Qeveria e Maqedonisë kontrollon institucionet e pavarura

Shkup, 31 gusht - Qeveria e Maqedonisë ka shkurtuar përreth 40 për qind buxhetet e institucioneve të pavarura. Komisioni antikorrupsion, Avokati i Popullit, Prokuroria publike si dhe disa institucione të tjera kanë pësuar nga plani qeveritar për shkurtimin e buxhetit, raporton KTV. Drejtuesit e këtyre institucioneve kanë apeluar tek bashkësia ndërkombëtare për ndërhyrje në këtë situatë, duke alarmuar se me shkurtimin e buxheteve synohet bllokimi dhe ulja e intensitetit të punës së tyre. Kryetari i Komisionit për anti-korrupsion, Ilmi Selami thotë se qeveria me çdo kusht po tenton të ketë kontroll ndaj institucioneve të pavarura të shtetit, të cilat kohëve të fundit kanë kritikuar dukuritë negative që janë rezultat i vendimeve të qeverisë. “Siç duken janë hapa të cilët shkojnë në drejtim të përpjekjeve që të mos dëgjohet zëri i këtyre institucioneve, të cilat më tepër janë në anën e popullit sesa në anën e qeverisë. është kjo një tentativë që të ndërhyhet në një farë mënyre në pavarësinë e këtyre institucioneve “, thotë Ilmi Selami, drejtues i Komisionit anti-korrupsion. Ekspertët kanë ngritur zërin e protestës lidhur me hapat e qeverisë që kanë të bëjnë me kushtëzimin financiar të institucioneve të pavarura.