E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkolla Hoteleri-Turizëm,2 vjet mësim nga Austria

02/02/2005  Që të diplomuarit për turizëm, të marrin vesh nga puna që do të bëjnë është ndërmarrë një projekt dyvjeçar.

Projekti për shkollat shqiptare të turizmit në Tiranë dhe Durrës, që do të financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA - Austrian Development Agency) dhe do të zbatohet nga KulturKontakt Austria, zyra e projektit k-education Tirana, synon që shkollat pilot të zhvillojnë dhe të zbatojnë strategji për të rritur bashkëpunimin me hotelet, agjencitë e udhëtimit dhe ndërmarrjet e tjera turistike, duke u bazuar në përshtatjen e vazhdueshme të ofertës arsimore të shkollës ndaj nevojave të konstatuara. Në strategjinë e turizmit të hartuar nga Ministria Shqiptare e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit burimet njerëzore theksohen si një ndër parimet themelore të kësaj strategjie. Ky parim përputhet mjaft mirë dhe me qëllimet e këtij projekti për të pasur punonjës sa më të kualifikuar për fushën e turizmit. Nga ana tjetër, në fushën e infrastrukturës duhet të sigurohet një shkallë pajisje me infrastrukturë që mundëson zbatimin e një mësimi të orientuar ndaj praktikës. Por bashkëpunimi shqiptaro-austriak në fushën e arsimimit turistik ka një histori më të gjatë. Ai ka nisur që në hapat e para të degës së Hoteleri-Turizmit në shkollën e Tiranës për të vazhduar me mbështetjen e Shkollës së Hoteleri-Turizmit “Antoni Athanas”, Sarandë. Për të siguruar cilësinë e arritjeve të deritanishme të këtij bashkëpunimi dhe për të mundësuar rezultatet për një rreth më të gjerë (shkolla të tjera turistike, mësues të rinj, veprues të tjerë në fushën e turizmit) në kuadër të këtij projekti duhet të hartohen materiale mësimore për fushat e rëndësishme profesionale dhe të kualifikohen si multiplikatorë mësues me përvojë në projektet e deritanishme për të krijuar për palën shqiptare kompetenca të duhura kualifikuese për fushën e turizmit. Projekti do të ketë një kohëzgjatje prej shkurtit të 2005 deri në maj të 2007 dhe do të ketë një buxhet prej 240 697 eurosh.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›