E Diel, 1 Nëntor 2026

Analiza e 8 majit/Berisha: Votuesit shqiptarë votëbesuan mazhorancën

14-05-2011 / Gazeta 55

“Kjo votë politike, përbën jo vetëm një rifreskim të mbështetjes së fuqishme të shqiptarëve për mazhorancën, por dhe një garanci të padiskutueshme për një fitore të shkëlqyer të kësaj mazhorance në vitin 2013”

Kreu i ekzekutivit Sali Berisha deklaroi dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave se mazhoranca qeverisëse në zgjedhjet vendore të 8 majit, mori një mbështetje të madhe politike, duke rritur përqindjen e votave në shkallë kombëtare me 6 për qind. “Sovrani foli në mënyrën më referendare duke i dhënë një vlerësim prej 6 për qind më shumë mazhorancës aktuale me votën e tij politike”, u shpreh dje Berisha.
Kryeministri iu referuar gjerësisht rezultateve paraprake të zgjedhjeve vendore të 8 majit. Berisha falënderoi zgjedhësit shqiptarë të cilët në datën 8 maj fisnikëruan më shumë demokracinë shqiptare dhe sistemin demokratik të vendit. “Çështja e parë e rendit të ditës janë zgjedhjet. Në emër të qeverisë dua të përshëndes përzemërsisht qytetarët shqiptarë, zgjedhësit e këtij vendi të cilët më datën 8 maj fisnikëruan më shumë demokracinë shqiptare dhe sistemin demokratik të vendit. Nderuan më mirë se asnjëherë tjetër, më shumë se asnjëherë tjetër lirinë dhe vlerat e saj, faktuan para mbarë botës vendosmërinë  e tyre për të konsoliduar sistemin demokratik në vend, kontribuuan në integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë, përparimit të saj të mëtejshëm, në projektin kryesor të shqiptarëve, projektin  e integrimit të tyre evropian. Këto zgjedhje dëshmuan dhe njëherë me qartësinë  e dritës së diellit se në këtë vend çdo votë numërohet më me përgjegjësi, më me saktësi se në çdo vend tjetër. Ndiqeni garën për Tiranën, pavarësisht nga rivaliteti, pavarësisht nga kundërshtarit, pavarësisht nga të gjitha, secili nga kandidatët e ka të qartë dhe është i bindur se vota  e tij po numërohet në mënyrën më korrekte dhe kjo është një arritje  e demokracisë shqiptare”, u shpreh Berisha.
Duke u ndalur te vota politike, kreu i qeverisë shprehu bindjen se, “nga këto zgjedhje paraprakisht del e qartë se qytetarët shqiptarë i kanë besuar administrimin, qeverisjen e shumicës së qendrave të mëdha urbane te vendit, opozitës. Presim rezultatin e Tiranës. Kjo e Tiranës, jo si kryeministër, por s’mund të mos e them, po më duket si një fitore shpirtnxjerrëse, cilido që ta fitojë sepse iu kushtoi një përqendrim të jashtëzakonshëm kandidatëve. Por, pres rezultatin përfundimtar dhe shpalljen për të uruar fituesin. Shpreh gatishmërinë dhe vendosmërinë e qeverisë për një bashkëpunim dhe partneritet në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë. Kjo votë politike, përbën jo vetëm një rifreskim të mbështetjes së fuqishme të shqiptarëve për mazhorancën, por dhe një garanci të padiskutueshme për një fitore të shkëlqyer të kësaj mazhorance në vitin 2013. Në fletët e votimit ka pasur edhe një votë politike aq sa janë politike simbolet e partive. Në këto zgjedhje ka patur një votim strikt, tërësisht e kryekëput politik dhe ky është votimi mbi siglat e partive politike”, deklaroi kryeministri.
Në këtë drejtim, Berisha falënderoi qytetarët shqiptarë që politikën ia besuan kësaj mazhorance dhe e konsideroi këtë një arritje të madhe. Ai kujtoi se ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se do t’i uronte fitoren kundërshtarit në rast se do të merrte qoftë edhe një votë të vetme mbi koalicionin “Aleanca për Qytetarin”.
Por, sipas Berishës, “logot politike të këtij koalicioni janë sot në një avantazh mbi 6 për qind dhe kjo merr një domethënie të veçantë, pasi kundërshtari politik e nisi fushatën elektorale duke shpallur një referendum popullor kundër kësaj qeverie”. “Në qytetet e mëdha të vendit, qendra të tjera më të vogla dhe në tërësi, vota politike iu besua atyre që kanë politikat më të besueshme”, tha kryeministri. Sa i përket procesit zgjedhor në tërësi, Berisha falënderoi zgjedhësit shqiptarë, të cilët sipas tij, “nderuan më shumë se asnjëherë tjetër lirinë dhe vlerat e saj dhe faktuan para mbarë botës vendosmërinë e tyre për të konsoliduar sistemin demokratik në vend dhe kontribuuan në procesin e integrimit të mëtejshëm të Shqipërisë në BE”.
Kryeministri vuri në dukje se “këto zgjedhje dëshmuan edhe njëherë me qartësi se në këtë vend çdo votë numërohet më me përgjegjësi dhe saktësi se në çdo vend tjetër”.
Duke komentuar garën e fortë për Tiranën, kryeministri tha se “pavarësisht nga rivaliteti, secili nga kandidatët e ka të qartë dhe është i bindur se vota e tij, po numërohet në mënyrën më korrekte dhe kjo është një arritje e demokracisë shqiptare. Në këto zgjedhje paraprakisht del e qartë se qytetarët shqiptarë i kanë besuar opozitës, administrimin dhe qeverisjen e shumicës së qendrave të mëdha urbane të vendit. Presim rezultatin e Tiranës që po më duket si një fitore, ‘shpirt-nxjerrëse’, pasi u kushtoi përqendrim të jashtëzakonshëm kandidatëve”, tha Kryeministri.
Kreu i qeverisë theksoi se po pret rezultatin përfundimtar për të uruar fituesin në Tiranë, ndërsa shprehu vendosmërinë dhe gatishmërinë e qeverisë për bashkëpunim dhe partneritet në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë. Në përfundim, Berisha garantoi shqiptarët se këtë mbështetje të madhe politike që kanë dhënë, qeveria do ta konvertojë në projekte të mëdha. “Ne do të realizojmë reforma të thella, rritje të rrogave dhe pensioneve, nxitje të biznesit, kompletimin e infrastrukturës rrugore në Shqipëri dhe përsosjen më tej të sistemit arsimor të vendit, përmirësimin e sistemit shëndetësor, avancimin e madh të moshës dixhitale shtyrjen përpara të proceseve të integrimit europian”, deklaroi më tej kryeministri Sali Berisha.

