E Diel, 1 Nëntor 2026

Vota në shkallë kombëtare, PD dhe koalicioni i djathtë fitojnë bindshëm

14-05-2011 / Gazeta 55

Rikonfirmohet “Aleanca për Qytetarin” me një avantazh edhe më të madh se në 2009-n ndaj koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, duke u rreshtuar se aleanca më e mbështetur nga shqiptarët

Gjatë ditë pas votimeve për zgjedhjet vendore të 8 majit, procesi tashmë po shkon drejt  përmbylljes së numërimit të votave dhe nxjerrjes së rezultatit përfundimtar. Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për 65 bashki të vendit, ku ka përfunduar numërimi i votave, koalicioni opozitar “Aleanca për të Ardhmen” ka fituar në 34 prej tyre, ndërsa koalicioni qeverisës “Aleanca për Qytetarin” ka fituar në 31 bashki të tjera. Ky është rezultati përfundimtar për të gjitha bashkitë e vendit, pa llogaritur Tiranën, ku numërimi ka mbetur në kutitë e fundit të njësisë bashkiake 5 (KZAZ nr. 49), për të nxjerrë rezultatin për kryebashkiakun e ri. Mazhoranca ka fituar disa bashki që kanë qenë bastion i së majtës në Jug të vendit, si bashkia e Përrenjasit, Librazhdit, Roskovecit, etj. Ndërsa, PS ka arritur rezultate në disa bashki të njohura si të djathta si në Kavajë, Shijak, Laç, etj.
Ndërkohë, Partia Demokratike ka fituar 133 komuna në mbarë vendin, ndërsa Partia Socialiste ka konfirmuar deri tani fitoren e saj vetëm në 57 komuna.
Në shkallë vendi mbeten mbi 100 komuna në garë ku ende nuk janë numëruar votat, por referuar shifrave zyrtare, opozita ka fituar 32 për qind të komunave, ndërsa mazhoranca 68 për qind të tyre. Sipas të dhënave zyrtare nga KQZ dy koalicionet pjesëmarrëse deri më tani kanë këto rezultate: koalicioni i djathtë “Aleanca për Qytetarin” ka fituar 726.471 vota, ndërsa koalicioni “Aleanca për të Ardhmen”, i drejtuar nga Partia Socialiste, ka marrë 641.215 vota.
Aktualisht, diferenca mes dy koalicioneve është rreth 85 mijë vota. Partitë politike jashtë dy koalicioneve të mëdha, gjithsej 8 parti, kanë marrë 32 mijë vota për Këshillat bashkiakë dhe komunalë në shkallë vendi.
Votat që dy partitë e mëdha kanë marrë në shkallë vendi ndahen: PS ka marrë 389.690 vota, ndërsa PD 297.706 vota, me një diferencë prej 92 mijë votash. Pas tyre renditet LSI që në shkallë kombëtare ka marrë 104.367 vota, e ndjekur nga PR me 65.562 vota, e më pas PDIU me 58.127 vota etj.
Gara për zgjedhjet vendore të 8 majit u zhvillua për kryetarët e rinj të 383 njësive bashkiake në rang kombëtar, ku konkurruan dy koalicionet, ai i majtë “Aleanca për të Ardhmen” dhe koalicioni i djathtë, “Aleanca për Qytetarin”.

Bashkitë
Rezultati për bashkitë e vendit ndryshon si në Veri të vendit, ashtu edhe në Jug të tij. Të dyja koalicionet kanë fituar në qarqe të ndryshme, edhe pse mjaft prej tyre konsideroheshin si bastione.
Ngjyra e fitores nuk është më e përqendruar si më parë, por në çdo qark ka pasur fitore nga të dy krahët. Konkretisht, në Kukës PD-ja ka fituar këtë bashki, ndërsa PS-ja ka fituar Krumën. Në Lezhë, PD-ja ka fituar këtë bashki, ndërsa PS-ja ka fituar Laçin. Në Korçë, PS-ja ka fituar Bashkinë, ndërsa Bilishtin e ka fituar PD-ja. Në qarkun e Elbasanit, PS-ja ka fituar Bashkinë kryesore, ndërsa të tjera, si Librazhd, Cërrik, Belsh, janë fituar nga PD.

Komunat
Fitorja në komuna ka pasur ngjyra të ndryshme dhe domethënëse për të dyja koalicionet. Disa nga komunat e fituara nga PD-ja janë Voskopoja, Vithkuqi etj., ndërsa ka shënuar fitore edhe në komunat që rrethojnë Tiranën, si në Farkë, Kashar, Paskuqan dhe Petrelë me përjashtim të Dajtit. PS-ja ka fituar në disa komuna të mëdha, siç është Otllaku në Berat, Lekbibaj në Tropojë, Shëngjinin apo edhe komunën Rrethinat në Shkodër. Nëse shihet ndarja e komunave, pothuaj në çdo qark të vendit mazhoranca ka marrë shumicën e komunave, ose më saktë, shumicën e njësive vendore, çka do t’i sigurojë mazhorancës shumicën vendimmarrëse në të 12-të qarqet e vendit.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›