E Diel, 1 Nëntor 2026

Integrimi, provimi për studentët drejt Evropës

02/02/2005  Ministria e Integrimi, Meksi marrëveshje me rektorin e Universitetit të Tiranës, Rrokaj

Integrimi do të hyjë si lëndë e veantë në Universitetin e Tiranës, do të forcohet shkolla pasuniversitare për studime evropiane, si dhe do të ndërmerren kërkime shkencore në këtë fushë. Dje, ministrja e Integrimit Evropian, Ermelinda Meksi dhe rektori i Universitetit të Tiranës, Shezai Rrokaj, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për të kontribuar në përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është të krijohet një bashkëpunim, që do të bashkojë angazhimin qeveritar me ekspertizën profesionale akademike për të kontribuar në përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në familjen evropiane. Marrëveshja synon të rrisë informimin e publikut shqiptar për procesin e integrimit të Shqipërisë në Evropë, duke e ndërgjegjësuar për përfitimet, detyrimet dhe sfidat e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. MIE dhe UT do të ndërmarrin veprimtari të përbashkëta për njohjen dhe kultivimin e vlerave evropiane, do të ngrihen strukturat e "Dialogut evropian" dhe të "Forumit evropian", do të ndërmerren studime të përbashkëta për procesin e integrimit të Shqipërisë në BE; do të trajnohen punonjësit e administratës qendrore për çështje të integrimit evropian etj. Të dyja institucionet kanë një interes të përbashkët për çështjet e integrimit të Shqipërisë në BE. Në mënyrë që të arrijnë një shkallë më të lartë të efektshmërisë dhe të eficiencës në kontributin për këto çështje, të dyja institucionet e quajnë të domosdoshme të zhvillojnë iniciativat bashkëpunuese dhe të realizojnë projekte të përbashkëta në fushën e integrimit evropian.

Projektet që përfshihen në marrëveshje

Iniciativat dhe projektet e përbashkëta do të përqëndrohen në informimin dhe ndërgjegjësimin e publikut për çështjet e integrimit evropian, në kontributin për kultivimin e vlerave evropiane në Shqipëri. Gjitahshtu marrëveshja synon në asistencën për qeverinë dhe shoqërinë shqiptare për çështje të procesit të integrimit evropian, në konsolidimin e Shkollës Pasuniversitare të Studimeve Evropiane (SHPUSE) në Universitetin e Tiranës etj. Marrëveshja e nënshkruar dje është komponent i rëndësishëm i Strategjisë së Informimit dhe Komunikimit që ka miratuar dhe po zbaton Ministria e Integrimit Evropian në kuadër të transparencës me publikun mbi procesin e integrimit evropian. “Kam një kënaqësi të veçantë që të marr fjalën në këtë ceremoni kuptimplotë, të nënshkrimit të një marrëveshjeje që unë e konsideroj sa të rëndësishme aq edhe simbolike”, është shprehur ministrja Meksi në fjalën e saj. Është e rëndësishme, pasi do të kontribuojë për ta shndërruar procesin e integrimit evropian, nga një operacion diplomatik, politik e teknik, në një objekt studimi e debatimi akademik e universitar, në një materie të prekshme për studentët dhe të rinjtë, për të hyrë në një sferë të re të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Synimi i marrëveshjes

"Marrëveshja është një gjest me dimension të spikatur simbolik, sepse shënon materializimin e një përpjekjeje që ka qenë në program prej kohësh. Në cilësinë time të dyfishtë, si ministre e Integrimit Evropian dhe pedagoge e Universitetit të Tiranës", thekson Meksi. Integrimi evropian është njëra ndër angazhimet e reja të shtetit shqiptar. Sistemi i marrëdhënieve kontraktuale me Bashkimin Evropian ka filluar jo shumë kohë më parë, duke marrë formën konkrete në bisedimet për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, që tashmë është drejt përfundimit të plotë. Ministrja Meksi dhe rektori i Universitetit të Tiranës kanë shkruar në tekstin e marrëveshjes angazhime dhe objektiva të përbashkëta. Kërkohet të krijohet një format i qëndrueshëm dijesh në sistemin e arsimit të lartë, që lidhen me integrimin si proces, ashtu si kërkohet që të nxitet te rinia shqiptare dëshira për t’u afruar edhe më shumë ndaj kësaj sfere, përmes së cilës do të afrohemi konkretisht e jo me slogane me Evropën e Bashkuar. Marrëveshja është një instrument në zbatim të Strategjisë së Komunikimit, që synon të fuqizojë rolin e secilit aktor në procesin e Stabilizim-Asociimit.

Shkollë, lëndë, studime

Krijimi i një shkolle studimesh evropiane dhe futja e integrimit evropian si lëndë e veçantë në sistemin universitar, janë vetëm disa prej angazhimeve të përbashkëta në këtë marrëveshje. Meksi vazhdon në fjalën e saj se, gjatë negociatave me partnerët evropianë, bashkë me kolegët kanë vënë re se përparimi në procesin e zbatimit të standardeve evropiane, shfaq dhe ekspozon çdo ditë anë të reja dhe të panjohura të një rruge të gjatë e të komplikuar për vendin tonë. Nëse kjo do të fillonte që në auditoret e shkollave tona të larta, do të ishte një garanci e plotë për përgatitjen e një klase të përgatitur dhe kompetente administratorësh të denjë në të gjitha nivelet. Ky është synimi i përbashkët i MIE dhe Rektoratit të Universitetit të Tiranës në këtë marrëveshje.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›