E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi kërkon një shërbim civil funksional

Autori i Lajmit: red.
Gjermania mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Kështu ka pohuar dje ambasadori gjerman, Bernd Borchardt, gjatë një takimi në kuadër të projektit “Për një administratë publike të qëndrueshme dhe profesionale”, ku kritikoi partitë politike që në momentin e ndërrimit të qeverive rekrutojnë njerëz të rinj në administratë. Sipas tij, një nga kriteret kryesore për anëtarësimin në Bashkimin Evropian është rritja e aftësisë dhe kapacitetit për t u bërë anëtare e saj. Pra, një shtet që kërkon anëtarësimin, duhet të ketë një administratë operative, funksionale dhe të qëndrueshme dhe kjo nuk do të thotë që ky shtet që kërkon anëtarësimin i duhet të presë për një kohë të gjatë që ta arrijë këtë anëtarësim. “Shqipëria ndërkohë ka bërë kërkesën në Bashkimin Evropian dhe pas zhvillimit të zgjedhjeve kjo kërkesë për anëtarësim do të vlerësohet nga Komisioni Evropian. Ky proces do të zgjasë pothuajse një vit dhe do të bazohet pikërisht në atë se çka do të konstatohet realisht në këtë kontest në Shqipëri. Pikërisht për këtë qëllim Shqipërisë i nevojitet një administratë publike e qëndrueshme. Në të shkuarën kemi vëzhguar në mënyrë të përsëritur se ndërrimi i qeverive, pasohej me ndërrimin e nëpunësve të shërbimit civil nga ky moment kemi qenë edhe ne të prekur, duke qenë se Bashkimi Evropian ka investuar për kualifikimin e shumë nëpunësve civilë, me ndërrimin e tyre kuptohet që edhe ne kemi humbur. Duke u nisur nga analiza e këtyre fenomeneve të parakontestuara, ne kemi bashkëbiseduar me përfaqësues të organizatës AKSES, për të vëzhguar lëvizjet që do të kryhen në administratën publike”, - tha Borchardt. Ky projekt i AKSES Albania, në bashkëpunim me ambasadën gjermane në Tiranë synon ndërtimin e një modeli të shoqërisë civile, i cili do të shërbejë për të monitoruar lëvizjet në administratën publike dhe për të matur qëndrueshmërinë dhe profesionalizmin e nëpunësve publikë, veçanërisht në periudhën e pas zgjedhjeve.
Ky lajm është publikuar: 27/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›