Stoudmann: Mbështetje Shqipërisë gjatë presidencës së KiE-së
Këshilli i Europës mirëpret presidencën e radhës së Shqipërisë dhe është i gatshëm të kontribuojë për integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian. Kështu është shprehur përfaqësues i Posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të KiE-së, Gerard Stoudmann në një konferencë të përbashkët për shtyp me Zv.kryeministrin dhe njëherësh ministrin e jashtëm Edmond Haxhinasto.
“Këshilli i Europës po mirëpret presidencën e ardhën të Shqipërisë. Kjo gjë është me rëndësi jo vetëm se është hera e parë që merrni presidencën por kjo gjë vjen në një moment kyç dhe shënon një hap të rëndësishëm në rajon. Nëse çdo gjë shkon mirë, në kohën e presidencës suaj, situata do jetë me fitim për të gjitha palët. KiE qëndron në gatishmëri t`u asistojë dhe kontribuojë në integrimin e Shqipërisë në Evropë, në bashkëpunim me ju, qeverinë shqiptare dhe BE” ka shtuar Stoudmann.
Nga ana e tij ministri i jashtëm Haxhinastoka theksuar se Shqipëria gjatë presidencës së Këshillit të Europës do të japë kontributin e saj të veçantë për çështjet e tolerancës, bashkëjetesës dhe kontributin e saj për rajonin. “Kemi folur për mundësitë dhe hapësirat konkrete për antarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës pas arritjes së marrëveshjes në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për përfaqësimin rajonal të Kosovës” ka theksuar më tej Haxhinasto.
Haxhinasto ka theksuar se së bashku me zotin Stoudmann ka diskutuar edhe për situatën politike në vend ku disa nga çështjet ku duhet të fokusohet politika shqiptare janë reforma zgjedhore, procedurat parlamentare dhe miratimi i ligjeve me shumicë të cilësuar.
Në Maj të këtij viti, Shqipëria merr Presidencën e radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, duke shënuar kështu një ngjarje historike për vendin.