Shqipëria dhe Kombet e Bashkuara prezantojnë nismën "Një OKB" për reformimin e sistemit të KB
Qeveria shqiptare dhe Kombet e Bashkuara prezantuan sot në Tiranë nismën "Një OKB".
Nisma "Një OKB" është një projekt pilot për reformimin e sistemit të Kombeve të Bashkuara. Ajo synon të mbledhë së bashku agjencitë e Kombeve të Bashkuara në një program të vetëm, njësimin e kapaciteteve menaxhuese dhe financiare, duke shmangur në këtë mënyrë fragmentarizimin dhe mbivendosjen e programeve dhe të përpjekjeve për zhvillim. Me kërkesë të qeverisë shqiptare, Shqipëria është një ndër tetë vendet e përzgjedhura për të vlerësuar ecurinë e programit të reformës së Kombeve të Bashkuara.
Programi "Një OKB" në Shqipëri do të përqendrohet në trajtimin e prioriteteve kombëtare, në zhvillimin e kapaciteteve, barazinë gjinore dhe mjedisin. Komiteti Qeveritar për Modernizimin në Këshillin të Ministrave do të jetë autoriteti më i lartë për hartimin e politikave, koordinimin dhe vendimmarrjen lidhur me programin, si dhe do të monitorojë progresin dhe do të sigurojë koordinimin e programit "Një OKB" me Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim.
Prezantimi i kësaj nisme u bë nga Kryeministri i Shqipërisë zoti Sali Berisha dhe Kryetari i Grupit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara dhe Administrator i Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara zoti Kemal Dervish. Në këtë eveniment ishin të pranishëm gjithashtu Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha dhe anëtarë të tjerë të qeverisë, Kordinatoria e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri Gulden Turkoz Cosslett, përfaqësues të trupit diplomatik, të institucioneve ndërkombëtare në Shqipëri dhe donatorë.
Kryetari i Grupit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara dhe Administrator i Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara zoti Kemal Dervish tha se duke dalë vullnetare si vend pilot për nismën "Një OKB", Shqipëria ka marrë një rol drejtues duke ndihmuar Kombet e Bashkuara që të zbatojnë programin e përbashkët.
"Kombet e Bashkuara do të bëjnë çdo përpjekje me qeverinë dhe shoqërinë shqiptare për të ndihmuar në përshpejtimin e zhvillimit të Shqipërisë, për një jetë më të mirë të qytetarëve shqiptare, për një shkollim më të mirë të fëmijëve të tyre dhe zhvillimin e përgjithshëm të vendit", theksoi zoti Dervish.
Duke përshëndetur këtë nismë dhe falënderuar Kombet e Bashkuara për besimin e treguar duke përzgjedhur Shqipërinë si një ndër vendet pilot, Kryeministri Berisha tha se në nismën "Një OKB" qeveria shqiptare synon koordinim shumë më të mirë të të gjitha donacioneve dhe projekteve të 38 agjencive të Kombeve të Bashkuara, synon të shmangë mbivendosjet në organizatat dhe institucionet e tjera, si dhe përcaktim më të mirë të përparësive të saj.
Ndërsa Ministri Basha u shpreh se qeveria shqiptare, me interesin e treguar për t'u përfshirë në këtë program të përbashkët ambicioz, ka dëshmuar angazhimin e saj të palëkundur për përmbushjen e prioriteteve të marra bashkërisht në samitin e mijëvjeçarit si garancia më e sigurt por ndërtimin e një paqeje afatgjatë e të konsoliduar.
Shqipëria është vendi i vetëm në Evropë që është përfshirë në nismën e Kombeve të Bashkuara "Një OKB".