Fjala e Kryeministrit Berisha në fillim të mbledhjes së Këshillit të Ministrave
"Dua t'ju informoj për një vendim që është duke u përgatitur nga grupi i ekspertëve dhe i drejtuesve të ministrisë së Financave, i cili ka për qëllim të ndihmojë biznesin dhe të krijojë një mbështetje të veçantë për punonjësit me rroga të ulëta. Tatimi për këto rroga do të fillojë në mbi 100 mijë lekë të vjetra. Pra, 100 mijë lekët e para të rrogës nuk tatohen. Në këtë mënyrë përgjysmohet barra fiskale mbi ta dhe kjo do të jetë e vlefshme për të gjitha rrogat deri në 300 mijë lekë, apo 30 mijë lekë të reja.
Taksa e sheshtë me 10 për qind për të ardhurat personale përbën lehtësimin më të madh të barrës fiskale që mund të vendoset mbi këto të ardhura. Me këtë barrë fiskale, deri tani 20 për qind por që zbret në 10 për qind, së bashku me zbritjen që i bëhet me 150 për qind tatim fitimit, që nga 25 zbret në 10, me uljen e ndjeshme vitin e kaluar të sigurimeve shoqërore për punëdhënësit me 31 për qind, biznesi shqiptar do të jetë biznesi me barrën më të ulët fiskale në Europë dhe më gjerë.
Rezultatet e këtij revolucioni fiskal dhe të përpjekjes sonë për të lehtësuar dhe thjeshtuar barrën burokratike mbi biznesin, kanë sjellë frytet e para shumë pozitive. Unë dua të theksoj vetëm disa prej tyre.
Eksportet po rriten jashtë të gjitha parashikimeve. Eksportet e vitit 2006 ishin 20 për qind më të mëdha se në vitin 2005. Tepër pozitiv është fakti se eksportet e 4 - mujorit të vitit 2007 janë 28 për qind më të mëdha, si vlerë, se ato të 4 - mujorit të vitit 2006, ndërsa si vëllim janë pothuajse dyfish, për të njëjtën periudhë kohore.
Shqipëria ka një ndër ritmet më të lartat në botë të rritjes së kreditit bankar. Ana më pozitive e kësaj rritjeje është se 70 për qind e këtij krediti i shkon biznesit.
Investimet e huaja në vitin 2006 kanë qenë në total rreth 370 milionë dollarë, rreth 125 dollarë për frymë, kundrejt vetëm 28 dollarë që ato kanë qenë në vitin 2004. Sipas ekspertëve më të mirë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe institucioneve të tjera, Shqipëria është realisht në prag shkëputjeje të madhe. Shkëputja e Shqipërisë është një dukuri që po rezonon pozitivisht kudo. Kjo ka bërë që kompani të mëdha, ndër më seriozet në botë, të kenë përparuar në projektet e tyre dhe të fillojnë së shpejti, brenda disa muajve, investimet që në totalin e tyre kapin vlera disa miliardë euro. Kështu projekti i Semanit, me vlerë 2.3 miliardë euro, është në prag të nisjes nga zbatimi, pasi janë përfunduar të gjitha studimet për riklasifikimin e gazit të lëngshëm, termocentralit 1200 megavat dhe linjës së transmetimit për në Itali. Projekti i Devollit, i bazuar në rreth 50 kilometra tunel, është mbi 700 milionë euro. Po ashtu, është projekti i TEC-it të Fierit që shkon disa qindra milionë. Në fushën e çimentos, 3 kompani të mëdha, greke, italiane dhe spanjolle, janë në finalizim të studimeve të tyre për një investim që shkon mbi gjysmë miliardë euro.
