E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuzhe i ofron Suedisë “Danimarkën”



Dash Frashëri

Shqipëria është gati kundër Suedisë. Të paktën në letër, po. Trajneri Josip Kuzhe, kroati i dytë që ka drejtuar Kombëtaren tonë, bëri publike listën me 21 lojtarë të thirrur kundër formacionit të Lars Lagerbakut, ndaj të cilit Ari Hani barazoi 0-0 në ndeshjen hapëse të eliminatoreve të Kampionatit Botëror 2010. Kuzhe ka thirrur të njëjtin grup lojtarësh me të cilët barazoi kundër Danimarkës (1-1), duke i dhënë një paralajmërim të qartë Ibrahimoviçit me shokë, se do ta kenë sërish po aq vështirë sa dhe një vit më parë. Grumbullimi i Kombëtares do të kryhet në Frankfurt të Gjermanisë, duke filluar nga data 6 tetor. Kuzhe ka parashikuar edhe një ndeshje miqësore (mendohet FSV Frankfurt, Bundesliga 2). Veterani Altin Haxhi – lojtari i vetëm shqiptar që luan në Ligën e Kampioneve - është dhe fytyra e re e grupit “anti-Suedi”, pasi mesfushori gjirokastrit 34-vjeçar – i thirrur në vend të Ansi Agollit – nuk ka qenë kurrë nën urdhrat e Kuzhes, ashtu si dhe kapiteni zyrtar i Shqipërisë, Altin Lala – ende në rikuperim e sipër – që nuk ka pasur fatin të punojë me ish-trajnerin e Ruandës. Takimi kundër Suedisë është i fundit në eliminatoret e Kampionatit Botëror. Edhe pse rezultati nuk ka ndikim direkt në renditjen e grupit tonë – Shqipëria është e fiksuar përfundimisht në vendin e pestë, duke lënë pas vetëm Maltën – një pikë e marrë do të influenconte jo pak në grupimin e skuadrave të vazos së katërt, ku mbi bazën e së cilës do të hidhet edhe shorti i eliminatoreve të Kampionatit Europian 2012.
Në fakt, Kuzhe është shfaqur me imazhin e një trajneri të suksesshëm me Shqipërinë. Bilanci i tij në dy ndeshjet zyrtare është një humbje në minutën e fundit me Portugalinë (1-2) dhe një barazim me Danimarkën (1-1), kryesuesen e grupit tonë. Dy miqësoret flasin tërësisht në favor të ish-trajnerit të Dinamos së Zagrebit: 1-1 me Gjeorgjinë, e që kulmon me fitoren 6-1 kundër Qipros, fitorja më e thellë në historinë e Kombëtares sonë, 235 ndeshje të luajtura e që kanë prodhuar këtë bilanc: 49 fitore, 49 barazime dhe 137 humbje (golavereazhi: 203 gola të shënuar, 413 gola të pësuar).

PORTA – Janë dy portierët e zakonshëm në mungesë të Arjan Beqajt: Samir Ujkani (Novara, Itali, 3 ndeshje, 1 gol i pësuar në eliminatore) dhe Isli Hidi (Krivbas, Ukrainë, 11 ndeshje, 6 gola të pësuar në këto eliminatore). Ujkani mbrojti së fundi portën në barazimin 1-1 kundër Danimarkës. Gaboi në golin e danezit Bendtner, por tregoi maturi më pas.

MBROJTJA – Lorik Cana (39 ndeshje), mesfushori i fuqishëm i Sandërlendit, do të spostohet sërish në mbrojtje, pikërisht në ndeshjen e 40-të tij me fanellën kuqezi. “Kuarteti” i repartit difensiv merr nuanca “ukrainase”, pasi Armend Dallku (34 ndeshje) e Debatik Curri (27 ndeshje) janë aty, së bashku edhe me ndonjë rreshtim të mundshëm të Elvin Beqirit (46 ndeshje). Kristi Vangjeli (19 ndeshje, Andi Lila (6 ndeshje) dhe Franc Veliu (asnjë ndeshje) kompletojnë “departamentin” e mbrojtjes.

