E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria: Krenar Ahmeti të dënohet me 500 mijë lekë gjobë



Prokuroria kërkoi dje që ish-shefi rrugor i policisë së kryeqytetit, Krenar Ahmeti, të paguajë 500 mijë lekë për akuzën e ngritur ndaj tij. Prokurori i çështjes, Ervin Karanxha, pasi risolli edhe një herë ngjarjet të cilat u denoncuan si abuzime nga ana e ish-kryepolicit të Rrugores, u shpreh se në procesin gjyqësor ishte vërtetuar dhe shkelja që pretendohej. Pas pretencës, trupi gjykues i la kohë avokatit të Ahmetit të sillte mbrojtjen përfundimtare seancën e ardhshme, seancë në të cilën nuk përjashtohet mundësia që të jepet dhe vendimi ndaj Ahmetit.
Ish-shefi i Qarkullimit Rrugor, i emëruar shef Rendi në qytetin e Elbasanit, akuzohet nga Prokuroria e Rrethit të Tiranës se ka kryer veprën penale të veprimeve arbitrare. Sipas akuzës, ai ka shoqëruar shumë qytetarë pa të drejtë. Mirëpo ngjarja më e rëndë është cilësuar ajo e denoncuar nga prokurorja e Krimeve të Rënda.

Hidhet shorti për dosjen e “Ben Qimes”
Në Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë, këto ditë do të nisë procesi ndaj shtetasit Arben Isufaj, i njohur me nofkën "Ben Qimja", i cili akuzohet për vrasje në vitin 2002 në Tiranë.
Çështja penale në ngarkim të tij do të shqyrtohet nga një trup gjykues që, ka për drejtues gjyqtaren Fatmira Hajdari. Ndaj të pandehurit Arben Isufaj rëndon akuza për "vrasje në bashkëpunim" dhe "mbajtje pa lejë të armëve luftarake". Isufaj dyshohet për vrasjen me armë zjarri për hakmarrje të shtetasit Pirro Koçiu, pasditen e 12 gushtit të vitit 2002 në rrugën "Him Kolli", në Tiranë. Sipas të dhënave të hetimit, shtetasi Pirro Koçiu mendohet se i ka vrarë të pandehurit babain e tij disa vite më parë në Fier. Isufaj u arrestua një vit më parë në një operacion të policisë së Tiranës. Gjatë ballafaqimit me hetuesit e çështjes ai, mësohet se ka mbajtur qëndrim mohues ndaj akuzës së ngritur ndaj tij.

KSHH, projekt për përmirësimin e kushteve të të dënuarve

Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Agjencia Holandeze e Institucioneve të Korrektimit lançojnë projektin për trajnimin e veçantë të grupeve në nevojë në institucionet e paraburgimit dhe burgjeve në Shqipëri. Projekti synon të rrisë dhe përmirësojë monitorimin, llogaridhënien dhe zbatimin e ligjit nga punonjësit e institucioneve të vuajtjes së dënimit si dhe një trajtim të veçantë për grupet në nevojë në paraburgime dhe burgje, siç janë gratë, të sëmurët mendorë, apo edhe personat të varur nga substancat narkotike. Të pranishëm në promovimin e projektit ishte drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, si dhe drejtoresha Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Vasilika Hysi. Projekti i lançuar do të zbatohet përgjatë 18 muajve me ndihmën edhe të ekspertëve holandezë, ndërsa mbështetet financiarisht nga delegacioni i Komisionit Europian në Tiranë.

30 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›