Natyrisht, detyra jonë e prerë është Shqipëria formale, Shqipëria në prozhektorin e mediave dhe në dritën e diellit. Shqipëria duhet të jetë e parashikueshme. Ajo duhet të vendosë që të instalojë standardet me të cilat punojnë investitorët perëndimor në vendet e tyre. Asnjë vend nuk mund të ecë përpara drejt integrimit me këtë shkallë informaliteti të papajtueshme. Asnjë vend nuk vendoset në familjen evropiane, me klasën e saj borgjeze, një pjesë e së cilës sillet si proletare. Nuk mund të përdorësh "Porche" dhe të pretendosh se merr një rrogë 140 mijë apo 180 mijë lekë të vjetra.
Këto fenomene, megjithëse jo masive, janë të papranueshme. Ndaj, hapat e ndërmarrë kanë pasur impakt jashtëzakonisht pozitiv në biznesin ndërkombëtar. Rroga e referencës u imponua pikërisht nga fshehja e rrogave.
Qeveria po përgatit edhe një vendim tjetër shumë të rëndësishëm, që ka si qëllim paratë kesh në banka. Nuk mundemi të afrohemi me Bashkimin Evropian dhe NATO-n si një vend që qarkullon paratë me valixhe e thasë. Ndërkohë që standardi evropian janë bankat.
Ministri i Financave bashkë me Ministrin e Brendshëm të përcaktojnë të gjitha masat që të mos ketë më shkëmbim kesh të parave në rrugë. Kambistëve t'u jepet një afat, sepse nuk mund të nxihet faqja e vendit për 40 apo 50 kambistë, në një vend ku janë 20 banka private, banka nga më të mëdhatë e Evropës, si San Paolo, Reiffeissen Bank, etj.. Në këtë mënyrë, ne dalim, si 15 vite më parë, njëlloj sikur vendi të mos ketë një sistem bankar nga më të zhvilluarit në rajon, sikur të mos ketë dhjetra zyra shkëmbimi (change). Unë nuk dua t'i akuzoj ata, por fenomeni është mirëfillti larje parash. Nuk mund të them asgjë për asnjërin prej tyre, por si dukuri është tipike, krahas kërcënimeve apo jetëve të tyre të humbura gjatë këtyre viteve.
Në një mënyrë, kambistëve do t'u përcaktohet afati nga të dy ministritë, jashtë të cilit nuk mund të dalë askush në rrugë për shkëmbim parash. Nuk shkohet në Evropë duke shkëmbyer paratë në rrugë. Ndaj le t'u ofrojmë atyre mundësi për licenca për zyra shkëmbimi, të insistohen pranë Bankës së Shtetit apo autoriteteve që lëshojnë licencat, që t'u jepet mundësia për të hapur zyrat e tyre. Nuk mund të nxihet e të damkoset vendi me një veprimtari absolutisht të paligjshme
Ndër të tjera, sot marrim në shqyrtim edhe një projektligj shumë të rëndësishëm, projektligjin "Për ushqimin". Ky përbën një projektligj themelor për çdo vend. Projektligji është fryt i një pune të madhe intensive dhe i një ekspertize të çmuar ndërkombëtare.
Projektligji për ushqimin është i domosdoshëm për të ecur drejt sigurisë ushqimore dhe konsolidimit të standardeve ushqimore. Këto standarde janë kushte shumë të rëndësishme si për mbrojtjen e qytetarëve, ashtu dhe për tregun e brendshëm dhe të jashtëm të ushqimeve shqiptare. Për shkak të kushteve të favorshme dhe të diversitetit të saj në florë, nuk ka tokë që të prodhojë ushqimet bujqësore e blegtorale të tilla si Shqipëria.
Një seri faktorësh i bëjnë ushqimet e vendit tonë më eprore se të gjitha prodhimet e tjera. Por ka një kusht, ato duhet të përballen dhe të respektojnë standardin, në mënyrë që të jenë të preferuara jo vetëm për shqiptarët, por edhe për tregun evropian. Unë kam të vetmen përkujdesje, të mos konsumoj ushqime të importuara, por ato të jenë të gjitha prodhime vendi, sepse jane ushqime natyrale dhe kanë shije të pakrahasueshme me te tjerat. Ky nuk është proteksionizëm, por është shije dhe unë po flas mbi bazën e shijes."