“Integrimi në BE, procesi i bazuar në performancë dhe meritë”

Kryeministri Berisha takon delegacionin e parlamentit holandez
Integrimi në Bashkimin Evropian përbën prioritetin themelor dhe projektin më të rëndësishëm të Shqipërisë, proces i bazuar në performancë dhe meritë, u shpreh të premten kryeministri Sali Berisha në një takim me komisionin për Çështjet Evropiane të Parlamentit Holandez. Ky komision parlamentar po zhvillon një vizite në Shqipëri në kudrin e një turi në vendet e Ballkanit Perëndimor, me qëllimin që të familjarizojë anëtarët me Shqipërinë, politikën dhe aktorët kryesorë të shoqërisë shqiptare, përfshirë dhe shoqërinë civile.
Kryeministri falenderoi anëtarët e delegacionit për mbështetjen dhe ndihmën që parlamenti dhe qeveria holandeze i kanë dhënë Shqipërisë në reformat e saj demokratizuese. Në mënyrë të veçantë, Berisha falenderoi Mbretërinë e Vendeve të Ulëta për vendimin historik të heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë. Berisha njohu bashkëbiseduesit me reformat që qeveria shqiptare ka ndërmarrë 6 vitet e fundit për transformimin politik, ekonomik dhe social të vendit. Kryeministri i njohu edhe me përpjekjet për garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në vend. Ai theksoi se zgjedhjet e vitit 2009, ashtu si zgjedhjet vendore të 8 majit, të zhvilluara në respekt të standardeve ndërkombëtare dhe të një kornize ligjore konsensuale, janë një hap i jashtëzakonshëm në konsolidimin e vlerave perëndimore.
Kryeministri vuri theksin te lufta pa kompromis e ekzekutivit shqiptar ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit dhe duke u ndalur në këto çështje, nënvizoi se tashmë Shqipëria është një vend me siguri të lartë përkundër një vendi që në vitin 2005 dominohej nga organizatat kriminale.
Berisha theksoi se lufta e qeverisë kundër korrupsionit bazohet në reforma dhe dënim ku renditi një seri reformash të ndërmarra në kuadrin e reformimit të administratës publike, shpenzimit të fondeve publike, procedurave të prokurimit, regjistrimit të bizneseve, si dhe një seri rezultatesh në goditjen e fenomeneve korruptive.
Berisha nënvizoi se “Shqipëria është një vend me potenciale të mëdha ekonomike dhe investimet direkte holandeze do të njihnin sukses”, ndërsa siguroi mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare ndaj këtyre investimeve.
Gjatë bisedës, u diskutuan një seri çështjesh me rëndësi në kuadrin e integrimit evropian, arritjen e standardeve të vendosura nga BE, modernizimit të vendit.
Topalli: Vokacioni europian i shqiptarëve është unik dhe përbën motorin e ecjes përpara/Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ka pritur dje në një takim delegacionin e Parlamentit të Holandës. Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryetaren e Komisionit për Çështjet e Europës të Parlamentit të Holandës vlerësoi këtë delegacion i cili përbëhej nga një grup deputetësh, në të cilin bënin pjesë përfaqësues të 6 partive kryesore, nga 10 partitë që janë në Parlamentin e Hollandës. “Unë jam shumë e kënaqur që sot kemi pasur mundësinë të shkëmbejmë ide dhe të flasim shumë hapur dhe në mënyrë shumë të sinqertë me njëri-tjetrin për zhvillimet në Shqipëri, për perspektivën Europiane në Shqipëri”, u shpreh kryeparlamentarja Topalli. Më tej, kryetarja e kuvendit i falenderoi delegacionin Hollandez për kontributin dhe mbështetjen, që i kanë dhënë Shqipërisë në heqjen e vizave.
Gjithashtu kryetarja e Kuvendit Topalli falënderoi Ministrinë e Jashtme të Holandës për financimin që i ka dhënë projektit në të cilin, Kuvendi i Shqipërisë në bashkëpunim me OSBE-në , për shkak të financimit që qeveria Holandeze ka dhënë në rritjen e kapaciteteve të punës në Parlamentin e Shqipërisë dhe në bërjen e një infrastrukture dixhitale të shkëlqyer, në sajë të mbështetjes së qeverisë së Holandës. Gjithashtu kryetarja e kuvendit, Topalli i njohu ata me punën që po bëhet në Parlamentin e Shqipërisë, për të punuar mbi axhendën dhe planin e veprimit për integrimin e Shqipërisë, duke nënvizuar se si ka ndryshuar historia e Shqipërisë, ku ka qenë Shqipëria 20 vite përpara, ku është historia sot, sfidat e saj, etj.
Gjithashtu Topalli pohoi se çështje të tilla si ekonomia, lufta kundër korrupsionit, dhe vullneti i fortë që kanë shqiptarët për të qenë anëtarë të BE-së ishin disa ndër pikat të cilat diskutoi me delegacionin Hollandez.
Ndërsa Kryetarja e Komisionit për Çështjet e Europës të Parlamentit të Holandës, Gerta Verburg, vlerësoi debatin e hapur dhe të sinqertë që pati më kryetaren e kuvendit Jozefina Topallin.
“Kjo është diçka, të cilën e vlerësojmë jashtëzakonisht shumë, sepse ne jemi këtu në një vizitë pune për të parë sesi është realiteti, për të pasur sa më shumë fakte dhe për të parë mundësitë që ka Shqipëria për t’u bërë anëtare e familjes së madhe europiane. Për shkak se gjatë këtij viti apo në fund të këtij ne na duhet të marrim vendime shumë të rëndësishme, anëtarët e këtij delegacioni janë njerëz shumë të rëndësishëm, të cilët do të kenë rolin e tyre në vendim-marrje më vonë”, deklaroi Kryetarja e Komisionit për Çështjet e Europës të Parlamentit të Holandës, Verburg.
Zyrtarja e lartë theksoi se bëhet fjalë për vendim-marrje në nivelin e Bashkimit Europian, por edhe në nivelin kombëtar në Holandë. Ndër të tjera Verburg, tha se pjesë e diskutimeve me kryetaren e kuvendit ishin zhvillimi ekonomik, buxheti, por edhe çështje të transparencës dhe të luftës kundër korrupsionit. Gjithashtu Kryetarja e Komisionit për Çështjet e Europës të Parlamentit të Hollandës, Verburg, apeloi duke nënvizuar se
“të gjithë anëtarët e delegacionit mendojnë se është shumë e rëndësishme që brenda Parlamentit si partitë e mazhorancës, ashtu edhe opozita duhet të jenë aktive. Por edhe opozita duhet të jetë pjesë e debatit dhe e votimit”.
“Kemi pasur një fillim shumë të mirë me këtë takim që sapo kemi përfunduar. Do të vijojmë sërish takime të tjera me përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar dhe të Parlamentit shqiptar. Jemi shumë të kënaqur dhe dëshiroj t’ju shpreh gjithashtu edhe opinion tonë shumë pozitiv për vendin tuaj shumë të bukur”, ka përfunduar fjalën e saj, kryetarja e Komisionit për Çështjet e Europës të Parlamentit të Hollandës, Verburg.