E Diel, 1 Nëntor 2026

Minibashkitë ankohen, po përfitojnë ndihme ekonomike qytetarët arsim të lartë



Emanuela Sako

Jo pak familje në kryeqytet përfitojnë ndihmë ekonomike padrejtësisht. Ankesa kësaj radhe vjen nga punonjësit e minibashkive në kryeqytet të cilët kanë evidentuar përfitues të skemës me arsim të lartë. Burime nga minibashkitë sqarojnë se ata kanë mundur të përjashtojnë vetëm ata që nuk pranojnë të bëjnë punët komunitare ndërsa për të tjerat janë të pafuqishëm. Sipas tyre i takon inspektorëve të Ministrisë së Punës të vëzhgojnë familjet që janë përfshirë në skemë për të evidentuar atyre që nuk iu takon ndihma.
Ankesa
Burime të zyrës së ndihmës ekonomike në Njësinë Bashkiake Nr 9. theksuan se një ndër arsyet që pranuan përfitimet e kësaj ndihme ishte se një pjesë e tyre janë me shkollë të lartë ose kanë mundësi të tjera jetese. E njëjta gjë theksohet edhe nga Njësia Bashkiake Nr. 8, ku shprehen se një pjesë e familjeve janë bërë pjesë e skemës në mënyrë të padrejtë. Sipas tyre, Ministria e Punës duhet të bëjë inspektimet në terren për të vërtetuar nëse një familje duhet të përfitojë ose jo ndihmë ekonomike. Për t’iu ardhur në ndihmë qytetarëve që janë në kushte të vështira jetese, autoritetet vënë në dispozicion disa projekte, të cilat ofrojnë një mundësi punësimi në vend të parave në dorë që marrin nga përfitimi nëpërmjet skemës. Në këtë rast, qytetarët i marrin paratë nga puna e kryer në komunitet dhe për sa kohë do të punojnë nuk do të marrin ndihmë ekonomike nga Ministria e Punës. Strategjia e Ministrisë së Punës në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës vendosën që ndihma ekonomike të kushtëzohet me punë në komunitet.
Largimi nga skema
Projekti i parë mes Bashkisë së Tiranës, njësive bashkiake dhe Ministrisë së Punës nisi në vitin 2007 dhe zgjati me një afat 6 mujor për periudhën nëntor-prill. Në bazë të këtij projekti në Njësinë Bashkiake nr.9 u punësuan 15 persona, ndërsa 10 prej tyre nuk pranuan dhe dolën nga skema. Ndërkohë që për projektin tjetër kjo njësi do të kërkojë angazhimin e 40 familjarëve. Njësia Bashkiake nr. 8, punësoi 8 persona në kryerjen e punëve komunitare, ndërsa 7 përfitues të tjerë dolën nga skema e ndihmës ekonomike, pasi nuk pranuan të kryenin punët e ofruara. Ndërsa në Njësinë Bashkiake nr.1 u angazhuan në punë komunitare 48 persona dhe 8 të tjerë dolën u përjashtuan për shkak të mospranimit të kryerjes së punëve të caktuara. Në Njësinë Bashkiake nr. 6, në projektin 6 - mujor u angazhuan 30 familje, ku 12 të tjera u përjashtuan nga ndihma ekonomike për shkak të moskryerjes së detyrave të përcaktuara nga njësia bashkiake.
Kushtëzimi
Projekti është menduar që të vazhdojë edhe këtë vit për një periudhë 4 mujore. Sipas informacioneve paraprake, pritet që njësive vendore t’iu komunikohet periudha kohore brenda këtij muaji, pas miratimit të projektvendimit në Këshillin Bashkiak.
Strategjia e Ministrisë së Punës në bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës vendosën që ndihma ekonomike të kushtëzohet me punë në komunitet. Në këtë mënyrë, shpenzimet për shpërndarjen e ndihmës ekonomike nuk do të jepen për aq kohë sa qytetarët do të shpërblehen në bazë të punës që do të kryejnë. Kompensimi i dhënies së parave me punën në komunitet mundëson dhe punësimin e atyre qytetarëve që nuk kanë mundësi të gjejnë punë. Njëkohësisht, shmangen dhe abuzimet që mund të bëhen nga qytetarët për përfitimin e padrejtë të ndihmës ekonomike. Projektet për kushtëzimin e kësaj ndihme me punë apo shërbime në komunitet mund të jetë me kohë të plotë pune ose me kohë të pjesshme pune, për disa ditë në muaj. Bashkitë apo komunat përcaktojnë fushat dhe përparësitë, ku do të zbatohen projektet për punë komunitare apo për shërbime shoqërore. Këshilli Bashkiak ose i komunës miraton një herë në katër muaj projektet e punëve komunitare apo të shërbimeve shoqërore me kohë të plotë pune,
si dhe listën e personave që do të marrin pjesë në zbatimin e projekteve me kohë të plotë pune etj. Në punët komunitare nuk do të përfshihen personat me aftësi të kufizuar të përhershme apo dhe të përkohshme, si dhe ato mbi moshë pune, të cilët nuk kanë mundësi për të kontribuar në këto punë e shërbime në komunitet. Në këtë rast familjet e tyre vazhdojnë të përfitojnë ndihmë ekonomike. Masa e pagesës së personave, pjesëmarrës në projektet e punëve e të shërbimeve në komunitet, me kohë të plotë pune, nuk duhet të jetë më e vogël se paga minimale në shkallë vendi. Ndërsa fondet e nevojshme për pagesën në këto projekte sigurohen nga fondi i ndihmës ekonomike që llogaritet sipas strukturës së familjeve që marrin pjesë në këto projekte. Por, ata nuk do të përfitojnë më shumë se 7.000 lekë në muaj.

