Lunacek: S'ka Republika Serbe në Kosovë

Luftojeni korrupsionin nëse doni heqjen e vizave. Ky është mesazhi raportueses së Parlamentit Evropian Elrike Lunacek në një intervistë për Radio Kosovën. Duke folur për IBM-në, Lunacek tha se me fillimin e zbatimit të IBM-së, në fakt Serbia po njeh pavarësinë e Kosovës.
Radio Kosova: Zonja Lunacek, në kohën po zhvillohet dialogu në nivel të lartë mes kryeministrave, Serbia ka bërë një hap prapa me platformën serbe për Kosovën, ku për veriun, thuhet se kërkohet një zgjidhje e ngjashme si për Bosnjën?
Lunacek: Diçka si Republika Serbe në Kosovë nuk do të lejohet në as një mënyrë nga Bashkimi Evropian, kjo duhet të jetë e qartë. Do të thosha se veprimet që Qeveri serbe bën jashtë procesit të dialogut për nevoja të konsumit të brendshëm politik nuk duhet të merren seriozisht. Në Serbi ka njerëz që duan gjëra të tilla por unë mendoj se duhet të përqendrohemi në çështjet që zhvillohen brenda kornizave të dialogut nën drejtimin e zonjës Ashton, dhe jo të diskutojmë letra pa vlerë si është kjo platformë, sepse kështu do të kemi më pak shqetësime.
Radio Kosova:: Mirë atëherë a ka BE-ja një ide për zgjidhjen e problemit në veri?
Lunacek: Po, sigurish që ka. Shumë e thjeshte: Plani i Ahtiaarit dhe Kushtetuta e Kosovës. Serbët e veriut duhet të veprojnë njësoj si ata në jug të lumit Ibër: të organizojnë zgjedhje të lira - të zgjedhin përfaqësuesit e tyre legjitimë, kryetarin e tyre të Komunës, por ato zgjedhje sigurisht që duhet të mbahen sipas ligjeve kosovare. Është me shumë rëndësi që Beogradi të zhbëjë menjëherë strukturat paralele, por ashtu siç e parashikon edhe plani i Ahtiaasrit, Beogradi ka të drejtë të kujdeset për serbët në Kosovë dhe në mënyrë transparente, në bashkëpunim me institucionet e Kosovës të ndihmojë financimin në fushë të arsimit e shëndetësisë. Kjo është e mundur dhe këtë e lejon edhe Kushtetuta kosovare.
Radio Kosova: Mes Serbisë dhe Kosovës po zbatohet IBM-ja. Kryeministri ynë thotë se Serbia me këtë veprim po e njeh në fakt Kosovën, ndërsa homologu i tij serb e mohon këtë?
Lunacek: Qeveria aktuale në Beograd po bën atë që Qeveria e mëparshme serbe kishte premtuar por nuk e kishte zbatuar. Tani kemi edhe paralajmërimin për zbatimin e IBM-së edhe në dy vendkalime të tjera kufitare më 31 dhjetor dhe palët në dialog janë në rrugë të mbarë. Edhe pse raportet midis Serbisë dhe Kosovës janë ende larg normalizimit do të thosha se zbatimi i IBM-së në kufirin mes dy shteteve, është një aspekt i rëndësishëm dhe sipas pikëpamjes sime, kjo do të thotë njohje implicite e Kosovës nga Serbia. Ngritja e vendkalimeve kufitare ku zbatohet Marrëveshja për Menaxhimin e Integruar të kufirit bëhet mes shteteve dhe kjo do të thotë njohje e një shteti.
Radio Kosova: Pse nuk e nënshkruat MSA-në me Kosovën këtë vit – Kemi pasur shpresa shumë?
Lunacek: Gjatë vitit 2012 patëm hedhjen e hapave të parë në drejtim të MSA-së. Në konkluzionet përfundimtare është thënë se Kosova duhet të plotësoje edhe disa kushte dhe besoj se në pranverë ose në verë kjo të kryet. Besoj kjo do të ndodh vitin 2013.
Radio Kosova: A ka ndonjë shpresë që gjatë vitit 2013 të marrim edhe liberalizimin e vizave?
Lunacek: Do të ketë një Komision i cili do të vizitojë Kosovën, do të vlerësojë përmbushjen e kushteve dhe do të bëjë një raport për Komisionin Evropian. Mendoj se janë bërë përparime në këtë drejtim, por duket se ka edhe ca punë për tu bërë sa i përket këtij procesi. Skandali i korrupsionit për pasaportat biometrike ku janë dhënë ryshfet 1. 4 milion euro ka dëmtuar procesin e vizave dhe ky rast duhet të sqarohet plotësisht nëse doni të hiqen vizat. Këso raste të korrupsionit jo që nuk ndihmojnë procesin e heqjes së vizave por e vështirësojnë atë. Sidoqoftë, duket se ekziston vullneti për sqarimin e këtij rasti të rëndë korrupsioni.
Radio Kosova: Zonja Lunacek, si raportuese e Parlamenti Evropian për Kosovën, do të donim të na i numëronit sfidat që na presin gjatë viti 2013?
Lunacek: Do të theksoja dy gjëra: Të forcohet lufta kundër korrupsionit dhe ryshfetit dhe të forcohet i sundimi të ligjit. Kjo duhet të bëhet në të gjitha instancat: brenda Qeverisë dhe brenda institucioneve të Kosovës, por edhe brenda sistemit të arsimit, shëndetësisë etj. Nuk është se këto probleme zgjidhen edhe sikur Kosova të njihet nga pesë vendet e BE edhe sikur Kosova të bëhet anëtare e OKB-së. Jo, luftimi i korrupsionit është një detyrë që ju vetë duhet ta bëni, është për të mirën tuaj. Sfida dytë është zhvillimi ekonomik. Duhet të bëni më shumë në këtë drejtim, kjo për hatër të gjithë atyre të rinjve që presin një vend pune. Si një përfaqësuese e një partie të gjelbër do të thosha se duhet të bëni më shumë për energji të rinovueshme. Keni shumë humbje të energjisë për shkak të rrjetit të vjetruar elektrik. Këta janë disa shembuj ku do të thosha duhet të bëni më shumë.
Radio Kosova: Këto ditë kemi një debat të ndezur për një koalicon të ri midis PDK-së dhe AAK-së. Cili është mendimi juaj?
Lunacek: Sa i përket debatit për një qeveri dhe koalicion të ri me krahun e AAK apo zgjedhje të reja që po fliten do të ju them, se pa përfundimin e reformës zgjedhore, e cila është premtuar se do të kryhet tash e dy vite, dhe pa zgjedhje të lira që do të organizohen me reforma të reja, çfarëdo kompilimi i qeverisë nuk do ti përgjigjej dhe nuk do të ishte në harmoni me vullnetin e popullit. Prandaj, unë ju rekomandoj që të kryet reforma e nisur për sistemin zgjedhor – kjo është premtuar para popullit dhe më pas të ketë zgjedhje të reja prej të cilave do të delte qeveria e re. Vetëm kjo do të ishte në harmoni me vullnetin dhe interesin e popullit në Kosovë./Indeksonline/