E Diel, 1 Nëntor 2026

Integrimi në BE, Këler garanton mbështetje

07/04/2010 Presidenti Topi takon homologun gjerman

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë takimit që ka pasur me Presidentin e Republikës Federale të Gjermanisë, Horst Këler në mjediset e ndërtesës presidenciale, në kështjellën “Shlos Belvju”, mori mbështetjen e homologut të tij për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Kreu i shtetit gjerman siguroi që kjo mbështetje do të vazhdojë, në mënyrë që populli shqiptar të bëhet pjesë edhe zyrtarisht sa më shpejt e familjes së madhe evropiane. Presidenti Këler shprehu besimin në zgjerimin dhe thellimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit reciprok dhe vuri në dukje se shkëmbimi i vizitave i niveleve më të larta kontribuon në rritjen e dialogut dhe bashkëpunimit politik. Në fillim të takimit, nga ana e tij, Presidenti Topi theksoi faktin se Shqipëria e konsideron Gjermaninë si një partner strategjik shumë të rëndësishëm të saj. Ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të dhënë nga Gjermania për proceset demokratizuese dhe integruese të vendit tonë, duke i dhënë rëndësi zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike dhe rritjes së pranisë së investitorëve gjermanë në vendin tonë, ku në këtë aspekt pritet që gjatë kësaj vizite të firmoset Marrëveshja për Eliminimin e Tatimeve të Dyfishta. Numri një i shtetit shqiptar bëri një pasqyrë të shkurtër mbi situatën aktuale politike në Shqipëri dhe të zhvillimeve të brendshme, ku nënvizoi veçanërisht rëndësinë e riinstalimit të dialogut politik në vend mes mazhorancës dhe opozitës dhe të bashkëpunimit për reformat e rëndësishme, për të ruajtur vazhdimësinë e rrugës së anëtarësimit në BE dhe përmbushjen e aspiratave integruese të mbarë popullit shqiptar. Në këtë takim dy presidentët shoqëroheshin nga zonjat e para respektive, ndërkohë që në përbërje të delegacionit shqiptar bënte pjesë numri dy i Qeverisë, Meta; kreu i Gjykatës Kushtetuese, Kristo, etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›