MSH, gjobë ndaj shkelësve të rregullores për rrezatimin jonizues

Ministria e Shëndetësisë do të penalizojë të gjithë subjektet apo individët që punojnë me rrezatimin jonizues. Kështu, në bazë të ligjit “Për mbrojtjen nga rrezatimi jonizues”, të gjithë personat që vërtetohen se kanë kryer shkelje të ligjit, do të përballen me gjoba më të larta se më parë. Kundravajtësit, tashmë do të përballen me masën e gjobës 100 deri në 300 mijë lekë, nga 10 deri në 100 mijë lekë, që ishte më parë kjo masë. Në bazë të ligjit, subjekt i dispozitave ligjore janë dhe kompanitë që merren me riparimin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve rrezatuese dhe kompani, të cilat do të kryejnë kontrollin teknik, ekspertizën teknike të pajisjeve dhe burimeve të rrezatimit jonizues. Ministria e Shëndetësisë, konstaton se kjo është një praktikë e shumë vendeve të tjera të Bashkimit Europian, ku kontrollet e parametrave teknikë dhe fillestarë bëhen nga kompani të licencuara, të cilat në përfundim të kontrollit lëshojnë dokumentin përkatës, ku përcaktohet gjendja e aparaturës në përputhje me standardet kombëtare të miratuara nga Komisioni i Mbrojtjes nga Rrezatimi (KMR). Të gjitha objektet rrezatuese përdoren në të mirë të qytetarëve, por nuk lejohet abuzimi me to.

Fobia dentare, trajtim psikologjik dhe depistim për rastet

Fobia dentare shkaktohet pothuajse tek të gjithë personat që dëgjojnë apo kryejnë një ndërhyrje në dhëmbë. Tek të gjithë këta persona shfaqet ndjenja e ankthit dhe e frikës. Për këtë çështje autoritetet shëndetësore kanë marrë parasysh që të gjithë personat të trajtohen psikologjikisht para se të kryejnë një ndërhyrje tek stomatologu. Përballja me elementin fobishkaktues gjeneron nivele të larta ankthi deri në kriza paniku, vlerësojnë specialistët e Autoritetit Shëndetësor Rajonal, në një studim të tyre. Në këtë studim, specialistët këshillojnë depistim sistematik nëpër shkolla, të paktën për moshat pedodontike, i rasteve me nivele të larta ankthi ose fobi dentare, si dhe trajtim psikologjik i tyre. Specializimi i personelit dentar që punon në shkolla në psikologjinë e fëmijëve dhe në psikologjinë dentare për parandalimin e rasteve të tilla, do të ishte i këshillueshëm gjithashtu.

Shalsi reagon ndaj akuzave të LSI-së për parkingjet

Nënkryetari i Bashkisë, Eduard Shalsi reagon mbi akuzat e ngritura nga LSI, në drejtim të Bashkisë së Tiranës, lidhur me dhënien me koncesion për ndërtimin e parkimit nëntokësor në parkun “Rinia”. Shalsi është shprehur se parku është pronë publike dhe se asnjë metër katror gjelbërim e këtij parku, nuk do t’i humbasë qytetit. Përveç kësaj. Mbjellja e pemëve mbi parkingje do të vijë duke u shtuar. “A ka shqiptar të besojë që edhe parku “Rinia” qenka pronë private dhe a ka shqiptar, jashtë oborrit të partisë private të Ilir Metës që mund ta trajtojë parkun “Rinia” si pronë private?”,- u shpreh Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës. Në një deklaratë për shtyp të LSI-së,
Petrit Vasili sekretari i përgjithshëm i LSI-së është shprehur se, Rama po privatizon Tiranën si Bashkinë. Po ashtu ai ka shtuar se edhe Shalsi i Bashkisë është privatizuar nga Rama.

3 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›