E Diel, 1 Nëntor 2026

Këshilli i Ministrave shqyrton projektligjin "Për ushqimin", i cili vendos standarde evropiane për prodhimet shqiptare

Këshilli i Ministrave shqyrtoi në mbledhjen e sotme projektligjin "Për ushqimin". Ky projektligj është përgatitur pas një pune të madhe dhe intensive dhe është fryt i ekspertizës së çmuar ndërkombëtare.

Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë projektligj të domosdoshëm për të ecur drejt sigurisë ushqimore dhe konsolidimit të standardeve ushqimore. Këto standarde, tha Kryeministri, janë kushte shumë të rëndësishme si për mbrojtjen e qytetarëve, ashtu dhe për tregun e brendshëm dhe të jashtëm të ushqimeve shqiptare. Për shkak të kushteve te favorshme të Shqipërisë dhe diversitetit në florë, prodhimet bujqësore dhe blegtorale shqiptare, theksoi Kryeministri, janë natyrale dhe me shije të pakrahasueshme. Kjo i bën ato tepër të pëlqyeshme dhe të preferueshme për tregun e brendshëm, por është e nevojshme, nënvizoi Kryeministri, që ato të kapin standardet që të jenë të tilla edhe për tregun evropian.

"Një seri faktorësh i bëjnë ushqimet e vendit tonë më eprore se të gjitha prodhimet e tjera. Por ka një kusht, ato duhet të përballen e të respektojnë standardin, në mënyrë që këto prodhime të jenë më të preferuarat jo vetëm për shqiptarët, por edhe për tregun evropian", tha Kryeministri. Duke shtuar, "kam të vetmen përkujdesje që të mos konsumoj ushqime të importuara, por të jenë të gjitha vendi, sepse janë natyrale dhe kanë shije të pakrahasueshme me te tjerat. Kjo nuk është proteksionizëm, por është shije dhe unë po flas mbi bazën e shijes.", vijoi Kryeministri.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›