E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intelektualët e VMRO-së me modelin kroat kundër Gruevskit

Shkup, 31 gusht- Dorëheqja e kryeministrit Nikolla Gruevski, sipas modelit kroat, zgjedhje të parakohshme parlamentare bashkë me referendumin për kompromisin me Greqinë apo qeveri teknike ose e ekspertëve, janë këto tre skenarët e mundshëm nëse Maqedonia nuk do të arrijë të zgjidhë çështjen e emrit deri në nëntor, kur në Lisbonë pritet të mbahet Samiti i radhës NATO-s.
Burime partiake i thanë të martën gazetës “Koha Ditore” se këto tri mundësi i janë propozuar Gruevskit nga krahu intelektual i VMRO-DPMNE-së për ta shpëtuar karrierën e tij politike. Intelektualët brenda partisë maqedonase bartëse të pushtetit, mësohet t’i kenë sugjeruar kryeministrin të dorëhiqet për të lënë hapësirë për formimin e një qeverie teknike, e cila do të përbëhej nga ekspertë të deleguar nga të gjitha partitë më relevante, e cila do të firmoste marrëveshjen që do t’i vinte pikë kontestit dy dekadash të emrit me fqinjin jugor. Varianti tjetër i propozuar është modeli kroat, që nënkupton tërheqjen nga funksioni të kryeministrit dhe dorëzimin e timonit ndonjërit nga zv/kryeministrat nga VMRO-DPMNE-ja, i cili thuhet të jetë më pak i mundur pasi ngërthen rrezikun që Gruevski të mbetet jashtë partisë, njëlloj si Ivo Sanader. Ndërkaq, mundësia e tretë është pranimi i kompromisit nga vetë Gruevski, që më pastaj të njëjtin ta hedhë për miratim në referendum, me ç’rast njëkohësisht do të organizoheshin edhe zgjedhje të parakohshme.
Në VMRO-DPMNE nuk konfirmojnë ekzistimin e varianteve të paracaktuara dhe të njëjtat i klasifikojnë si të pavërteta. “Spekulime”, u përgjigj shkurt deputeti i kësaj partie, Ilija Dimovski.
Nga ana tjetër, partneri shqiptar në koalicionin qeveritar BDI, duket se po humb durimin e pritjes së fleksibilitetit të kryeministrit. Pas dështimit të ideve për rebelim për braktisjen e koalicionin qeverisës me qëllim të krijimit të krizës politike, partia e Ahmetit kësaj radhe thotë se nuk ka ndër mend të tregojë fleksibilitetin dhe konstruktivitetin e kërkuar nga ndërkombëtarët për krijimin e klimës për kompromis.
Në BDI thonë se në të gjitha takimet që ka realizuar kreu partiak Ali Ahmeti me ambasadorët e huaj dhe zyrtarë të lartë të SHBA-ve dhe BE-së, ka marrë mbështetje për konstruktivitetin e treguar deri më tani. Zëdhënësja Ermira Mehmeti thotë se parimisht partia e saj nuk e sheh nevojën për një qeveri teknike ose të ekspertëve për dy arsye.
“E para, opozita maqedonase në vazhdimësi i bën thirrje VMRO-DPMNE-së për ta bërë kompromisin dhe ka deklaruar se do ta mbështesë kryeministrin në këtë vendim të vështirë. E dyta, partitë shqiptarë janë unanimisht në anën e kompromisit dhe as ato nuk do t’ia komplikojnë gjendjen kryeministrit. Njëkohësisht, VMRO ka pushtet absolut, legjitimitet më se të mjaftueshëm për të arritur kompromisin”, thekson Mehmeti.
Njëkohësisht, edhe lideri i opozitës maqedonase, Branko Cërvenkovski, ka paralajmëruar se do të nxjerrë popullin në rrugë për të kërkuar zgjedhje të parakohshme nëse edhe Samiti i Lisbonës do të jetë një dështim i radhës i vendit në raport me integrimet në NATO dhe BE.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›