E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha përshëndet vendimin e KE: Do shkojmë sërish pa viza në MaqedoniNga TemaNë ditën kur shqiptarët shihnin se si mbeteshin të izoluar, ndryshe nga fqinjët e tyre, qeveria shqiptare, përmes ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha përshëndeste vendimin. S

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Basha përshëndet vendimin e KE: Do shkojmë sërish pa viza në MaqedoniNga Tema

Në ditën kur shqiptarët shihnin se si mbeteshin të izoluar, ndryshe nga fqinjët e tyre, qeveria shqiptare, përmes ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha përshëndeste vendimin. Sipas tij, kjo çështje është krejt teknike dhe ka ngecur te pasaportat biometrike. Edhe pse KE deklaroi se problem është krimi i organizuar dhe korrupsioni, Basha tha të kundërtën.

“Dëshiroj të përshëndes angazhimin e Komisionit Evropian për të vazhduar brenda një kohe shumë të shkurtër me propozimin për Shqipërinë dhe për të siguruar në të njëjtën kohë se Shqipëria është në përfundim të procesit të realizimit të gjithë kushteve dhe kritereve për të përfituar procesin e heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë. Në veçanti kjo ka të bëjë me pasaportat biometrike. Në çdo rast mendoj se gjuha e përdorur sot nga KE dhe vendosmëria e qeverisë shqiptare për të ecur përpara nuk lë vend për dyshime se angazhimet që kjo qeveri ka marrë për të lëvizur brenda vitit të parë të mandatit të dytë të kësaj mazhorance do të mbahet dhe do të realizohet plotësisht. Qartësisht, Shqipëria dhe Bosnja janë dy çështje krejt të ndryshme dhe ju siguroj se në të gjitha komunikimet zyrtare dhe publike kriteri kryesor që Shqipëria duhet të përmbushë dhe të vërtetohet që është përmbushur është kriteri i pasaportave biometrike”, - shprehet Basha.

Ai tha se nuk do ketë një ndryshim në regjimin e lëvizjes në tri vendet që përfitojnë nga liberalizimi i vizave.

“Nuk do të ketë asnjë ndryshim në regjimin e lëvizjes së qytetarëve shqiptarë drejt Maqedonisë, Malit të Zi apo Serbisë, sepse procesi i liberalizimit të vizave, i cili nisi për gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor, kishte si synim kryesor përmirësimin e komunikimit të qytetarëve midis këtyre vendeve dhe BE, por dhe vetë ndërmjet vendeve”, - thotë Basha.

Ndërsa Ilir Meta, aleati i ri i qeverisë, ai që e ka akuzuar shpesh qeverinë se po na izolon, tha se janë disa kushte që duhen plotësuar nga qeveria e re. Meta tha se vendet që përfituan kishin lëvizur dhe më parë lirshëm pa viza.

“Deklarata e Komisionerit për Zgjerimin e BE, Olli Rehn, për liberalizimin e vizave nuk është e panjohur dhe e papritur sa pritej që këto vende të përfitonin më shpejt. Nuk duhet të harrojmë se këto vende janë ato vende pjesë e ish-Jugosllavisë, ku nuk ka pasur nevojë për viza 20 vite më parë dhe njëkohësisht janë të qarta dhe standardet që duhet të përmbushë Shqipëria për të fituar liberalizimin e vizave me Bashkimin Evropian. Dihen standardet që nuk janë kryesisht çështje me karakter teknik, sikurse u theksua edhe sot në Bruksel. Unë kam besim të plotë që koalicioni i ri me një të ardhme shumë të shpejtë, do të realizojë këtë synim madhor dhe këtë ëndërr të të gjithë shqiptarëve, pra liberalizimin e vizave me BE”, - tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›