E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stefano Romano, vjen nga Italia për performancë dhe martohet



Petrika GROSI
Performancë më të mirë se sa kjo, pa dyshim që asnjë nga artistët italianë të ekspozitës “Katër rrugë për në Shqipëri...”, nuk mund ta bënte; vjen në Shqipëri për improvizimin e tij në artin bashkëkohor dhe përpos kësaj martohet. E takuam Stefano Romanon dje, vetëm pak minuta pasi ai dhe tashmë, Zonja e tij, kishin kryer celebrimin në një nga njësitë bashkiake të kryeqytetit. Më tej, biseduam me artistin bashkëkohor italian mbi punët e tij dhe konceptin që paraqiti kësaj radhe në galerinë “Zenit”, ku frymëzimi dhe impresioni kryesor i këtij udhëtimi për Stefanon ishin shtretërit. Po pse vallë shtratet? Sepse, sipas Romanos, të gjitha gjërat e tjera të një udhëtimi apo të jetës së përditshme mund të zëvendësohen më së miri dhe nuk janë kaq të rëndësishme sa vendi ku njeriu fle gjumë. “Ushqimin mund ta hash në shtëpi, por mund ta hash edhe në një restorant, me miqtë etj., studion e punës mund ta zëvendësojë fare mirë kompjuteri, por mendoj se shtratin dhe momentin kur duhet të biem për të fjetur gjumë nuk mund ta zëvendësojmë kaq lehtë. Shtrati është me të vërtetë vendi më i rëndësishëm në një udhëtim, të cilit duhet t’i besojmë veten teksa mbyllim sytë që të flejmë. Kur njeriu përgatitet të flejë, kërkon sigurinë që të nesërmen do të zgjohet mirë. Janë momente gjatë të cilave të gjithë jemi të brishtë. Kam zgjedhur të skicoj vendet ku jam ndalur gjatë udhëtimit dhe pozicionin e shtratit në traget, në shtëpinë dhe hotelet ku jam ndalur”, tregon Stefano Romano i cili prej vitesh është familjarizuar me Shqipërinë dhe komunitetin e artistëve tanë për vet faktin se ai ka marrë pjesë si artist apo edhe si kurator në disa prej aktiviteteve ndërkombëtare të organizuara në Galerinë Kombëtare të Arteve por edhe jashtë saj. Artisti italian tregon gjithashtu, se “Projekti i ekspozitës lind nga udhëtimi që është vetëm një stimul. Në të vërtetë, është një ekspozitë që ka të bëjë me krijimin e një vepre arti. Veprat e artit lindin nga përvoja e përjetuar prej artistit, e cila më pas metabolizohet në një vepër arti. Unë dhe Françesko Pedrini, që jemi dhe ideatorët e projektit, ftuam edhe dy artistë të tjerë, Klaudia Losi e Andrea Naçiaritin që të bashkoheshin me ne. Një udhëtim, zakonisht prodhon një libër, një dokumentar, diçka që përmban shumë gjëra; njerëz të ndryshëm dhe vende të huaja... Ne donim të gjenim vetëm atë moment të veçantë, sinjifikativ, që do të përfaqësonte një sintezë të këtij udhëtimi.” Ndërsa sa i takon lindjes të këtij projekti, teksa pyesim Stefano Romanon nëse është ndonjë imitim apo jo, ai shpjegon se ideja zuri fill duke parë ekspozitat e artit. Prej një viti, artistët bashkëkohorë në vend që të shikojnë sintezën që bën pjesë në një vepër arti, ata, zgjerojnë veprën e tyre. Për të kuptuar një punë, më parë duhen kuptuar një sërë gjërash dhe procesesh që fshihen pas saj. “Një vepër arti fshihet pas shumë gjërash të tjera nga frika që kanë artistët për të dalë para publikut të hapur. Ne duam t’i thjeshtojmë dhe reduktojmë në maksimum këto maskime të një vepre arti”, përfundon Stefano Romano.

PROJEKTI

Ky projekt lindi nga një udhëtim. Katër artistë italianë Stefano Romano, Françesko Pedrini, Andrea Naçiariti dhe Klaudia Losi u nisën nga shtëpitë e tyre, në Itali drejt Tiranës. Udhëtimi është një rrugëtim që nis pa filluar ende, si për nga zgjedhja e rrugës që ishte për t’u kryer, ashtu dhe për mjetet që duhet të merreshin me vete. Është sikur nëpërmjet një projeksioni je duke udhëtuar që para se të nisesh, sikur pritshmëritë mbushin kohën deri në nisjen reale, fizike. Në këtë moment vepra është në një formë pre-ekzistente, një intuitë që udhëtimi ndoshta do ta modifikojë ashtu si, në fakt, eksperienca është kusht i nevojshëm për realizimin e një vepre arti. Udhëtimi i artistëve ka qenë vetmitar, asnjëri nga të katërt nuk ka pasur dijeni për të tjerët dhe secili prej tyre kishte mundësinë e zgjedhjes së udhës, të mjeteve dhe të kohës së këtij udhëtimi. Në fakt, ekspozita e vërtetë nuk ka mbaruar ende pasi ajo vazhdon edhe përgjatë këtyre ditëve me plotësim e katër katalogjeve të artistëve, të cilët do të botohen në Itali në një korpus të veçantë dhe përbëjnë një tjetër element të ekspozitës që është njëherësh edhe event satelit i Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor në Tiranë.

1 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›