E Shtunë, 31 Tetor 2026

Integrimi, mbetet ëndërr

Ndonëse me shumë vonesë, viti 2012 ka qenë i rëndësishëm për Kosovën në aspektin e integrimeve evropiane, vlerësojnë analistët në Kosovë. Shenoll Muharremi, njohës i çështjeve integruese, thotë për “Zëri” se studimi fizibilitetit është hapi i mirë që është ndërmarrë këtë vit, sepse, sipas tij, ai i ka hapur rrugën fillimit të negociatave dhe nënshkrimit të marrëveshjes për stabilizim asocim (MSA) me BE-në.

“Gjithashtu mund të përmendim fillimin e dialogut për liberalizim të vizave në janar të vitit 2012, si dhe marrjen e udhërrëfyesit me kritere e detyra që duhet t”i plotësojmë”, tha Muharremi.

Sipas tij, Ministria e Integrimeve Evropiane ka qenë proaktive. Megjithatë, sipas tij, institucionet tjera kanë vazhduar t’i injorojnë reformat kryesore, sidomos reformat në administratën publike, zhvillimin ekonomik dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Sipas tij, diskursi i “afateve rekorde”, “momenteve historike” apo edhe “zhgënjimeve” e “dëshpërimeve” duhet të zëvendësohet me punë të zellshme dhe motivim e inspirim për zbatim të reformave nga Qeveria dhe institucionet tjera, nëse dëshirojmë progres.

Pikërisht pse Kosova ka dështuar në këto reforma, analisti tjetër, Adrian Arifaj, beson se Bashkimi Evropian ka ndërmarrë këta hapa jo pse Kosova ka punuar, por pse ka marrë pjesë në dialog me Serbinë.
“Pra, këtu duhet të bëhet një dallim, se këto nuk janë të arritura për shkak se i kemi përmbushur kushtet, por janë shpërblime të BE-së vetëm për shkak të dialogut me Serbinë”, tha Arifaj.
“Kosova nuk ka përmbushur reformat kyçe, si në administratë publike, në sundimin e ligjit e gjyqësorit në përgjithësi. Pikërisht për këtë arsye, ende nuk kanë filluar negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, për të cilën, sipas tij, Qeveria ka pritur se do ta nënshkruajë në dhjetor”, tha Arifaj.

Por, me këto kritika nuk pajtohet Vlora Çitaku, ministre e Integrimeve Evropiane, e cila pranon se ka vonesa në këtë drejtim, por sipas saj, ato kanë ndodhur për arsye politike.
“Kosova është shumë hapa prapa vendeve të rajonit në kontekst të integrimit evropian, kjo jo për shkak se ne nuk kemi punuar, por për shkak arsyeve politike. Ju e dini që deri më tani ne kemi humbur 5 vite të pavarësisë dhe arsyeja pse nuk kemi mundur të hyjmë në marrëdhënie kontraktuale kanë qenë pikërisht mungesa e unitetit brenda BE-së”, u shpreh Çitaku.

Megjithatë, sipas saj, viti 2012 është periudha që ka shënuar vitin e konkretizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe BE-së, ku janë marrë hapat e parë, përmes publikimit të studimit të fizibilitetit, udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, hapjes së programeve të BE-së për Kosovën në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. /Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›