Integrimi në BE fillon nga fshatiNga Abedin KajaKur flitet për integrimin në BE, nuk se si të mos na bjerë ndërmend fshati i thjeshtë dhe i vogël Schengen, madje më i thjeshtë dhe më i parëndësishëm sesa metropolet me qiellgërvishtës, paçka se atje j
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Integrimi në BE fillon nga fshatiNga Abedin KajaKur flitet për integrimin në BE, nuk se si të mos na bjerë ndërmend fshati i thjeshtë dhe i vogël Schengen, madje më i thjeshtë dhe më i parëndësishëm sesa metropolet me qiellgërvishtës, paçka se atje janë marrë vendimet më të rëndësishme të bashkimit dhe të ribashkimit të Evropës. Me Traktatin e nënshkruar në qershor të vitit 1985 në Schengen, RF e Gjermanisë, Belgjika, Franca, Luksemburgu dhe Holanda kanë rënë dakord për heqjen graduale të pikave të brendshme, të përbashkëta të kontrollit kufitar dhe futjen e lirisë së lëvizjes për të gjithë personat fizikë - shtetasit e shteteve nënshkruese të Traktatit, shteteve të tjera anëtare të BE ose të shteteve të tjera. Traktati i Schengen-it dhe Konventa, së bashku me deklaratën dhe vendimet e marra nga ana e Këshillit ekzekutiv të Schengen-it, përbëjnë të ashtuquajturin “acquis” të Schengen-it, i cili ka hyrë në tekstin e Traktatit (1997), meqenëse ka të bëjë me një pjesë të tregut të brendshëm - qarkullimin e lirë të njerëzve.
Ky fshat i vogël me emrin Schengen, i ndodhur fare pranë kufijve të Francës, Gjermanisë dhe Belgjikës, dhe i fshehur mes kodrave dhe vreshtave të Luksemburgut, të kujton se nuk mundë të ketë integrim në BE, pa integruar edhe pjesën tjetër të vendit tonë, fshatin.
***
Dhe i gjithë këtë përfytyrim i Schengen-it, kur bëhet fjalë për integrimin e vendit tonë në BE, na sjell përpara syve fshatin shqiptar që sot s’është gjë tjetër veçse një bashkësi primitive që prodhon sa për të mbajtur frymën gjallë, paçka se aty jeton më shumë se gjysma e popullsisë shqiptare.
Edhe pse është folur shumë për investimet dhe mbështetjen qeveritare në fshat, aktualisht gjendja e fshatarësisë shqiptare lë për të dëshiruar, ngaqë asnjëherë fshati nuk ka qenë prioritet i qeverive të këtyre 18 viteve të tranzicionit të tejzgjatur në vendin tonë, pasi në fshat mungojnë shumë prej gjërave më minimale, si rrugët, sistemi ujitës, kanalizimet, mungesa e kolektorëve apo edhe të tjera elemente të infrastrukturës rurale. Gjatë tranzicionit tonë sistemi agrar është dëmtuar rëndë, për shkak se mundësitë e gjetjes së kapitalit për të hapur një biznes bujqësor përgjithësisht janë të vogla, ndërkohë që interesat që paguhen për këto kapitale fillestare janë shumë të larta. Po kështu, mungesa e politikave proteksioniste ka bërë që shumë prej prodhimeve bujqësore, siç janë rrushi dhe sidomos perimet, frutat dhe zarzavatet, për shkak të mungesës së tregut të groposen duke i shkaktuar fermerit humbje të pallogaritshme në buxhetin e tij familjar. Është për të ardhur keq, kur shikon të groposen dhjetëra tonë rrush, ndërkohë që aktualisht në vend nuk sigurohet as 30% e nevojave për këtë kulturë. Kështu ndodh edhe me industrinë e serave. Kjo është një industri që mbështetet mbi kapitale fillestare shumë të mëdha dhe së dyti, sepse bizneset e serave konsiderohen investime me rrezikshmëri të lartë nga institucionet financiare që ofrojnë kapital fillestar në vend.
Kjo ka bërë që të ngurohet të bëhen financime të mëdha në këtë sektor, duke realizuar vetëm investime të parëndësishme.
Sipas specialistëve, aktualisht në Shqipëri ka rreth 700 ha sera, nga të cilat vetëm rreth 20 ha janë moderne, kurse pjesa tjetër janë tunele plastike, ku shumica e serave ekzistuese janë primitive. Për shumë fermerë, nëse sigurimi i kapitalit fillestar nuk do përbënte pengesë, me siguri do të kishim më shumë investime me sera të teknologjisë së lartë, por, edhe në rastet kur ka rendimente të larta dhe cilësore, ato nuk gjejnë treg shitjeje për shkak të monopolistëve që i sjellin këto produkte nga jashtë kufijve, ndaj duhet një politikë më aktive për mbrojtjen e prodhimit vendas, gjë që realizohet duke rritur taksën doganore për artikujt e importuar që ndryshe nga prodhimi vendas në të shumtën e rasteve janë gjenetikisht të modifikuara.
