E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetimi ndaj Ramës, i ligjshëm

Tiranë -Kryetari i komisionit hetimor për procedurat e dhënies së lejeve të ndërtimit nga bashkia e Tiranës, Ferdinand Xhaferri, deklaroi sot se ky komision vepron në bazë të Kushtetutës dhe rregullores së Kuvendit. "Komisioni po vepron bazuar në Kushtetutë, ligjin 'Për komisionet hetimore' dhe rregulloren e parlamentit", tha Xhaferri, duke shtuar se "Rama dhe të gjithë njerëzit prapa tij deklarojnë se është fushatë zgjedhjesh dhe nuk mund të hetohen, sikur koha për të zgjedhur është kohë për të vjedhur ose flasin për "pavarësinë e pushtetit vendor', a thua se kjo pavarësi është licencë për të bërë korrupsion"-theksoi Xhaferi, pas përfundimit të mbledhjes për ngritjen e komisionit në fjalë.

Xhaferri, theksoi se "askush nuk thotë se Rama nuk ka vjedhur. Të gjithë pranojnë se me qëndrimet e mbledhjeve të fundit të KRT-së, Edi Rama ka vulosur rastin më skandaloz të korrupsionit në historinë 17-vjeçare të pluralizmit në vend".

Sipas tij, "një vend që aspiron të aplikojë me ditë për statusin e vendit kandidat në BE, një vend anëtar i NATO-s, nuk mund ta lejojë që të ketë një individ brenda tij, që ta trajtojë këtë vend si qytetet e Italisë së Jugut dekada më parë".

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›