Skandalet e punësimit në Bashki: Albana Vokshi rekomandon 80 gra nga pastruese tek drejtoresha (FAKSIMILET)
Gazeta Tema boton korrespodencën e Albana Vokshit me drejtuese të Bashkisë, të cilave u kërkon të punësojnë rreth 80 gra vetëm nga seksioni Nr. 11 i PD-së Tiranë në emër të Lidhjes Demokratike të Gruas
Një drejtues e lartë e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka drejtuar operacionin e spastrimeve në Bashki dhe punësimin aty me listë të militantëve të PD-së. Gazeta Tema ka në dorë korrespodencën e zonjës Vokshi me zyrtarët e bashkisë për punësimin e së paku 80 grave vetëm nga Njësia Nr.11, me rekomandim të saj. Në disa e-maile të shkëmbyera mes saj dhe drejtuesve të rinj të Bashkisë, kryesisht njerëz të besuar të familjes Berisha apo familjarë të vetë zotit Basha, bëhet fjalë për një masakër të vërtetë mbi ligjin dhe kriteret e punësimit në administratën publike. Nuk bëhet fjala për të lëvizur nga puna stafet politike siç kishte premtuar dikur Lulëzim Basha, por dhe sanitaret dhe pastrueset për të cilat duket se Vokshi ka kërkesa me shumicë.
Në letërkëmbimin e saj me drejtues të Bashkisë, Vokshi paraqet bashkangjitur dhe listën e saj për punësime, e cila vetëm për një njësi bashkiake arrin në gati 80 vetë, çka për 11 njësi i bie që Vokshi të punësojë afërsisht 1000 vetë në punë në Tiranë.
E-maili i parë dhe lista e kandidatëve për punësim
Në e-mailin e parë (FAKSIMILE 1) shkëmbyer mes zonjës Vokshi dhe drejtorisë së burimeve njerëzore në Bashki, flitet për një listë me rreth 60 gra dhe për një shtesë me rreth 20 vetë të tjerë, që ajo është e detyruar të dërgojë pasi ka shumë kërkesa nga seksioni ku drejton.
Ajo që bie në sy është se zonja Vokshi e përcjell në Bashki listën ashtu siç i vjen nga seksioni i PD Nr.11 dhe bën sugjerime që i vetmi seleksionim që mund të bëhet është se kush është më shumë militante dhe jo se kush meriton të punojë prej tyre.
Nëse i hedh një sy dokumenteve që ka në attach e-maili (FAKSIMILE 2), shikon se në listën e renditur Vokshi ka shënuar me të verdhë ato që ndërkohë janë punësuar dhe ato që janë në listën e pritjes. E vetmja gjë që bie në sy tek të punësuarat është se janë të gjitha nga Veriu, ndërsa në listën e pritjes janë qytetarë të Tiranës.
E-maili i dytë
E-maili i dytë (FAKSIMILE 3) është i datës 21 shkurt dhe bëhet fjalë për një qytetare, Desiana Pëllumbi, me origjinë nga Devolli. Ajo me sa duket do të punësohet si Shefe e Financave në Drejtorinë e Tretë ku është adresuar e-maili. Vokshi i ka bashkangjitur asaj dhe CV-në e kandidates, e cila siç shihet është thjesht një punonjëse marketingu pa asnjë lidhje me financat dhe shumë larg kritereve që duhet të ketë një vend pune i tillë. Shpresojmë që ndërkohë që ne botojmë këto e-maile, kandidatja të ketë bërë prezantimin dhe Lulëzim Basha të vazhdojë të lavdërohet për reforma dhe standardet në rekrutimin e nëpunësve të Bashkisë.

FAKSIMILE 1- E-maili e parë e Albana Vokshit me listën e të punësuarve

FAKSIMILE 2- Lista e emrave që duhen punësuar sipas Vokshit

FAKSIMILE 3- E-maili i dytë i Albana Vokshit për të punësuar një aktiviste si shefe financash