Rikthehen trafiqet, bllokohet skafi me 300 kg drogë
SARANDË- Policia kufitare e qytetit të Sarandës ka bllokuar mesnatën ndërmjet të premtes dhe të shtunës një skaf me gjatësi rreth pesë metra që po tentonte të transportonte 300 kg lëndë narkotike "canabis sativa" në drejtim të Greqisë. Ndërkohë, në pranga përfundoi njëri nga skafistët, ndërsa bashkëpunëtori i tij është shpallur person në kërkim nga policia lokale.
Burime zyrtare nga komisariati i Sarandës, pohuan të shtunën se "operacioni është finalizuar rreth orës 24.00, falë bashkëpunimit me policisë Kufitare dhe atij të Rendit Sarandë". Po të njëjtat burime, saktësuan se, skafi me motorë 250 kuaj fuqi ishte nisur në vendin e quajtur "Pema e thatë".
Në skaf policia ka gjetur të ngarkuar një sasi rreth 300 kg cannabis, të ambalazhuar në disa çanta sportive. Burime nga policia, bëjnë të ditur se skafi do të drejtohej për në drejtim të ishullit grek të Korfuzit nga dy shtetas, njëri prej të cilëve është kapur nga policia, ndërkohë që tjetri është arratisur në drejtim të pyllit të Butrintit.
Emri i personit të arrestuar nuk është bërë ende i ditur, pasi operacioni vazhdon për kapjen edhe të personave të tjerë.
Burime konfidenciale bëjnë të ditur se personi i arrestuar, është banor i lagjes nr.3 të Sarandës. I vetmi detaj që bëhet i ditur, është se vendi i origjinës së prodhimit të drogës ishte Lazarati.
Pasi ishte sjellë më pas në Sarandë, ai do të transportohej drejt Korfuzit. Ky është rasti i parë gjatë këtij vitit që policia kufitare e Sarandës ndalon një sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike. Një vit më parë, policia kufitare ka bllokuar në dy raste rreth 600 kg lëndë narkotike.