Bujqësia e blegtoria në vendin tonë vazhdojnë ende të jenë në kushte primitive, pasi në fshatin tonë mungon gjithçka, pjesa më e madhe e punimeve bëhen me krahë ose me minimumin e mekanikës bujqësore, plehrave industriale dhe kimikateve që shërbejnë për mbrojtjen e bimëve. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për blegtorinë, si për përmirësimin racor, ashtu edhe në drejtim të vaksinimit të tyre me qëllim mbrojtjen nga sëmundjet. Për prodhimet e tjera bujqësore thjesht nuk ka mundësi që të bëhen investime serioze, sepse vështirë se mund të jenë rentabël dhe të justifikojnë paratë e hedhura. Aq më tepër që investimet në bujqësi janë afatgjata dhe nevojitet shumë kohë për t’u shlyer. Në këto kushte njerëzit qenë të detyruar që të mblidhnin plaçkat dhe t’u drejtoheshin zonave urbane, ku i priste një jetë tjetër jo më pak e vështirë sesa ajo e origjinës që lanë pas.
Natyra i ka falur vendit tonë më shumë se 3000 orë diell në vit dhe, po të shikojmë se si të rinjtë tanë punojnë në tokat bujqësore të vendeve fqinjë, rezulton se ne shqiptarët nuk jemi më pak të talentuar se të tjerët, nuk jemi më pak punëdashës se fqinjët tanë, tregues që flet qartë se me bujqësinë fermeri në vendin tonë, jo vetëm mund të mbijetojë, por se bujqësia si një nga degët bazë të ekonomisë tonë i ka të gjitha mundësitë të lulëzojë.
Duke subvencionuar dhe mbështetur bujqësinë i jepet shpresa fermerit që ai të lidhet me tokën, gjë që do të ndërpriste largimin e mëtejshëm të banorëve të zonave rurale dhe do të bënte që të riktheheshin edhe të tjerë, të cilët, edhe pse janë larguar, mendjen e kanë te tokat e tyre të mbetura djerrë në fshatin nga ata janë larguar. Mungesa e mbështetjes së fermerëve shqiptarë i bën ata të dekurajohen dhe për rrjedhojë të largohen nga toka bujqësore në kërkim të një fati më të mirë në qytet. Duke subvencionuar bujqësinë pengohet vijimi i procesit të natyrshëm të urbanizimit të shoqërisë shqiptare duke e lënë atë në prapambetje dhe disnivele të jashtëzakonshme. Për shumë fermerë, nëse sigurimi i kapitalit fillestar nuk do përbënte pengesë, me siguri do të kishim më shumë investime në vreshtari, frutikulturë dhe sera të teknologjisë së lartë. Ekonomia bujqësore në vendin tonë sot është një masë natyrale thjesht për mbajtjen gjallë të frymës, me produktet e tyre, të gati 50% të popullsisë që ende jeton në fshat. Bujqësia jonë sot ndodhet larg ekonomisë së tregut, sistemit bankar dhe integrimit, saqë sot ajo në masën më të madhe ngjan me një bashkësi primitive. Mungesa e dhënies së kredive të buta dhe me afat të gjatë shlyerjeje për mjetet mekanike bujqësore, ka bërë që në shumë fshatra sot toka të punohet me gomar ose kafshë të tjera të këtij lloji. Ky shembull tipik i një bujqësie primitive, si dhe mungesa e subvencionimit të plehrave kimike, pesticideve etj., ka bërë që në masë jo të paktë rendimentet e prodhimeve të jenë shumë të ulëta dhe cilësisht të dobëta.
Vështirësia ekonomike e fermerëve që përbëjnë ende gjysmën e popullsisë në vendin tonë së pari bën që të zvogëlohet mundësia për zhvillimin e gjithanshëm të ekonomisë dhe sjell si pasojë rritjen e deficitit tregtar dhe uljen e konkurrencës me prodhimet tona bujqësore dhe blegtorale, pa bërë fjalë për daljen në eksport me këto prodhime. Pamundësia për rritjen e mirëqenies nga prodhimet bujqësore dhe blegtorale ka bërë që një pjesë e madhe e popullsisë së aftë për punë në zonat fshatare të largohet në emigracion dhe për rrjedhojë një sipërfaqe e konsiderueshme e tokës bujqësore të ngelet djerrë. Po kështu, gjendja e vështirë ekonomike e fermerëve për shkak të rendimenteve të ulëta dhe mungesës së tregut, bën që të jetë mjaft e lehtë puna për grupet mafioze që të nxisin prodhimin dhe trafikimin e bimëve narkotike. Nxitja e prodhimeve bujqësore dhe politikat proteksioniste janë e vetmja shpresë për të nxjerrë bujqësinë nga prapambetja ku ndodhet sot ajo. Me një bujqësi të tillë është e vështirë të flitet për kooperimin e fermerëve dhe ngritjen e ndërmarrjeve të përbashkëta, si ato në SHBA, Francë, Gjermani, Izrael etj. Këtu nuk e kam fjalë për kooperativat bujqësore të kohës së shkuar dhe nuk druhem nga etiketimi që mund t’i bëjë ndonjë naiv dashakeq kooperimit dhe ndërmarrjeve të përbashkëta të tipit perëndimor, pasi vetëm në ndërmarrje të përbashkëta mund të orientohen më mirë politikat e zhvillimit dhe bankat mund të kreditojnë më lehtë për zhvillimin e bujqësisë, gjë e cila deri më sot nuk ka ndodhur. Pra, janë këto format dhe mjetet që duhet të përdoren për rritjen e ekonomisë fshatare dhe nuk mjafton një çezmë në qendër të fshatit apo një shkollë e rikonstruktuar (elemente të cilat janë tepër të domosdoshme dhe jetike), për të thënë se ke investuar për fshatin. Pa futur këtë pjesë të popullsisë në rrugën e zhvillimit dhe të ekonomisë së tregut, nuk mund të ketë integrim dinjitoz në BE.