E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intelektualët e komunizmit nuk kanë çtë thonë

Share

-Replikë me shkrimin Intelektualët e cilësojnë fyes librin e kryesocialistit Edi Rama, botuar në Panorama, datë 28 nëntor 2011

Nga Dr. Idriz Tafa

Ata që e quajnë veten intelektualë (term i propagandës sovjetike dhe shqiptare të kohës së komunizmit) nuk mund të përgjigjen me arrogancë dhe të mburren se nuk e kanë lexuar librin Kurban. Nëse ka pasaktësi, le të përgjigjen publikisht. Të mos kenë frikë, si shtinjaku i përjetshëm, Kujtim Çashku, se i bëjnë reklamë librit. Por nuk kanë çtë thonë! Po e quajte veten intelektual, do te thotë se je ende një njeri me arsim të lartë i komunizmit, një rrip transmisioni. PPSH i ndante “intelektualët” apo “inteligjencën” (fjalë e trashëguar nga koha e carizmit rus) në inteligjencë prodhimi, inteligjencë krijuese, inteligjencë shkencore, inteligjencë jurisprudence, inteligjencë ushtarake, inteligjencë të organeve të brendshme, inteligjencë fshati, inteligjencë spitali, inteligjencë burgjesh, inteligjencë…!

Aleks Luarasi të mos shesë mend, se ka qenë në majat e “inteligjencës së drejtësisë” komuniste, prokuror, hetues, pedagog juridiku, sekretar i Këshillit të Ministrave. Tani i duhet pushteti se është pronar universiteti privat, me licencë nga shteti, me subvencion nga shteti.

Ku shkoi ai Çashku i famshëm i Helsinkit? Tani vriten 26 njerëz në Gërdec dhe ai hesht. Vriten 4 veta me 21 janar dhe përshëndet Lulzim Bashën dhe nga ana tjetër organizon Festivale për të Drejtat e Njeriut! O tempora, o mores! I përkëdhelur si intelektual i kinemasë së komunizmit, ku lartësoi Enver Hoxhën, që e e çoi për studime ne Rumaninë e Çausheskut si djalë i një oficeri të Sigurimit. Sot ka një shkollë kinemaje (biznes privat) në Kinostudio dhe i duhet pushteti. Për shembull, mori miliona lekë nga ish-kryeministri Meksi për një film propagandistik. Thjesht një rotacion: nga diktatura në demokraturë.

Zhani Cikoja të sqarojë atë punën e Lluk Kaçajt, puthadorllëkun ndaj Enverit, Berishës, Nanos.

Amik Kasaruho le të sqarojë pse e kishin frikë në ish-ndërmarrjen e ndërtimit në Durrës në kohën e Enverit, ndonëse me biografi të keqe si ish-i burgosur…

Epo Kule është rektor universiteti, nëpunës pushteti. Një fosil i kohës se Enverit.

Nuk desha të merresha me “biografi”, por njerëz të tillë ta bëjnë borxh me tangarllëkun e tyre bosh.

Ja shkrimi në gazetën Panorama të 28 nëntorit

Zhani Ciko: Shpifje fund e krye

Çdo ditë po i dalin persona të cilët ai i ka përmendur në libër dhe po ia hedhin poshtë ato që ka shkruar. Pra, libri i tij po përgënjeshtrohet, është totalisht një farsë. Edi Rama nuk ka nxjerrë në qarkullim një libër, por fantazi të tij. Ky zotëri, ose të flasë me dokumente, me faksimile, ose të mos përgojojë njerëzit kot më kot, siç ka bërë deri më tani. Nuk e kam lexuar librin, por me ato që kam dëgjuar dhe po më lexoni ju, rreshtat ku flitet për personin tim, nga fundi gjer në krye janë një shpifje e Edi Ramës.

Kujtim Çashku: Nuk i bëj publicitet Ramës

Ju më pyesni nëse e kam lexuar librin, unë po të përgjigjem ndershmërisht që nuk e kam lexuar dhe nuk do ta lexoj. Kam arsyet e mia për këtë. Sa i përket reagimit tim lidhur me atë çfarë kam marrë vesh indirekt se çfarë është shkruar, nuk dëshiroj të komentoj për asnjë fjali. E para, sepse nuk mund të replikoj për diçka që nuk e kam lexuar vetë.

Dhe e dyta, sepse nuk jam unë njeriu që duhet ti bëjë publicitet Edi Ramës. Nëse do të kem diçka konkrete, do të përdor replikën e gjatë në gazetën tuaj, por nuk besoj se kjo do të ndodhë. Jua thashë, nuk bëj reklamë unë.

Aleks Luarasi: Nuk e lexoj Edi Ramën

Unë nuk jam për pjesën që të zhvillojmë polemika politike me një libër, pasi nuk jam përfshirë asnjëherë në të tilla raste dhe nuk kam ndërmend ta filloj tani. Sa i përket prezencës sime në tryezën me intelektualë Iniciativa për Tiranën, nuk jam penduar pse kam marrë pjesë. Unë dhashë kontributin tim për zhvillimin e Tiranës, pa asnjë lloj ndikimi politik, dhe u qëndroj të gjitha atyre që kam shprehur në tryezë. Nuk e di se çfarë ka shkruar konkretisht Edi Rama në librin e tij Kurban dhe, drejt të them, nuk kam ndër mend që të mësoj më gjatë, apo ta lexoj. Pavarësisht që qenkam bërë pjesë e librit, direkt apo indirekt, vërtet që nuk e di, unë nuk kam ndër mend të bëj replika.

Amik Kasoruho: Edi Rama të kërkojë falje publike

Nuk e kam lexuar librin e Edi Ramës dhe nuk kam ndër mend ta lexoj. Para disa kohësh e kam sfiduar publikisht për këtë gjë dhe i qëndroj kësaj sfide: Edi Rama, unë ju sfidoj në emër të vuajtjes së qindra njerëzve gjatë diktaturës! Publicistikën tuaj të viteve 90 e lexoj ndryshe sot Ju nuk keni më lidhje me mendimin që kisha dikur për një djalë me emrin Edi Rama, në fillim të viteve 90, kur merrte përkrahu Kasëm Trebeshinën dhe e nxirrte në tribunat, në ditët e përpjekjeve kundër diktaturës, në emër të lirisë dhe të të drejtave të njeriut. Po ashtu, jam ende në pritje që Edi Rama të kërkojë falje publike për atë se çfarë shkaktoi me sjelljen dhe udhëheqjen e tij në demonstratën e 21 janarit.

Dhori Kule: Si shpenzoj paratë kot me librin e Ramës

Pas kaq muajsh nga Iniciativa për Tiranën, më vjen shumë mirë që kam qenë pjesë e asaj tryeze intelektualësh për ti shërbyer kryeqytetit dhe dhashë mendimin tim se si e dëshiroj atë. Unë nuk kam qenë ndonjëherë shërbëtor i pushtetit, por kam qenë dhe do të jem gjithmonë shërbëtor i Tiranës, ashtu siç isha në atë tryezë. Sa i përket botimit të Edi Ramës, unë nuk kam kohë të pavlerë që të blej libra kot, që përmbajnë defekte psikologjike në gjykimin e personave dhe jo vëzhgime reale. Isha në Panairin e Tiranës dhe mora libra që më shërbejnë për punën e sigurisht që bleva dhe nobelistë, por nuk mund të fusja në bibliotekën time librin e Edi Ramës. Si ekonomist, nuk harxhoj as kohën e as paratë kot.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›