Jozefina Topalli: “Zgjedhjet vendore të 8 majit, të ndershme dhe korrekte”

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli e ka cilësuar dje procesin e numërimit të votave të zgjedhjeve vendore të 8 majit si procesin më të ndershëm dhe më korrekt zgjedhor.
Këtë deklaratë Kryetarja e Kuvendit e bëri në konferencën e përbashkët me kryetaren e delegacionit të Komisionit për Çështjet e Europës të Parlamentit të Holandës.
“Unë kam një admirim të jashtëzakonshëm për ata komisionerë, për mua ata janë vërtet heronjtë e ditës, të gjithë shqiptarët i kanë sytë te ata. Komisionerët po bëjnë një numërim shumë të ndershëm”, theksoi ndër të tjera kryetarja e kuvendit Topalli.
Po ashtu , kryeparlamentarja Topalli theksoi se zgjedhjet vendore të 8 majit kanë qenë zgjedhjet më të ndershme dhe më korrekte që janë bërë ndonjëherë në Shqipëri Sipas Topallit ,këto janë edhe zgjedhjet më interesante, pasi deri në momentin e fundit, asnjeri nuk e di realisht, cili është fituesi.
“Unë kam të dhënat e mia. Nga trendi që shoh, unë jam shumë optimiste për kurorëzimin me sukses të këtij procesi. Edhe si standarde janë absolutisht zgjedhjet më korrekte dhe më të ndershme. Komuniteti ndërkombëtar ka dhënë një suport shumë të veçantë shumë të vlerësueshëm”, nënvizoi kryeparlamentarja Topalli.
Ajo shprehu mirënjohjen më të thellë për ambasadorin amerikan, të OSBE-së, ShBA-së dhe të BE-së, por edhe të gjithë komunitetit ndërkombëtar për angazhimin e tyre të jashtëzakonshëm në këtë proces të rëndësishëm.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›