i janë bashkuar familjes së madhe Evropiane. Nga ana tjetër, ajo ka kaluar një periudhë të veçantë pas luftës së dytë botërore, një vend i izoluar plotësisht, me të ardhura të ulëta, por e cila po ecën me hapa shumë të shpejtë drejt integrimit. Pra, pozicioni, dinamizmi dhe reformat që po zhvillohen në vend ishin faktorë shumë bindës për të përzgjedhur Shqipërinë.
Pyetje për z. Dervish: Ky projekt nga një anë synon përmirësimin e rritjes së efikasitetit në Shqipëri dhe nga ana tjetër, duke qenë se është projekt pilot, nënkupton një përpjekje për reformimin e punës së OKB-së në përgjithësi. Cilat janë objektivat madhor të këtij projekti?
Z. Dervish: Ajo çka mund të bëjmë ne si familje e Kombeve të Bashkuara është që të përpiqemi të jemi sa më shumë efektivë të jetë e mundur. Nëse do të jemi të suksesshëm në partneritetin me qeverinë shqiptare, kjo do të thotë se burimet dhe njohuritë e marra nga i gjithë procesi do t'i vijnë më shumë në ndihmë qeverisë.
Pyetje për Kryeministrin Berisha: Para pak ditësh Ministri i Financave deklaroi se niveli i realizimit të investimeve të huaja është rreth 40 për qind. Kjo jo vetëm për burokracinë e donatorëve, por për këtë përgjegjësi ka edhe administrata shqiptare.Çdo të bëhet në këtë drejtim dhe a do të ketë një ndryshim të këtij niveli?
Kryeministri Berisha: Jam dakord që administrata shqiptare duhet të përmirësojë cilësisht veprimtarinë e saj. Por, në rast se ju shikoni realizimin e investimeve, burimet e brendshme realizohen 93 për qind, kundrejt gjysmës së kësaj përqindjeje për donacionet apo ndihmat e tjera. Qeveria shqiptare do të rishqyrtojë të gjitha mundësitë për shpejtimin e tyre. Këtë çështje e kemi diskutuar gjerësisht edhe me FMN – ajo nuk përbën tabu. Nga njëra anë janë fondet dhe nga ana tjetër tavani i përcaktuar nga FMN për huamarrjen e vendit dhe çdo realizim nën atë tavan është i papërshtatshëm për qytetarët shqiptarë. Ne do të gjejmë të gjitha mënyrat si t'i kombinojmë këto. Krahas donacioneve do të adaptojmë kreditë komerciale në mënyrë që projektet të ecin në kohë.