MESFUSHA – Trioja “Bulku-Duro-Skela” kompletohet Altin Haxhin (65 ndeshje), në mungesë të Ansi Agollit të pezulluar për plotësim kartonësh. Bulku (22 ndeshje) është një digë në mesfushën shkatëerruese, Duro (59 ndeshje) luan më i avancuar dhe Skela (62 ndeshje) edhe pse ende pa skuadër me fantazinë e tij mund të luajë një rol të dorës së parë. Jahmir Hyka (12), Gilman Lika (7), Elis Bakaj (4), Emilano Vila (3), Jetmir Sefa (1) janë në dispozicion të skemave taktike e nevojave të Kuzhesë.

SULMI – Jana po ata katër: Erjon Bogdanin (52 ndeshje, 12 gola me Kombëtaren), Edmond Kapllanin (24 ndeshje, 6 gola), Besart Berisha (16 ndeshje, 2 gola) e Hamdi Salihi (14 ndeshje, 1 gol). Trajneri Kuzhe, i cili pëlqen dukshëm skemën 4-4-2 dhe në “Rasunda Stadium” sërish do të luajë me dy sulmues. Bogdani shënon në tri ndeshje rresht, për më tepër që me 3 gola të realizuar, sulmuesi i Kievos është golashënuesi më i mirë i këtyre eliminatoreve.

LISTA ANTI-SUEDI
Lojtari N-G
Samir Ujkani 3-0
Isli Hidi 11-0
Lorik Cana 39-1
Elvin Beqiri 46-0
Armend Dallku 34-1
Debatik Curri 27-1
Andi Lila 6-0
Franc Veliu 0-0
Ervin Bulku 22-0
Altin Haxhi 65-3
Klodian Duro 59-4
Ervin Skela 62-12
Jahmir Hyka 12-1
Emiljano Vila 3-1
Gilman Lika 7-0
Elis Bakaj 4-0
Jetmir Sefa 1-0
Hamdi Salihi 16-1
Erjon Bogdani 52-12
Besart Berisha 16-1
Edmond Kapllani 24-6

Lapsusi me Bakajn

FSHF-ja shtoi së fundi dhe Elis Bakajn. Sulmuesi i Dinamos ishte harruar gabimisht në listën e parë të publikuar në format “pdf” në faqen zyrtare të FSHF-së.

9 ndeshje, 7 pikë

Pas nëntë ndeshjeve të para, Kombëtarja jonë ka grumbulluar vetëm 7 pikë, duke pasur në bilancin e saj, 1 fitore, barazime dhe 4 humbje. Golaverazhi: 5-8.

NDESHJET E SHQIPËRISË
Shqipëri-Suedi 0-0
Shqipëri-Maltë 3-0
Hungari-Shqipëri 2-0
Portugali-Shqipëri 0-0
Maltë-Shqipëri 0-0
Shqipëri-Hungari 0-1
Danimarkë-Shqipëri 3-0
Shqipëri-Portugali 1-2
Shqipëri-Danimarkë 1-1
Suedi-Shqipëri 14.10

RENDITJA
Ekipi N P
Danimarka 8 17
Suedia 8 15
Portugalia 8 13
Hungaria 8 13
Shqipëria 9 7
Malta 9 1

Ibra kundër Shqipërisë

Sulmuesi i Barcelonës, Zlatan Ibrahimoviç, një emër i frikshëm në futbollin e klubeve, por jo dhe aq me Kombëtaren suedeze, është në listën e lojtarëve të thirrur për ndeshjen kundër Danimarkës (10 tetor) e Shqipërisë (14 tetor). Emra të tjerë të njohur janë Olof Mellberg (Olimpiakos), Markus Berg (Hamburg), Kim Kallstrëm (Lion), Sebastian Larson (Birmigam) apo dhe i famshmi Henrik Larson (Helsingborgs).

4 NDESHJET ME SUEDINË

ZYRTARE
05.11.1988 Tr. Shyqyri Rreli
Shqipëri-Suedi 1-2

08.10.1989 Tr.: Shyqyri Rreli
Suedi-Shqipëri 3-1

06.09.2008 Tr.: Ari Han
Suedi-Shqipëri 0-0

MIQËSORE
18.02.2004 Tr.: Hans P.Brigel
Shqipëri-Suedi 2-1

Bilanci: 4 takime; 1 fitore, 1 barazim, 2 humbje. Golat: 4-6

1 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›