Intensifikohen përleshjet në Bangkok
Ushtria ka paralajmëruar se synon të hyjë në kampin e protestuesve.
Në Tajlandë po thellohet kriza dhe përleshjet janë shtuar në qendër të Bangkokut, përreth kampit të fortifikuar të protestuesve këmishkuqë.
Ushtria ka njoftuar se në një pjesë të qytetit do të përdorë municion luftarak dhe ka paralajmërime se synon të hyjë në kampin e protestuesve.
Të paktën 16 persona janë vrarë që të enjten, kur mijëra ushtarë u përpoqën t'i rrethonin protestuesit. Të shtënat e armëve dhe shpërthimet vazhdojnë, ndërsa shtëllunga tymi ngrihen nga gomat e djegura në qendër të qytetit.
Qeveria tajlandeze këmbëngul se e ka gjendjen nën kontroll dhe, pavarësisht kaosit në qendër të Bangkokut, nuk ka njoftime për trazira në lagjet e tjera të qytetit.